Rajmond Gjonaj, studenti model në mjekësi

Kultura

Rajmond Gjonaj, studenti model në mjekësi

Nga: Ismet Kallaba Më: 21 prill 2022 Në ora: 13:47
Rajmond Gjonaj

Rajmond Gjonaj është një student i dalluar i vitit të pestë në Fakultetin e Mjekësisë në Podgoricë. Vitin e kaluar akademik ka arritur notën mesatare 9.70. Për sukseset e tij mësimore, katër vitet e kaluara ka fituar çmimin që iu ndahet studentëve më të mirë të Fakultetit të Mjekësisë. Ai po ashtu është përfitues i bursës së Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, Komunës së Ulqinit, Shoqatës “ Malësia e Madhe” dhe Fondacionit “ Dom Simon Filipaj” nga Nju-Jorku.

Gjonaj është student i përkushtuar e modest. Motoja e suksesit të tij është: “Besoni se mund të bëni të pamundurën. Nëse është e rëndësishme për ju, do të jepni maksimumin, edhe pse shanset janë shumë të vogla për t’ia arritur”.

Për respektin që gëzon në Fakultetin e Mjekësisë tregon fakti se në zgjedhjet e mbajtura para disa ditësh është zgjedhur kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë mënyrë ai bëhet studenti i parë shqiptar të cilit i besohet kjo detyrë në historikun 24-vjeçar të këtij fakulteti, i cili numëron afro 1100 studentë në pesë programe të studimit: Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, në Podgoricë, Shkollën e Lartë të Mjekësisë në Beran dhe Fizioterapinë e Aplikuar në Igallo.

Në Malin e Zi, ku distanca etnike, sidomos ndaj shqiptarëve është tejet e theksuar, ky paraqet një tjetër sukses, jo vetëm në planin individual.

Besimin për të përfaqësuar studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Gjonaj e konsideron si një nder dhe kënaqësi, por edhe përgjegjësi të madhe.

Këshilli Studentor është organi më i lartë që përfaqëson interesat e studentëve kundrejt organeve dhe drejtuesve të fakultetit, ndërsa kryetarët e këshillave studentore janë anëtarë të parlamentit Studentor, organi më i larët përfaqësues i studentëve në nivel të Malit të Zi.

Rajmond Gjonaj ka kryer Shkollën Fillore “ Marshall Tito” dhe Gjimnazin Privat “ Drita” në Ulqin. Është fitues i Diplomës “ Lluça” ( Pishtari) A për sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore në shkollën fillore dhe të mesme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat