Si të arrihet epiteti “Aset kombëtar”

Kultura

Si të arrihet epiteti “Aset kombëtar”

Nga: Hejza Art Më: 26 maj 2022 Në ora: 11:48
Foto ilustrim

Artistët dhe intelektualët janë të papërmbajtshëm në gjetjen e hapësirave, formave dhe modaliteteve për t’i shprehur vlerat e tyre kombëtar! Nuk ka fuqi në botë që mund t’i ngulfasë, sepse ata shpërndahen në çdo qenie të popullit të vet, bëhen zëri i popullit, fryma e popullit, ideali i popullit! Për ta ngulfatur këtë vlerë të popullit, duhet që i tëri të ngulfatet! Në politikë kjo përkthehet gjenocid dhe si i tillë dënohet nga mbarë bota!

Shembull tipik i kësaj mund të shërbejë Kosova, respektivisht Universiteti i Prishtinës! UP u themelua më 18 nëntor 1969, ndërsa dita e këtij Universiteti u shpall 15 shkurti (1970)! Populli shqiptar, me një traditë të lashtë historike, me një trashëgimi të begatë kulturore, me personalitete historike e kulturore që ia shtuan vlerat edhe Evropë, të etur për arsimim dhe për ngritje kulturore, do t’ia dalin që brenda një dekade të prodhojnë kuadër, që sot i thonë “lidership i pakontestueshëm”, të nxjerrin emra që do të shkruajnë historinë kombëtare! Fiks pas njëmbëdhjetë viteve do të ndizen demonstratat studentore në krye të të cilëve do të jenë vlerat më të çmueshme të këtij Universiteti, që ishin të gatshëm ta mobilizojnë mbarë popullin! Për dy dekada pasuese nga ky Universitet do të dalin qindra intelektualë, kryesisht nga sfera e kulturës.

Qindra krijues e artistë të ndryshëm ishin shndërruar në mekanizëm i cili për asnjë sekondë nuk rreshti së ngrituri kulturalisht popullin shqiptar gjithandej viseve etnike. Sot, mbi 60 doktorë shkencash nga Lugina janë që kanë dalë nga ky Universitet! Shoqata e Shkrimtarëve, me anëtarë kryesisht të dalë nga UP-ja, do të shndërrohet në organ jetik për udhëheqje politike të shqiptarëve të Kosovës! Tri dekada pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, do të nisin Lëvizjet Studentore, e cila do të marrë përmasat e Lëvizjes Popullore deri në çlirim! Intelektualët e sotshëm të profileve të ndryshme, lidershipi i sotshëm i Kosovës, që nga paslufta e këndej, që të gjithë janë personalitete që kanë ligjëruar dhe që kanë dalë nga ky Universitet!

Universiteti i dytë me radhë i shqiptarëve të viseve etnike ishte Universiteti i Tetovës, i cili u iniciua dhe u themelua nga Profesori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, më 4 qershor të vitit 1994! Po bëhen gati tri dekada funksionim të UT-së! Shumë sakrifica, shumë sfida deri te mundësia për të ngritur nivelin kulturo-arsimor kombëtar! Universiteti i dytë me radhë i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i njohur si Universiteti i Shtulit (UEJL) nisi me punë në mars të vitit 2001! Tash e gjysmë dekade ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut funksionon edhe Universiteti ”Nëna Tereze”!

Për dy dekada në Kosovë, Universiteti i Prishtinës prodhoi mjaftueshëm kuadro, asete kombëtare, vlera kulturore e intelektuale të përmasave evropiane, fuqi të patundshme në realizimin e aspiratave kombëtare të trashëguara nga historia dhe të avancuara nga rrethanat e reja historike dhe nga nevojat e kohës! Ky Universitet prodhoi një kontingjent brilant dhe që populli ua besoi lidershipin! Këta liderë, të brumosur me vlera të larta kombëtare nga profesorët e këtij Universiteti, ia dolën ta çlirojnë Kosovë, të shpallin Pavarësinë dhe të ngrisin kapacitete moderne për një shtet të sapo formuar!

Cilët janë ato vlera, ata personalitete, ai kuadër me potencial lidershipi që dolën nga universitetet shqiptare në RMV dhe që populli do të shkonte pas tyre? Cili është sot kontributi i tyre në ngritjen e përgjithshme të shqiptarëve të këtij shteti! Cili është ndikimi i tyre në popullin shqiptar! Cilët janë ata që dolën nga këta Universitete dhe që sot populli i llogaritë si krenaria kombëtare! Cilët nga studentët e këtyre Universiteteve sot do të mund të drejtonin dhe kanalizonin pakënaqësitë eventuale të shqiptarëve të këtushëm! Cili shkrimtar, cili artist, cili shkencëtar, cili filozof doli nga këta Universitete e që gëzon respekt ndërkombëtar! Cili nga artistët, nga intelektualët e profileve të ndryshëm, që kanë dalë nga këta Universitete sot do të mund ta merrte rolin e “liderit” për artikulimin e mendimit alternativ-opozitar për të cilin kanë aq shumë nevojë partitë tona në pushtet!

Pa dyshim, nga këta Universitete kanë dalë shumë të diplomuar, “shkencëtarë”, intelektualë (!) që kanë ngritur “nivelin arsimor” të popullit tonë. Por, sa prej tyre janë vlerë e këtij popull, sa prej tyre janë të aftë për ta fituar besimin e këtij populli, sa prej tyre mund t’i bëjnë ballë debateve publike, me të tjerët, në mbrojtje të vlerave të sotshme kombëtare, si asete kulturore! Nuk ka asnjë dilemë: arsimimi ynë diku po çalon! Ku? Ndoshta pse arsimimit të larë iu qasëm pa atë shpirt revolucionarist kulturor, i cili në mënyrë përmbledhëse duhet të jetë i ravijëzuar në një platformë të qartë kombëtare! Apo, strategji e patëm vetëm prodhimin sasior të kuadrit!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat