Dëshmi e ndjeshmërisë ndaj njeriut dhe dashurisë

Kultura

Dëshmi e ndjeshmërisë ndaj njeriut dhe dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 11 qershor 2022 Në ora: 06:18
Koertina e librit

Mjalti i shpirtit, shpirti i fjalëve dhe magjia e tyre. Viktor Eftimiu, shkrimtar i famshëm rumun me prejardhje shqiptare, thoshte dikurë, në librin “Magjia e fjalëve” (1942): “Nuk mund ta dërgosh librin të luftojë vetë, siç qe dërguar në front ushtari rumun në vitin 1916. Librit i duhet artileria e madhe e prestigjit kombëtar, mitralozat e reklamës, çimentoja e vazhdimësisë, urat e harkuara që lidhin brigjet me brigje, njerëzit me njerëz, popujt me popuj.” Tonin Nikolli dhe Mariana Grigore kanë ardhur në botë për të prurë përgëzime dhe hijeshi. Përmes bukurisë hyjnore në poezitë e tyre, ata i përvetëson zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e gjithë shkrimtarëve rumunë dhe shqiptarë. Poemat e Zonjës Mariana Grigore dhe Zotit Tonin Nikolli, përfaqësojnë një ishull të paqes, të përmbushur me dashuri. Herë pas here, rima është buzëqeshja e vargut. Nuk duhet t’ua lëmë vetëm artistëve bukurinë, vetëm teologëve moralin fetar dhe vetëm juristëve praktikën e drejtësisë. Jeta kalon, kurse fjalët mbeten. Autorët vijnë para nesh nëpërmjet rrugës magjike të frymëzimit. Magjia e poezisë, çdo gjinie të artit i jep një jetë dhe një fuqi, një të drejtë të kështjellës. Vargjet e të dy autorëve jnë të thella, të rrumbullakta dhe të shëndritshme si kokrra e margaritarit, me vezullima dhe rrezatime, me tringëllima dhe jehona.

Tonin Nikolli është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare, një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe për adhurim ndaj fjalës së shprehur dhe hijeshisë së saj. Në këtë kontekst, duke shfletuar veprat e tij, konstatojmë se poezia për autorin është pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe ndjeshmëri. Që në faqet e para të kësaj vepre me karakter poetik ballafaqohemi me meditime briliante dhe mbresëlënëse.

Image

 

Autori shkruan për jetën dhe ekzistencën, për individin dhe shoqërinë, për mençurinë dhe profecinë, për fisnikërinë dhe dashurinë. Tonini i anashkalon subjektet me karakter pesimist dhe pornografik, duke i dhënë prioritet ëndërrimit dhe kërkimit. Në vargjet e tij ballafaqohemi me subjekte kushtuar ëndërrave dhe shpirtit, yjeve të qiellit dhe rrezeve të diellit, stinëve dhe pemëve, natyrës dhe dashurisë. Jemi krenarë që ka krijuar një miqësi të fuqishme letrare, duke botuar disa libra ku tema kryesore është rruga e suksesit dhe ura e shëndetit. Mburremi me faktin se si arriti të punojë me sukses për realizimin e projekteve, ura e tij duke u bërë më e fortë, për të kaluar çdo sfidë për të arritur në prag të lumturisë me realizime ëndërrash dhe projektesh.

Tonin Nikolli merret me problemin e ekzistencës së gjendur në pjekurinë e nevojshme, në mënyrë që të bëjë një ditar lirik të një përvoje njohurie. Bota e poezisë vetëngulitet në shpirtin e poetit, për të zbuluar gëzimet dhe pasionet, guximin dhe këmbënguljen për jetën dhe hijeshinë e saj. Ky vëllim (me dy autorë), zbulon një vetëdije problematizuese, me plot dëshirë për të kapërcyer gjendjen e ikjes nga vetëvetja, në një kontigjent të krijuar nga vetë vullneti i tij. Të gjitha gjestet lirike kanë një qëllim të ndezur, atë të përshkallëzimit të universit të vërtetë, të "rishpikjes" së ritmeve të natyrës: ”Mos mi ngrij zogjtë e borës!/ Janë të brishtë,/ të urtë, të butë/ Lëri t'çukisin dramcat e fundit,/ n'pëllëmbë të dorës...” (Lutja e paragjumit)

Arti kombinator që mbështet nënshtresën e kësaj vepre, artikulon një rrjet temash dhe motivesh të freskëta. Kështu, poezitë e përfshira në këtë vëllim përqëndrohen në jetën me të gjitha implikimet e saj, dashurinë që kapërcen botën dhe arrin planin kozmik. Imagjinata e poetit është fort mirë e përfaqësuar dhe përbën motive të përcaktuara në të njëjtën temë. Koha konstituohet si një dimension transformues. I preokupuar me kalimin e pakthyeshëm të kohës, autori zbulon se vetëm dashuria është ajo që e shpëton individin nga një "perëndim dielli", që ndikon që përkohësia e momentit të perceptohet si pjesë e ritmit natyror të secilit: ”Pastaj,/ në trup të Masivit,/ të ngjiten ëndrrat e mia,/ dhe të puthin shpirtin e bardhë/ të Karpateve,/ ku fle,/ Eminesku.” (Dërgoj vargjet në Karpate)

Në faqet e librit, hipostazat e ekzistencës së një bote rurale ndërtohen, të lartësuara përkohësisht, por të mbajtura mendërisht me ndrojtjen specifike të një shpirti të ndjeshëm: Gjithë jetën,/ bëra roje në pyll të mollëve…/ As gjarpër pashë,/ as Evë,/ as Adam…/ Këputa frutat degëve të holla, / i kafshova,/ lëngun ua thitha,/ e asnjë kokërr,/ nuk m´bëri dëm… (Deklarata ime në gjyqin botëror). Në disa vargje shfaqet imazhi astrologjik ”kur në tokë rrëshqet rrezja e artë e diellit”, imazh i përshkuar nga një qenie që ëndërron, mediton dhe krijon: Shtrydha yjet në gjoks të qiellit!/ Me gishta të butë malli./ Udhës së Qumështit,/ Rrodhi musht i bardhë..../ Piva natën vonë,/ Derisa u deha, / Lotë të valë...

Poezia e Tonin Nikollit është dëshmi e dashurisë ndaj universit dhe kaltërsisë. Autori nxjerr në pah gëzimin për të përjetuar sekuenca të idealizuara nga kalimi i kohës, në marrëdhëniet e egos me botën elementare. Kështu, të gjitha rekuizitat paraqiten përmes imazheve vizuale, të destinuara për të siguruar një kontekst ideal hapësinor: Lejomë, herë – herë, t’i kaloj kufijtë!/ Të futem thellë në ujërat e tua…./ Vala të bëhet dallgë, brënda të më mbytë,/ Kaltërsisë tënde, kurrë të turbulluar… (Kufijtë). Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, Zt. Nikolli vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej. Poeti buzëqesh, edhe pse shikimet e kalimtarëve ia ndajnë shpirtin në dy pjesë. Në pjesën e parë përjetimi, kurse në të dytën ëndërrimi. Meriton t’i themi Tungjatjeta sepse e meriton, siç i meriton edhe veprat e botuara dhe mirënjohjet. (Bukuresht, Pranverë 2022)

SHKURTIMISHT PËR AUTORIN

Tonin Nikolli u lind në Gjadër të Lezhës. Shkollën tetëvjeçare e mbaroi neë vendlindje, ku dhe u shfaqen prirjet e tij letrare, pasqyruar në hartimet e veçanta dhe vargjet e para. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë, ku dhe u publikuan krijimet e para në shtypin e kohës. Shkollën e lartë e vazhdoi në Vlorë, për të mos e përfunduar… Ka punuar mësues në zona të ndryshme të Lezhës si dhe në repartin e Aviacionit ushtarak, deri në vitin 1997, kur emigroi në Itali. Aktualisht punon, jeton dhe krijon në Verona të Italisë. Ёshtë bashkautor në shumë Antologji në gjuhën shqipe dhe italiane, si dhe autor i librave: PЁRTEJ SHPIRTIT – 1999; GUR PENDIMI- 2010; PYLLI IM I BARDHЁ -2011; EMRI YT -2012; MALLI I KA RRЁNJЁT LARG – 2013; NJЁ PЁLLEMBЁ JETЁ – 2015; DASHURIA IME QUHET DRIN – 2016; NЁ OBORR TЁ SHIUT – 2017; QIELLI IM I GЁRVISHTUR – 2018; GJASHTЁDHJETЁ KAMBANA (QUARTET JUBILAR) – 2020; GJASHTЁDHJETЁ KAMBANA TЁ REJA; GJASHTЁDHJERЁ KAMBANA TЁ VJETRA; GJASHTЁDHJETЁ KAMBANA TЁ HESHTURA; SESANTA CAMPANE MIGRANI; ATDHEU IM ËSHTË NË QIELL – 2021; LUTJE HYJNORE (bashkautor) - 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat