Sari Salltiku, faltorja e bekuar dhe e plotëfuqishëme e Kombit Shqiptar.

Kultura

Sari Salltiku, faltorja e bekuar dhe e plotëfuqishëme e Kombit Shqiptar.

Nga: Azgan Haklaj Më: 7 gusht 2022 Në ora: 13:43
Azgan Haklaj

Nuk di të ketë komb tjetër që të ketë fatin qiellorë për të patur në trojet e veta amtare tempuj me fuqi çudibërëse siç kanë shqiptarët.

Qysh në prehistori e në kohën pellazgjike, në agimin e qytetërimit e të lindjes së besimit Dodona Pellazgjike me orakullin e saj që fliste me gjuhën e Zotit ishte vendi më i adhuruar i botës së lashtë.

Janë të famshëm ndërkaq tempujt ku adhuroheshin perënditë ilire, gjurmët e të cilave kanë arritur deri në ditët tona.

Shqiptarët janë një nga tre kombet themelues të Krishtërimit dhe janë ungjillizuar nga vetë gjeniu i besimit të ri Shen Pali.

Apostuj të tillë ishin edhe misionarët bektashian, dishepuj të Haxhi Bektash Veliut, të cilët zgjodhën tokën e bekuar arbërore për misionin e tyre mistik dhe hyjnorë.

Sari Salltiku është një deshmi e gjallë dhe autentike që na deshmon se Providenca Hyjnore ka dashur që pikërisht në trojet tona të shpalosë forcën e besimit dhe plotëfuqinë e krijuesit të gjithësisë.

Në rast se portugezët krenohen me Zonjën Fatime, Kishën Katolike më të madhe të botës e misteret e saj, francezët me Zojën Lurde, apo së fundmi boshnjakët me Zojën Mexhdugare shqiptarët kanë një duzinë tempujsh e vendesh të shenjta me fuqi çudibërëse, të cilat janë garancia e ekzistencës dhe e pavdekshmërisë së Kombit Shqiptar nëpër dallgët e historisë.

Sari Salltiku, ashtu si Zoja e Shkodrës, kishat e Laçit dhe Deçanit, Baba Tomori, ka shekuj që adhurohet nga të parët tanë në Shkelzen, në Pashtrik dhe në Krujë.

Bektashizmi në trojet tona është promovuar si besim i paqes e dashurisë, sepse misionarët e tij të mëdhenj që u vendosën në viset tona i rrezatuan dhe i lartësuan me shembullin e jetës së tyre këto vlera hyjnore.

Beteja historike e Qerbelasë, e para dhe e fundit në historinë e njerëzimit për të mbrojtur parimet autentike të besimit dhe renia heroike e Imam Hasanit dhe Imam Hysenit, renia tragjike e Abaz Aliut u dhanë kurajo dhe shpresë miliona njerëzve, për të mos u nështruar përballë tiranisë së pushtetit dhe për të ruajtur të pastër e të padhunueshëm librin e fundit Hyjnor Kuranin madhështor.

Duke folur për vitet e vështira të mesjetës e rolin madhor të shenjtorëve bektashinjë të cilët u identifikuan me këtë tokë, me fatin e njerëzit e saj.

Poeti i madh Naim Frashëri shkruante:

"Abaz Aliu zu Tomor

Erdhi pranë nesh

Shqipëria s'mbeti e gjorë

Se Zoti e desh".

I vendosur në majë të Malit të Krujës, sipër Kalasë legjendare të Gjergj Kastriotit Sari Salltiku duket si një observator i Nasas që vëzhgon qiellin dhe galaktikat e pafundme të universit.

E ndërsa po të futesh në shpallën mistike të duket sikur nga shkallët e gurta do të udhëtosh drejt qendrës së tokës.

Dy mrekullitë e para që takon besimtari janë fenomene natyrore, të cilat logjika shkencore e ka të vështirë t'i spjegojë

E para është ndryshimi i jashtëzakonshëm i temperaturës.

Jashtë mund të jetë 40- 42 gradë, ndërkohë që në brendësi të shpellës ndihesh si në frigorifer, e po ta prekësh shkëmbin të duket se po prek një mur akulli.

Brenda shpellës është një burim i kristaltë e i ftohtë që buron nga shkëmbi e nuk shterron, as në vapën përvëluese të verës.

Si ka mundësi që uji të sfidojë ligjet e gravitetit, e të burojë në kotën më të lartë të malit shkembor të Krujës.

Kjo është mrekullia e këtij vendi të shenjtë, fuqia kolosale e Krijuesit.

Image
Azgan Haklaj

E në këtë çast të kujtohen fjalët e profetit Abraham:

Si mund të lind unë fëmijë i tha e shoqja Sara?!

Zoti mund të bëjë fëmijë edhe nga gurët ia ktheu Profeti i madh.

E në fakt ashtu ndodhi Sara në moshën 90-të vjeçare lindi Isakun që Abrahami deshi ta flijonte për Zotin por në vend të djalit ishte një dash që e bëri kurban.

Kjo është mrekullia e Zotit.

Bektashizmi ka qenë besimi të cilin e mori Heroi Ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti në kohën kur udhëhiqte fushatat ngadhënjimtare ushtarake të Perandorisë Turke në Europë, Azi dhe Afrikë.

Bektashizmi u përhap ndër jeniçerët, të cilët ishin korpusi ushtarak elitë i sulltanit, ashtu si Legjoni i Nderit i Napoleon Bonapartit.

Ishin pikërisht jeniçerët trima që i vunë emrin Iskander (Aleksandër) Gjergjit të Madh, i cili në krye të tyre vërsulej si shqiponja mbi armiqtë.

Strategjisë së tij gjeniale për të sulmuar armikun me pak forca elitë, e për ta çarë ushtrinë armike në dy pjesë i bën jehonë Naimi Ynë kur shprehet me vargjet lapidare të mëposhtme:

"Dhe nuk merrte të t'jerë

Të shumtit në vend i linte

Vetëm 40- jeniçerë

Dhe si rrufeja binte".

Sulltan Murati i dytë kur rrethoj Krujën nuk e mendonte se përveç Gjergj Kastriotit, Vrana Kontit e mbrojtësve heroikë të Krujës në majë të malit të saj kishte një kala, të cilën nuk mund ta pushtonte kurrë asnjë ushtri e botës e ky ishte Sari Salltiku.

Nuk është rastësi që Heroi Ynë Kombëtar betejën e fundit të jetës së tij e bëri për çlirimin e Malit të Krujës të pushtuar nga Ballabani.

Ai u ngjit si Ante në Malin e Shenjtë dhe e shfarosi ushtrinë turke.

Shqiponja e Arbërit u shlodh pak e vështroj panoramën mahnitëse që ju shfaq në horizont, pa e ditur se ky ishte fluturimi i tij i fundit drejt qiellit, të lavdisë së përjetëshme.

Sari Salltiku faltorja legjendare deshmon fuqinë e një besimi, i cili është identifikuar përjetësisht me tokën e shqiponjave e më Flamurin Kuqezi, atë flamur të bekuar nga dora e Gjergj Kastriotit, Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Aqif Pashë Elbasanit, Sheh Karbunarës, Baba Faja Martaneshit, Dede Reshat Bardhit, Baba Selim Kaliçanit, Kryegjyshit Botërorë Baba Edmond Brahimajt, e personalitete të shquara që dolën brez pas brezi, nga gjiri i komunitetit bektashian, këtij komuniteti të lavdishëm, i cili i dha aq shumë Atdheut, lirisë së tij, kulturës e gjuhës amtare.

Çdo njeri që viziton Krujën e ndalon pak çaste në kreshtën e malit të saj në Shenjtoren Kombëtare të Sari Salltikut e kupton e bëhet i ndërgjegjshëm se shqiptarët e kanë bekim nga Zoti prezencën e komunitetit bektashian dhe misionarët e tij.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat