Pushteti vendor dhe kultura

Kultura

Pushteti vendor dhe kultura

Nga: Hejza Art Më: 4 maj 2022 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Në vendet e rajonit, sidomos në Maqedoninë e Veriut, ku më së shumti janë arritur marrëveshje të brendshme dhe bilaterale me garanci të ndërkombëtarëve, për t’i tejkaluar ngërçet politike që kanë sjellë në pikëpyetje fatin e më tejmë të shtetit, decentralizimi i pushtetit edhe më tej perceptohet si “kapitullim kombëtar” nga një mendësie mitike mbi superioritetin etnik të përcaktuar nga Hyu! Megjithatë, është një proces i cili nuk mund të ndalet, e që, pa dyshim, do të ndikojë në përafrimin dhe përforcimin e një shoqërie multietnike e multikonfesionale, siç është kjo e Maqedonisë së Veriut. Sfera në të cilën assesi të përshpejtohet ky proces është ajo e kulturës. Këtu edhe më tej mendohet se kultura është produkt që i përket vetëm një rajoni të fuqishëm, i cili mund të jetë kompetent dhe përgjegjës i zhvillimeve kulturore, meqë është pranë burimeve financiare të qeverisë qendrore.

Pjesa dërmuese e këshillave komunalë të RMV-së asnjëherë nuk kanë miratuar plan të mirëfilltë vjetor për kulturë! Madje, as që dinë se si bëhet, as që dinë se duhet të bëhet, as që e kuptojnë se një plan i tillë është jetik për zhvillimin e përgjithshëm të komunës. Disa këshilla komunale kanë miratuar “plane” vjetore për kulturë, porse nuk kanë qenë në gjendje që të vërejnë se ato “plane” në fakt kanë qenë vetëm format i katalogut me informacione të tipit “ky objekt daton nga...”, “ajo urë është ndërtuar në kohën...”, “vitrinat e çarshisë janë me florinj” etj.

Të dhënat e fundit, të nxjerra në mënyrë joformale, flasin se aktivitetet e ndërmarra, bazuar në miratimin e “planeve vjetore” nga disa këshilla komunale, nuk kanë lëvizur asnjë hap në krahasim me analizën e vitit 2008 të kryer nga resori për Reformimin e administratës publike pranë Misionit Monitorues të OSBE-së në Shkup, sipas së cilës, komunat në RMV ia kanë dalë që mesatarisht të implementojnë vetëm 15 për qind nga ajo që kanë paraparë nëpër planet e tyre vjetorë!

Fatkeqësisht, kjo flet për nivelin kulturor të pushteteve tona lokale, kjo flet për qeverisjen vendore të partizuar deri në atë nivel sa pushteti lokal nuk guxon t’ia turbullojë ujin pushtetit qendror, nuk guxon që kulturën ta rangojë lartë në prioritetet e qeverisjes vendore, sepse kjo do jetë përzierje flagrante në hartimin e buxhetit sipas prioriteteve të pushtetit qendror, respektivisht Ministrisë së Kulturës.

Në sferën e kulturës në RMV çdo gjë funksionon bazuar në Strategjinë Nacionale për Kulturë dhe në Programin vjetor për kulturë, edhe atë gjithçka në kuadër të buxhetit të paraparë për t’u ndarë në përkrahje të projekteve dhe të aktiviteteve të klishetizuara të institucioneve kulturore nacionale. Pra, ky buxhet është ai faktor që determinon jetën kulturore në nivel lokal. Për më tepër, në këtë buxhet mund të llogarisin vetëm ato komuna (urbane) që kanë qendra kulturore, ato që janë komuna rurale apo pa shtëpi kulturore, ato mund të kënaqen eventualisht me ndonjë projekte individuale që i “përkrah” Ministria për Kulturë!

Fatkeqësisht, asnjë komunë që drejtohet prej shqiptarëve sot nuk ka të hartuar e as të miratuar Strategjinë për Kulturë, në të cilën do të bazohej plani vjetor për zhvillim kulturor në territorin komunal përkatës. Deri më sot nuk kemi asnjë raport komunal mbi aktivitetet kulturore vjetore! Asociacioni i komunave të RMV-së deri më sot nuk ka sjellë ndonjë vendim, me të cilin do t’ia bënte të qartë Ministrisë së Kulturës se ajo nuk mund të bëjë as strategji zhvillimore e as plan nacional vjetor pa u bazuar në strategjitë dhe plane vjetore përkatëse të pushtetit vendor! Nuk ka asnjë vendim i cili do t’i obligonte të gjitha komunat që në afate të caktuara të miratojnë plane përkatëse vjetore dhe t’ia dorëzojnë Ministrisë për Kulturë, e cila në tavolinën e pushtetit qendror do të duhej të dilte me kërkesa këmbëngulëse në ndarjen e një buxheti adekuat që do t’i plotësonte në masë të madhe kërkesat dhe nevojat për zhvillim kulturo lokal dhe jo të krijohet një buxhet i cili më tepër shërben për ta blerë heshtjen intelektuale dhe varshmërinë e subjekteve kulturore nga pushteti qendror!

Pushteti vendor kulturën patjetër duhet ta trajtohet si pjesë përbërëse e zhvillimit lokale. Zhvillimi i jetës kulturore detyrimisht gjeneron vende të reja të punës, i cili gjithashtu i shton edhe të ardhurat në nivel lokal. Në vendet e përparuara industria kreatve është një prej degëve më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ka apo nuk ka mjete të mjaftueshme financiare, ka apo nuk ka krizë ekonomike, ka apo nuk ka kërcënime të ndryshme që ndikojnë në buxhetin e vendit, pushteti qendror duhet të detyrohet (të kërcënohet me përfshirje në qeveri) në krijimin e zërave financiar për realizimin e planeve vjetore për kulturë të miratuara nga këshillat komunale, sidomos aq më tepër kur dihet fakti se pjesa dërmuese e komunave shqiptare janë pa qendra kulturore e me pengesa të ndryshme në zhvillimin e jetës kulturore lokale. Ministria e Kulturës nuk guxon që edhe më tej të lihet si “tutor” që, varësisht nga mëshira e saj, të diktojë “zhvillim” kulturor të vendit! Në botën e civilizuar ministritë e kulturës merren me politika të larta që sigurojnë zhvillim të madh të jetës kulturore si dhe mbrojtje dhe siguri të lartë të trashëgimisë kulturore dhe nuk merren me projekte të subjekteve fizike e juridike që janë absolutisht kompetenca dhe detyrime të pushtetit lokal. Maqedonia e Veriut nuk mund të ketë zhvillim të theksuar pa zhvillimin e hovshëm kulturor të shqiptarëve të këtij vendi, deshtën apo nuk deshtën segmente të caktuara nacional-shoviniste që akoma frymojnë, madje në nivele të larta, në këtë shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat