Individi që bën petulla për vete!

Kultura

Individi që bën petulla për vete!

Nga: Hejza Art Më: 10 gusht 2022 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Përgjumja e shumë subjekteve kulturore shqiptare, ka bërë që në plan të parë, në vend të boshtit të organizmit kulturor i identifikuar me vizionin apo programin e zhvillimit afatgjatë, të dalë individi si një njësi që përmes disa aktiviteteve të kurdisura, të përfaqësojë veten, duke stimuluar edhe një apo dy grupime, të cilat angazhohen thjeshtë për ta nxjerrë në pah individin, i cili parapëlqen të identifikohet me kulturën shqiptare.

Manipulimet e këtilla tashmë janë evidente, mbase edhe të dukshme, por që me to nuk merret askush, përfshi edhe institucionet përgjegjëse për zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ndaj dhe kjo ka ndikuar që midis këtyre grupimeve e qarqeve letrare e kulturore të ketë inflacion servilizmi, përpjekje të shumta për faktorizim brenda natës të anonimëve dhe një armatë të artistëve mediokër.

Tendenca për ngritjen e kultit të individit tregon se reformimi i mentalitetit shqiptar është një proces që do të zgjasë edhe shumë kohë, përkatësisht se pasojat e mentalitetit komunist akoma nuk janë shmangur, prandaj është e qartë se përse te subjektet kulturore shqiptare akoma nuk kemi konsolidim të brendshëm, ku mediokri edhe më tej imponohet si organi superior me të drejta absolute, por askush nuk lodhet t’ia shprehë mendimin ndryshe, thjeshtë për të mos krijuar hatër-mbetje apo prishje qejfi.

Nuk gabojmë nëse themi, bie fjala, kemi një adhurim të çuditshëm dhe të tepruar ndaj disa botuesve, të cilëve u është bërë mendja top se fati i shumë krijuesve varet thjeshtë nga vullneti i tyre. Aty ku adhurimi ndaj individit kalon në nivelin e servilizmit, aty servilët nuk zgjedhin mjete për ta treguar adhurimin, në rastin konkret, ndaj botuesve, vetëm e vetëm që të shohë dritë ndonjë vepër e tyre, pavarësisht nivelit artistik. Pra midis nesh janë të shumta individët që bëjnë petulla për vete.

Kjo verbëri do të bëhet shkaku kryesor që në hapësirën kulturore shqiptare të dominojë kryesisht amatorizmi, i karakterizuar me grupe interesi, të cilat orientohen nga vullneti perfid i disa individëve, të cilët mendojnë se bota sillet rreth tyre.

Krijimi i panevojshëm i kultit të individit në hapësirën e kulturës shqiptare imponon shumë pyetje. Shoqëria shqiptare edhe në këtë fazë të demokratizimit nuk po arrin të “çlirohet” nga individët e tillë që keqpërdorin emocionet e njerëzve të sinqertë. Nuk do të konsiderohej e tepërt nëse thuhet se kjo është edhe shprehje e nivelit të emancipimit të mendësisë sonë!

Për sa kohë që nuk ka vlera të qëndrueshme, të cilave shqiptarët do t’u referoheshin, për aq kohë do të mbretërojë amullia, në të cilën, të gjithë do të bëjnë gjumë të rehatshëm, pavarësisht që brenda ditës para këmbëve të shqiptarëve përplasen me dhjetëra e dhjetëra probleme të natyrave të ndryshme, që kanë të bëjnë me indin kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat