Lufta që po plagosë kulturën

Kultura

Lufta që po plagosë kulturën

Nga: Hejza Art Më: 29 prill 2022 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Përpjekjet fashiste të Rusisë për ta okupuar Ukrainën, kanë shkaktuar një duzinë krizash në botë. Me gjasë, po futemi në një rend të ri botëror ku angazhimet njerëzore do të orientohen kryesisht në siguri dhe për një jetë më të paqtë. Aktualisht, evropianët dhe më gjerë po kalojnë nëpër një krizë të theksuar energjetike, ekonomiko-financiare, bujqësore-ushqimore etj.

Gjithandej ku kanë prekur këto kriza, qeveritë e vendeve përkatëse kanë ndërmarrë një sërë masash për të zbutur sadopak problemet e përditshme me të cilët po përballen qytetarët. Shtetet perëndimore po i kushtojnë vëmendje të veçantë edhe industrisë kreative, atij segmenti ngushtësisht të lidhur me kulturën. Ndërkaq kjo brengë nuk po vërehet edhe ndër shtetet e Evropës Juglindore! Gjithandej po protestohet, po debatohet, ka mospajtime me çmimet në karburante, në energji, ujë, në shportën ushqimore mujore, kërkohet ngritje pagash për ta përballuar këtë krizë, rritje pensionesh, ulje akcizash, heqje të TVSH-së; po bëhet përpjekje për të sigurua burime alternative, lëndë bazë, që do t'i prishin varshmëritë e më hershme nga Rusia, por edhe nga Ukraina, e cila sikur edhe sot të çlirohet, do t’i duhen qindra vite për ta rimarrë veten dhe për t’u inkuadruar në tregun evropian e botëror!

Është një segment i sistemit që deri më sot nuk e ka thënë asnjë fjalë të veten, që hesht, që po orientohet kah të qenët “patericë e pushtetit”! Nuk kemi asnjë të dhënë që do të dëshmonte për krizën që ka prekur në kulturë, në sferat e ndryshme të krijimtarisë dhe artit! Gjithçka po shtrenjtohet, konsumimi i gjërave bazike po bëhet i pamundshëm për shkak të çmimeve. Ky problem e ka prekur dhe do të shpërthejë edhe në krijimtari dhe art. Do të rriten biletat e kinemave, të teatrove, të galerive, ndërsa do të duhet të rriten edhe rrogat e aktorëve, honorarët e krijuesve, çmimi i lëndës për një pikturë, skulpturë, do të ngritën çmimet për pagesat e ndryshme për stafin teknik të domosdoshëm për realizimin e projektit artistik.

Në sferën e botimit të librit, produktiviteti ka rënë në masë prej 70-80 për qind. Shtypshkronjat kanë problem, sepse, pjesa dërmuese e tyre, me letër, me ngjyra, pllaka shtypi, janë pajisur nga Ukraina! Nuk ka lëndë të parë, furnizimi alternativ është shumë i shtrenjtë. Nga ana tjetër, veprimtaria botuese ka nënshkruar marrëveshje dhe tashmë i pret financat e parapara në programin nacional vjetor të ministrive për kulturë, buxheti i të cilëve është miratuar dy-tre muaj para se Rusia ta sulmojë Ukrainën. Ndërmarrësia botuese për momentin është në një udhëkryq të frikshëm!

Shtëpitë botuese nuk janë në gjendje të shtypin asnjë libër dhe, si rrjedhojë, programi vjetor i ministrive në sferën e botimit mund të pësojë një fijasko të paimagjinueshme! Nuk ka kurrfarë reagimi nga botuesit! Nuk ka kurrfarë kërkese për rebalancim të buxhetit, për shtim dhe rritje të subvencioneve në sferën e kulturës; nuk ka kurrfarë angazhimi të botuesve që në bashkëpunim me segmentet e caktuara qeveritare të kërkojnë burime alternative për lëndën e parë. Për dy-tri vite do të kemi mbyllje masovike të shtëpive botuese. Do t’ia dalin të botojnë vetëm ata që do të jenë sa më paranë pushtetit! Mbase do të botohet vetëm për nevoja të pushtetit, do të botohen ato tituj e ekzemplarë për të cilat pushteti do të zotohet se do t’i blejë! Libri gjithnjë e më pak do të jetë në treg, leximi do të harrohet fare! Titujt e përkrahur nga ministritë, sipas logjikës së tregut para fillimit të luftës ruso-ukrainase, nuk do të mund të botohen, sepse tani më kemi pothuajse dyfishimin e çmimeve, edhe pjesa e honorarëve qesharake të caktuara për autorët tashmë do të jetë me nuanca të talljes!

Intelektualë, shkrimtarë, artistë, të gjithë po heshtin, nuk janë të gatshëm të reagojnë të paktën me atë dinjitet dhe integritet të bujkut që ngrit zërin për t’i mbrojtur patatet, specat, lakrat e veta! Bujqit nuk mund të pajtohen me nonshalancën e pushtetit, sepse ua shteron xhepin, kurse intelektualët, krijuesit e artistët po, sepse vullnetarisht marrin rolin e ushqyesit të kësaj nonshalance institucionale për ç’gjë paguhen simbolikisht, nën nivelin e të dinjitetshmes! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat