Libër me poezi të përkryera

Kultura

Libër me poezi të përkryera

Nga: Eluizë Lumi Më: 8 shtator 2022 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

“Akti i lulëzimit të Pjeshkës” është njëri ndër emërtimet më të reja të shkrimit poetik të poetes së mirënjohur të brezit të mesës , Fatmire Duraku. Ajo që me librin e parë zgjoi interesimin e lexuesit dhe të kritikës letrare. Për krijimtarinë letrare të Durakut kanë shkruar disa nga penat e shquara të letërsisë sonë: Klara Kodra, Ramadan Musliu, Fritz Radovani, Ragip Sylaj, Prend Buzhala, Sylë Osmanaj, Rrustem Brisha, Veli Veliu, etj. Në shkrimet e tyre ata e vlerësojnë lart poezinë për të rritur dhe tregimet për fëmijë. “ Poezia e Fatmire Durakut është një poezi që spikat për koncentrimin e mendimit: është një poezi që fsheh në vetvete ndjenjën e cila rrjedh si uji nën akull. Për konçizitet dhe forcë sintetike dallohen vjershat “Lulja në dritare”, “Prerja e lisit të shtëpisë”, “ Pasqyra e zezë”, “Loja me vdekjen”. Disa fjalë-çelës janë simbole tipikisht shqiptare të Lisit, Petritit, Ullirit. Kjo poezi është sintetike pa qenë hermetike... e shtrirë kështu në formë dhe përmbajtje të veçantë, nga Trioleta te vargu i lirë, duke ruajtur gjithnjë origjinalitetin e shprehjes, të freskuar me gjithësi të re të frymëzimit lirik.” - thotë ndër të tjera Klara Kodra, ndërsa Ramadan Musliu njërin nga librat e vlerësoi si njërin ndër botimet më të suksesshëm të shkrimit poetik të autoreve femra të Kosovës. “Në radhën e individualieteve poetike që janë imponuar viteve të fundit pa dyshim se vendin meritor e zë Fatmire Duraku. Në 73 poezinë ë saj spikatet vetëdija mbi formën. Mbase ky është faktori dominues pse në poezinë e saj shfaqen, pos të tjerave, edhe format klasike. Në librin e saj “Vagëllimë mbi ujë”(2007), që për mua është libri më i dalluar i periudhës së fundit, kemi cikle me poezi të formës së trioletit, formë kjo që imponohet për vlerat formale e jo vetëm si formë e aplikuar. Po kjo poezi dallon edhe për një lepezë të gjerë preokupimesh, sikurse edhe imazhesh, idesh, tingujsh e ritmesh. Në këtë poezi sikur kemi një balance të ndjeshëm mes introspekcionit dhe retrospekcionit”.

librin e ri, të botuar disa vjet më vonë pas katër librave të sukseshëm në poezi “Vjedhësi i çasteve”, “ Vagllimë mbi ujë”, “Peri i padukshëm” dhe “Gjaku i trëndafilit” shkrimin poetik e nis, me përshkrimin e fenomeneve që ndodhin brenda shpirtit të njeriut dhe të vet natyrës. Kjo vetvetiu e flet për përtritjen e natyrës, të gemit të ri, të gjethimit e të aktit të çeljes e të lulëzimit të pjeshkës, e cila nga drita në dritë e zgjon ylberin e bukurisë dhe për këtë shkak ndjejmë aktin e përtritjes. Autorja e nis librin me ecjen e Vashës me kike, e cila kot do ta puth zjarrin, t'i qe tërë akull zemra, po të qe i ngrirë mendimi për lirinë. Të vazhdojë me Ritmin e ujit, i cili brenda rrjedhës, kot përpiqet t'i zgjoj gjërat e ikura dhe autorja pyetet a do të mund ta kthej lëvizjen e këputur! Ndërsa gurëzohet në pritje dhe kot pret fluturat dhe kaq kot këputen nga sytë dy pikë lot. Pikojnë mbi letrën e bardhë e më dridhen gishtat e më ngri zemra .

Të përkryera janë sidomos trioletat, siç është “Ora e vjetër” dhe “Lot te varri i nënës”, të cilat e shpërfaqin talentin e pakotestuar të autores. Te Ora e vjetër, ajo thekson: Me te hapur sytë në mëngjes me The/ Do udhëtoj majin do ta pers vështirë /S`mund të ikësh, ke borxhe mbi dhe/ Me te hapur sytë në mëngjes me / The Do krasitur pemët e vjetra me gdhe/ Varrin nenës t`ia rregullosh më mirë/ Me te hapur sytë në mëngjes me /The Do udhëtoj majin do ta pers vështirë/ , ndërsa në trioletën tjetër ajo shpreh mungesën dhe dhembjen për nënën, /Ja, përsëri erdha nënë në këtë maj /Ti me pret aty gjithmonë e pa gojë/ Dy gurë të bardhë qëndrojë të pa faj / Ja, përsëri erdha nënë në këtë maj / Dy lulëgjake të lash mbi varr në vaj / E rëndë jeta, asgjë nuk është lojë / Ja, përsëri erdha nënë në këtë maj / Ti me pret aty gjithmonë e pa gojë /

Librin e ri – “Akti i lulëzimit të pjeshkës”, autorja e realizon kryesisht në formën e poezisë lumë, që nuk është rast i shpeshtë e i aplikuar më parë. Te ky libër, ndopak ndërron edhe filozofia e shikimit të gjërave, ndërron brendësia e tyre, por edhe forma, me të cilat ndërtohet poezia, e cila është më e hapur, më e liruar nga mbyllja në vete. Ndërrojnë simbolet dhe metaforat. Ato tashmë kanë një kuptim më të lidhur me tokën, me detin dhe qiellin, nis nga Akti i lulëzimit të pjeshkës e deri te trioletat që të mos harrojmë të cekim se ndër krijuesit kosovarë përveç Sabri Hamitit dhe Abdullah Konushevcit, autorja Fatmire Duraku është e vetmja që aplikon dhe krijon këtë formë klasike të poezisë e cila është shumë e mundimshme për tu realizuar, për shkak të formës, rrokjeve dhe rimës që të kufizojnë, por ajo këtë e bënë në mënyrë të përkryer duke i realizuar tamam sipas normës që ato kërkojnë.

Në këtë mënyrë i tërë kurmi i poezive shtrihet dhe lidhet përmes fijes së padukshme të shpirtit, përmes fijes së dhembjes dhe të kujtimit, duke e fuqizuar edhe një herë të vërtetën se harrim nuk ka kurrë. Herë-herë ke përshtypjen se nuk është më ajo poezia e bukur dhe e thellë, ajo poezia lirike për dhembjet, kënaqësitë që i ka dashuria, por – prapë, çdo gjë është aty. Secili varg do angazhim të veçantë leximi dhe nuk e ka vetëm një udhë për të hyrë në të, as për të dalë nga ai. Kështu, poezia mbetet po ajo, me varg të vështirë për ta zbërthyer. Ndërron shumëçka, por prapë është i njëjti ujë, e njëjta tokë, i njëjti det, e – çfarë është më e rëndësishmja, është e njëjta dhembje dhe i njëjti gjak. Këtë herë, siç e apostrofuam edhe deri tash, interesimi i autores shtrihet në gjithë hapësirën ku mbin, çel dhe rritet lulja e gjakut, lulja e pjeshkës duke prekur në të gjitha poret e jetës dhe në të gjitha ngjyrat e dhembjet, të ëndrrës dhe të vetmisë e të dashurisë. Përndryshe, ajo tash dhe gjithherë është edhe aty ku fizikisht mungon. Është kudo dhe pakufishëm. Kështu, kaq i pakufi në kuptimin e motivit të shkrimit, por edhe të kuptimit hapësinor e të ambientit, autorja ia del – megjithatë, të krijojë në të gjitha aspektet një përmbledhje me një tërësi të thurur mirë. Për ta realizuar këtë i ka ndihmuar mënyra se si i ka ndierë gjërat, se si i ka prekur dhe i ka ringjallur, se si i ka përjetuar; natyrisht, në mënyrë tejet origjinale!

Libri është një prurje mirë e realizuar dhe me shumë vlera artistike për letërsinë tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat