Kulla që bien, kulla që ngrihen

Kultura

Kulla që bien, kulla që ngrihen

Nga: Ndue Dedaj Më: 16 maj 2022 Në ora: 10:09
Ndue Dedaj

Një nga humbjet e pakthyeshme të këtyre tridhjetë viteve, kanë qenë kullat e gurta autentike të malësive shqiptare, me skalitje monumentale të portave, mureve, qosheve, simbolikave të ndryshme shprehëse, që sot janë një rrënojë masive... kombëtare! U ndërtuan për pesëqind vjet, ditën për diell, nga Çamëria, Vlora, Kruja, Mati, Malësia e Gjakovës, Plava etj. dhe u shembën “natën” pa hënë të tranzicionit, si në legjendën e Rozafës. Rënia e kullave kishte nisur që kur qe dhënë direktiva partipunase e zëvendësimit të tyre me shtëpi model elbasançe, ngaqë ato tashmë quheshin arkaike, patriarkale. Ndërkohë, nëpër qytete, në vitet e miqësisë me Kinën, u ndërtuan komplekse pallatesh që u quajten “kullat kineze”, si më parë ato me arkitekturë sovjetike, të njohura si shallvaret. Miqësitë e mëdha u prishën, por pallatet me “siglën” e tyre mbeten. Kur u prishëm me kinezët, “me forcat e veta” (siç doli parulla) ndërtuam parafabrikatet. Godinat e hotel-turizmit nëpër qytete ishin veçse hotele, kurse nëntëkatëshja e Rrëshenit (1989), e kompozuar në stilin e kullave të zonës, nuk u bë dot as hotel!... Pa zgjatur me histori, problemi është se humbëm dhe ato kulla të vjetra që kishin mbetur në këmbë deri në 90-n, ku si për “kompensim” nisi ndërtimi i disa pallateve shumëkatëshe nëpër qytete, shpesh të stërmëdha e të pabukura, që jo vetëm nuk e përmirësoi mjedisin urban, por e ngushtoi dhe shformoi atë.

Kullat e Tiranës, modernja apo shëmtia e një kryeqyteti?

Hoteli 15 - katësh (“Tirana International”) ishte simboli i urbanistikës së Tiranës të viteve ’70 të shekullit XX, që ia hoqi të huajt “Dajtit” dhe i ngjiti në lartësitë përballë Sheshit “Skënderbej”. Por erdhi një ditë që kësaj godine ia morën “fytyrën” disa kulla marramendëse prapa saj, deri 30 - katëshe, që sikur rivalizojnë me malin e Dajtit. Me sa duket kështu qenka shkruar tek ne, e reja (e ashtuquajtur) ta mbyse të vjetrën, në emër të modernes. Po a ndodh kështu tjetërkund, apo kjo dukuri është shfaqje e “globalizmit” shqiptar, që vjen prej një ideje qeveritare - bashkiake të kullëzimit të kryeqytetit tonë. Kullat veçsa shtohen, deri tani mund të jenë bërë nja njëzet, nuk dihet sa do të shkojë numri i tyre dhe a do ta tejkalojnë sharmin e shtëpive të vjetra tironëse prej qerpiçi. Ka disa pyetje që përmblidhën në një. Kush e ka miratuar planin urbanistik të kullave të Tiranës? A është pyetur publiku, zotëruesi legjitim i një qyteti? Si mund të ndryshohet pamja e Tiranës thjeshtë dhe vetëm me vullnetin e një Kryeministri e Kryebashkiaku të radhës? Publiku tregoi se nuk e do kryeqytetin e vet me kulla, në rastin e protestave për mos-shembjen e godinës së Tetarit Kombëtar. Ai nuk deshi ta përsëriste “Stadiumin” dhe te Teatri. Por dihet si ndodhi, vendosi fadroma. A mund të ndryshojë kështu Roma, Londra, Parisi?... Vite më parë, shoqëruesi e një grupi shqiptarësh në Vjenë, ndalon para një godine 4-katëshe: “Vërejini me kujdes dy katet e sipërm, - thotë Rudiger, - dallojnë sadopak nga dy katet e tjerë më poshtë. Një biznes amerikan mori lejen për ta modernizuar godinën dhe nisi shembja e saj, por u ngrit publiku dhe nuk u shkul prej aty derisa u ndalua prishja e mëtejshme dhe rinisi ndërtimi i godinës ashtu siç kishte qenë. “Brenda, bëjeni si të doni, jashtë jo!” kishte urdhëruar publiku vjenez, duke dalë mbi firmën, vulën dhe vullnetin e autoriteteve vendore e atyre të rregullimit të territorit. Jo se banorët ishin kundër progresit, por blloku i pallateve të reja shumëkatësheve u ndërtua në periferi të kryeqytetit. Na duket se ka shurdhëri publike lidhur me kullat e Tiranës, një shqetësim i përgjithshëm dhe aq. Nuk shohim panele specialistësh të debatojnë rreth tyre në media, apo akitektë dhe urbanistë që të shprehen, por vetëm qytetarë të thjeshtë që reagojnë përmes rrjeteve sociale kundër kullëzimit hibrid të kryeqytetit, kur përditë e më shumë po e humbet kuptimin Kulla e Sahatit etj. Qytetarët do të dëshironin harmoni e jo kaos urban në Tiranë, që “Dajti”, “15 - katëshi”, shumëkatëshet (mundësisht në përiferi) të mos i bënin hije e karshillëk njëri-tjetrit, por të tregonin hapat e urbanistikës së një kryeqyteti në një njëqind vjet. Shtresimet ndërtimore, kulturore i vëren kahdo Europës. Raguza e vjetër rri aq mirë në harmoni me Dubrovnikun e ri. Përpos kullave të Tiranës që kanë marrë peng qendrën, në thelb nuk kemi asgjë me kullat moderne - vilat e qyterarëve, të cilët i kanë bërë ato me punë, biznes, emigracion dhe tregojnë mirëqenie. Problemi këtu janë “kullat” e pashallarëve të rinj të pushtetit, që kanë zaptuar bregdetin e nesër dhe malet. Thuhet përditë si mund të bëjë një vilë apo disa të tilla, pse jo dhe pallate, një politikan, pushtetar, gjyqtar etj., po këto në njërin vesh iu hyjnë e një tjetrin iu dalin të plotfuqishëmve të pushtetshëm, që janë dhe oligarkët e vërtetë.

Vilat e Zogut, kullat mbretërore që nuk mund të jenë

Ka pasur plot ndërtime të reja dhe në Durrës, por vila e Zogut në kodër, dikur gjithë hijeshi, thuajse është shkatërruar, edhe pse ndërtesa të tilla duhet të jenë monument kulture. Vilat e princërve ishin në traditën e qyteteve dhe jo vetëm, si ato të Topiajve, Aranitëve, Dukagjinëve, Kastriotëve, Zahariajve etj. As vila e Zogut në Shirokë nuk ka pasur një fat më të mirë. A thua ngaqë nuk janë më në modë shtëpitë mbretërore? Ka një zakon të keq tek ne, mos me përfill asgjë nga paraardhësit. Në rastin e vilave, ka shpëtuar vetëm Vila e Enverit!... Pyetëm nëse ruhet ndonjë gjurmë e kullës së moçme aristokrate të Zogollëve në Burgajet dhe morëm përgjigje negative, u ka mbijetuar mijëvjeçareve shpella e Blazit aty pranë, por jo në shekullin XX shtëpia e një dere që do të bëhej historike për Shqipërinë, djegur disa herë. “Kanë qenë kulla madhështore, siç i kishte hije Oxhakut, na thonë miqtë tanë studiues në Burrel, por nuk ka mbetur as dhe një qoshe”, duke treguar disa foto të vjetra të kësaj banese komplekse, ku lindi Mbreti. Për të zhdukur çdo gjurmë të tij, thuhet se pas Luftës gurët e sarajeve të Burgajetit u morën për të shtruar me kalldrëm rrugët e Burrelit, teksa do të dëmtohej dhe parku i Nënës Mbretëreshë i vitit 1936 i këtij qyteti, pasi disa nga pemët e veçanta të tij do të shkuleshin për të “lulëzuar” Bllokun e Udhëheqjes në Tiranë. Vilat e Zogut nuk duheshin shkatërruar, ato duhej të ishin qendra muzeale dhe atraktive për turizmin. Sa i përket tarshëgimisë ndërtimore të Mbretërisë, nuk ka një fat më të mirë as Ura e Zogut mbi lumin Mat, dëmtuar dhe kohët e fundit nga rreshjet e shiut. Ç’kuptim ka që ngrëmë muze të rinj përditë, teksa kemi nxjerrë jashtë kujdesit ato që ishin? Në Ishëm është “Kulla e Skënderbeut”, mbi të cilën gjithashtu nuk është vënë dorë, a thua se kemi shumë të tilla që lidhën me emrin e Heroit Kombëtar. Askush nuk di se çfarë është bërë me shtëpitë muze të Pashko Vasës e Migjenit në Shkodër. Ka vite që ngrihet problemi i restaturimit të selisë së Shoqërisë “Bashkimi” (shtëpia e Abat Doçit) në këtë qytet, por ende asgjë. Aty mblidhej elita e kohës dhe hartonte alfabetin e shqipes, që do të miratohej në Kongresin e Manastirit (1908), shkruheshin abetaret e para dhe tekstet të tjera shkollore. Siç do të ishte i mirëpritur dhe restaurimi i selisë së Gjomarkajve me kullën e Kol Idromenos. Dihet që ka probleme të pronësisë së këtyre objekteve historike, askush nuk thotë që ato të “shtetëzohen”, por shteti ka barrën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke gjetur rrugët dhe mjetet që ato të vihen në shërbim të publikut. Ka jo pak përpjekje për ta kthyer në muze ish-kampin e Spaçit, por tashmë është tepër vonë, pasi janë zhdukur shenjat që e bënin atë një burg politik “siberian”; pa portat e hekurta njëra pas tjetrës, birucat torturuese, prangat e çelikta, rrethimet me tel me gjemba, galeritë e piritit etj., ai do të ngjante një kamp pushimi.

Autostrada që shembin kullat!...

Odisea e kullave s’ka të mbaruar. 15 vite më parë, kur po ndërtohej Rruga e Kombit, reporterët e zonës patën bërë thirrje që të mos prisheshin kullat e luginës së Fanit të Vogël, posaçërisht ato të fshatit Mashtërkor, që ishin dhe monumente kulture. Ndër të tjerë, dhe ne patëm shkruar në gazetën “Shqip” artikullin kritik “Autostrada po shemb kullat e Veriut”, krahas reportazheve të vazhdueshme për ecurinë e “Egnatia”-s bashkëkohore të veriut. Ishim kundër shembjes së kullave, si ajo e Skanës, Sinanit etj. Kishim qenë atje herë pas here, me Fatos Baxhakun, Donika Mustafajn, gazetarë kroatë të “National Gjeografik” etj. për reportazhe dhe dokumentarë televizive, teksa kullat po na shembeshin para syve. Dinamiti ishte më i fortë se “muret” e kujtesës historike. Si mund të ikë udha e krejt kombit për ca kulla në breg të Fanit?, na patën thënë atëherë jo pa ironi. Dikujt dhe sot mund t’i duket “marri” që autostrada apo një vepër tjetër të shmanget më lart apo më poshtë dhe të ruhen “kullat” arkeologjike, murore, natyrore etj. Mirëpo, çfarë kuptimi do të kishte, nëse për të ngritur urën e re të “Vashës” mbi lumin Mat, do të duhej të shembej e vjetra treqindvjeçare? Nuk e ngrëmë këtë problem për të treguar si ka ndodhur, por për të tërhequr vëmendjen se prapë ndërtimet e ndryshme prishin gjurmë të lashtësisë. Në dijeninë tonë, nga ndërtimi i një rruge të re janë dëmtuar rrënojat e kishës së Shën Mërisë së Brarit (e vitit 1201), sa del nga Tirana, për më tepër që aty ruhej dhe varri i Skurajve. Në 67-n kishat i prishi kazma e ideologjisë, tani ajo e lubisë dhe shthurjes së tranzicionit. Nga njëra anë jemi fatlumë që ende mbijetojnë nëntokë e mbitokë gjurmë qytetesh, kështjellash, rrugësh antike nga Durrësi në Ohër e nga Lezha në Nish, nga ana tjetër, fatkëqinj, që nuk kemi shoqëri dhe struktura shtetërore të përgjegjshme për ta mbrojtur këtë trashëgimi.

Vetëm agroturizmi do t’i ngjallë kullat?

Rivitalizimi i kullave nisi në vitet 2000 me një projekt të Ministrisë së Kulturës, realizuar me mbështetjen e GTZ-së, ku u restauruan në funksion të turizmit familjar (malor) disa të tilla në Valbonë, Theth e Pukë. Ai qe hapi i parë. Agroturizmi nisi ta kthente shkëlqimin e kullave gjithandej. “Mrizi i Zanave” në Lezhë e ka restauruar kullën e vjetër, duke e vënë në shërbim të turistëve. Ashtu dhe bujtina “Laçi” në Pukë, Kulla “Hupi” në Bulqizë, “Kulla e Lumës” në Kukës etj. Në Mirditë, krahas resortit turistik “Marubi” e të disa tjerëve në Rubik e Fan, tërheq vëmendjen “Këshjella Duka” në Perlat, një vepër ndërtimore unike, ku ndërthuret stili i kullave të trevave Mirditë - Mat, me atë të kullave kështjellore italiane e austriake. Gjithashtu, në Perlat, në mjediset e “Sofrës së Kthellës”, me mbështetjen e AZHBR-së, është në përfundim një resort i tipologjisë së mirëfilltë të kullës mirditore. Është për t’u shënuar se resortet e reja agroturistike veriore, pavarësisht se kanë si qasje kullën, dallojnë për arkitekturën origjinale. Por jo vetëm agroturizmi është “shpëtimtari” i kullave, këtyre ngrehinave historike, vitet e fundit shumë familjarë të ikur me banim në qytete u janë rikthyer kullave të djeshme, për t’i frekuantuar ato fundjavave, për pushime, dasma etj. Qoftë dhe për t’i ikur smogut helmues të qyteteve, kapërthyer nga skelat gjithandej, a thua se në këtë vend medalja e kohës është ajo e fasadave dhe jo e prodhimit...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat