Ndritja e rrugës së bekuar

Kultura

Ndritja e rrugës së bekuar

Më: 13 maj 2022 Në ora: 16:52
Vjollca Aliu

Një shakullinë mendimesh

Magjishëm diku më çoi
Mu në majën e Jezercës
Ku dielli kreshtën e malit e praroi.

Bregut të Drinit zemra më vlon
Tek hedh shikimin drejt teje Shqipëri
Shijoj panoramën përgjat Komanit
Thith ajër Alpesh, mbushem mrekulli.

Gjithë ato pyje të harlisura
Labirint qafash malore po aq të tërbuara
Njerëzit u thonë Bjeshkët e Nemuna
Por natyra i bëri të bekuara.

S'më ndriçon dot as hëna
S'ma shuan etjen as uji i Drinit
Nuk më ngroh dot as dielli
Sikur në gjirin e Shëngjinit.

Bardhësitë e maleve kurrë nuk flasin
As lëndinat s'tremben shqim
Sa më jep jetë uji i Drinit
Aq kam mall për Gjakovë, Shkodër e Ulqin.

Edhe po të ketë bota miliona mrekulli
Luginës së Valbonës askush s'ia kalon
Lumi Valbona tek rrjedh me kthjelltësi
Si tingujt e lahutës, me po aq ëmbëlsi.

Në njërin sy Adriatiku më ndriçon
E në tjetrin Alpet më mahnisin
Shend e gaz zemra më vlon
Për rrugën aortë që do ta ngjisim.

Shikoj yjet tek puthen në lartësi
Në qetësinë e shurdhër mes Alpesh qëndroj
Me retë e qëndisura dete e male i krahasoj
Projektin Adriatik-Alpe dua ta jetësoj.

Atë rrugë-perlë që shumë e dua
Ka shumë kohë që po e pres
Drini i kristaltë, Alpet hyjnore
Më japin jetë, s'më lënë të vdes.

Kush e ka zemrën të ngrohtë
Zgjimin e njëmendtë, shpirtin ëndërrimtar
Mbështet projektin Adriatik-Alpe
Jetë-zhvillim për çdo shqiptar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat