Teatri si art dhe si godinë

Kultura

Teatri si art dhe si godinë

Nga: Hejza Art Më: 25 mars 2022 Në ora: 11:21
Foto ilustrim

Teatri është lloj arti, i cili, nga një qendër (le të jetë kjo edhe godinë) niset për ta “uzurpuar” botën përmes veprimtarisë dramatike që e zhvillojnë para syve të spektatorëve një duzinë “gjeneralësh” (aktorë, regjisorë, shkrimtarë, skenografë, rekuiziterë, dizajnerë, ndriçues, tonistë etj.). Teatri, përtej themeleve të një objekti, është PANTEON ku ruhen loja që i jep shpirt katarsisit. Rrënimi i këtij Panteoni është rrënim i kolonës gjenetike të kulturës së një etnie.

Teatri është diga që akumulon prurjet shpirtërore që krijojnë habitatin e shenjtë të vlerave kulturore e artistike të çdo populli. Teatri është republika e gjendjes solemne të shpirtit që rritet paq në vlerat e pacenueshme të një kombi. Teatri është shkalla nëpër të cilën ngjiten të gjitha vlerat kulturore drejt fronin të perëndive. Në fakt, teatrot janë frone të këtyre perëndive që i përulen Talias.

Prishja e teatrove nuk nënkupton prishje të këtyre shkallëve dhe rënia pingule të vlerave kulturore, por nënkupton prishje të froneve, hidhërim deri në tërbim të perëndive! Kur hidhërohen perënditë, thyhen në kurriz pushtetet, pikin, zhduken, harrohen.

Pra, të kota janë ngazëllimet se e prishëm një teatër të vjetër, pa themele, pa kolona e pa pullaz, siç janë të kota edhe ngazëllimet se “në kohën time u ndërtua ky teatër”, “nën menaxhimin tim bëmë një teatër modern”... Teatrot janë strehë improvizuese të mijëra shpirtrave e karaktereve që pas lojës ulen pak të pushojnë, por që para muzgut kthehen në kështjellën e pamposhtur të kujtesës.

Aty gjejnë hapësirën ku rrjedh koha e tyre. Teatrot, si godinë arkitekturore, reflektojnë respektin e opinionit të gjerë që kanë për lojën, si art, dhe për lojtarët që kanë shtegtuar nga amfiteatrot klasike e deri te godinat grandioze. Asnjëherë spektatori nuk ndalet para godinës dhe ta duartrokasë për grandiozitetin e vet, por ngritët në këmbë pas mrekullimit nga loja artistike, nga afinitetet e lojtarit-artistit për ta preku thellë në shpirt! Të pretendosh si individ, si menaxher, si etni, e të mburresh me një godinë estetike të teatrit, është përpjekje për ta disponuar Talian duke e gudulisur. Të pretendohet se po bëhet teatër nga e para në godinën e teatrit të ngritur rishtas, është lavd se i ke bërë gjithësisë një çadër.

Teatrot, si vepra artistike, kanë lindur dhe janë zhvilluar në natyrë të hapur, pastaj në amfiteatro, sepse loja ka qenë me perënditë; në sy të trupave qiellorë, satelitëve, yjeve, këtij spektatori natyror, u është dëshmuar perëndive fuqia e pamposhtur e artistit! Tevona dikujt i kujtohet që të ngritët një respekt më i shenjtë ndaj djersës së lojtarit-artistit që me frymën e vet i jep jetë katarsisit për ta bërë të trashëgueshme deri në frymën e fundit të njerëzimit, duke ngritur një objekt ku si xhevahir i përjetshëm do të ruhet djersa e lojtarit-artistit! (Vjedhja nga buxheti i ndarë për ndërtimin, renovimin apo mirëmbajtjen e kësaj godine është përtypje e mllefit, mallkimit të të gjitha perëndive të mundshme!)

Teatri si akt juridik është institucion nacional, i një kolektivi, i një komuniteti, i një populli, pse jo, edhe i një individi! Teatri si godinë dëshmon adresën e këtij institucioni kulturor. I emëruari si drejtues i teatrit mund ta menaxhojë vetëm se godinën, dhe jo edhe teatrin si art që ndër shekuj zvarritet kapur për qafe të “kolektivit” artistik i cili ka fuqinë e lidhjes së kontratës me Talian për ta bartur frymën e tij përtej shekujve të perceptueshme nga mendja e njerëzimit.

Në këtë proces, politika dhe politikanët mund të jenë vetëm vëzhgues të rëndomtë, madje as spektatorë jo! Ndryshe, do të duhet ta ngulfasin lojtarin, lojën, katarsisin ta mbyllim në urnë! Ç’kuptim do të kishte pastaj teatri si godinë, si produkt i premtimit politiko-partiak?! Meritat për teatrin janë vetëm të të “shenjtëve” të artit kolektiv! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat