Amësia - Tipar i nënës shqiptare

Kultura

Amësia - Tipar i nënës shqiptare

Nga: Mr. Shefki Stublla Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 11:49
Shefki Stublla

Amësia është tipar,veçori thelbësore e nënës shqiptare. Është jonjerëzore dhe në asnjë mënyrë e pranueshme që gruaja të konsiderohet si “rob” i shtëpisë,si mikrob i së keqes në familje, sepse ajo është një qenie e shenjtë, e humanizuar,që e karakterizon Amësia,cilësi kjo që kënaqë shqisat dhe zemrën e çdo njeriu atdhedashës.

Poeti amerikan i shekullitr XIX,Uait Uilmen, për amësinë thotë:

Mendo për amësinë,mendo veten grua,

Krijimi është amësi,

A nuk është thënë që gjithçka përmban amësia?

A nuk kam thënë që universi kurrgjë nuk ka më të mirë se e mira Amësi !?.

Pra,mund të thuhet dhe shkruhet: edhe nëna shqiptare,shquhet për amësi,sepse ishte flakadan i ndezur,bartëse e jetës,në tërësinë e saj,që siguroi stafetën e gjallë të kësaj jete,brez pas brezi.Andaj,për veprat e saj humane, e meriton të jetë personazhi i çdo vepre arsimimi dhe edukimi. Atë e ngrenë veprat e saj,etike,sociale e psikologjike. Asesi,pas gjithë atij kontributi krijues,ajo nuk guxon të mbetet qyqe e vetmuar,e shkelur,e përbuzur,nga disa djem të papërgjegjshëm dhe disa nuse – reja,të paedukuara. Nëna shqiptare e meriton një përmendore në sheshet kryesore të qyteteve tona.Pa amësinë, shoqëria njerëzore do të shuhej, sepse,Nëna dhe Mësuesja,janë dy shtyllat edukative të kombit.

Meritat e nënës shqiptare janë të shumëta.Unë po i numëroj vetëm ca nga to:

Ruajti me guxim e urtësi, mëvehtësinë,çiltërinë dhe rrafshin ku ruhet trashëgimia,

Ruajti gjuhën,çelësin e kulturës shqiptare,

Kultivoi atdhedashurinë shekuj me radhë,në kohën e shumë okupatorëve të eger,kur dielli nuk ngrohte për të gjithë njësoj,

Nuk e mallkoi veten kurrë me carrokë nëpër këmbë,guximshëm shpërthei pritat e otomanit dhe serbomadhit,gjallëroi përtërirjen dhe shlyejti shumë huqe,që solli rropama e egër e pushtuesve të shumtë,

Shëroi shumë plagë popullit që ia solli okupatori i pashpirt,shtazarak,

Refuzoi fuqishëm grepin e mjerimit që ofroi okupatori i egër që kishte humbur arsyen,

Fjalët e nxehta valë,i flladiste me fjalë të ftohta

Vullkanin e heshtur të së keqes, kur shpërthente me kraterin e skamjes,si terr i zi që nuk njeh hak as të drejtë kurrëfare, ajo i gjente një qare,

Ajo egjrën e mbjellur të pushtuesit e neutralizonte që të mos shpërthei mes nesh,

Asaj nuk i pëlqeu uniforma e zisë,përkundrazi ajo krenohej për dëshmorët e vrarë kundër okupatorit,në luftë për liri e pavarësi,

Ajo ishte kundër bahes (hobes) së smirës e lakmisë, kundër njëri-tjetrit,

Ishte kundër atyre që i fryjnë zjarrit të së keqes,që kërkonin nga femra ta ketë gjuhën e ngujuar

Ishte e bindur që fillimi i nismës së mbarë,mund të sjellë fryte të këndshme,sidomos kur i bëhet hyzmeti në praktikë,në të cilën përforcohet besimi i ndërsjellë.

Frymëzoi luftën për liri,njësim të patjetërsueshëm...

Andaj,kur ke të gjitha këto të dhëna, të pamohuehme të nënës – gruas shqiptare,për ekzistencën tonë,për paqe,liri e mirëqenie, nuk mund të durohet më ofshama e ashpër e grave,nënave shqiptare ndaj atyre që me armë zjarri shkrepin dhe vrasin gruan, pa arsye,pa kurrëfarë njerëzishmërie në prag të lindjes.Që vrasin ardmërinë e kombit.!

Njerëzit, me pezmatim reagojnë dhe pyesin: “O vrasës të pashpirt,kush do ta përkund djepin e ardhmërisë tuaj.E vrave gruan me fëmijën tënd në bark të saj!Ti nuk ke vend në këtë jetë, as në ahiret:as në ferr as në xhenet!Çave lisin që e ruaje për dërrasa varri. Rrallove kombin dhe çove në vend kërkesën e armikut tonë shekullor.Mohove ndërtimin dhe rindërtimin e vendit.U bëre personazh i urrejtur i fjalëve të mbarë popullit duke të përkujtuar si kanibal për tragjedinë që bëre, që nëpërkëmbe sofrën dhe bartsen e stafetës së jetës...”

“O njerëz, të rinj e të eja, kthehuni përsëmbari! Inati,mëria dhe xhelozia janë tipare të djallit. Përçarja sjell vrasje.Të bashkohemi meshkuj e femra për zbatim të projektit të gjallërimit tonë.Për vende të reja pune,për çerdhe të reja,për kujdes më të madh ndaj njerëzve të moshës së tretë,që dhanë asht e rrasht,e sot u harruan.

Përse vetëm tek ne kaq pikëpyetje(?) dhe pika çuditëse(!).Përse po sjellim jetë pa gëzim,përse kaq hidhërim? Nuk kemi nevojë për mjedis të zgrapcuar e qoshe të përdhosura as kthesa brrylore!Përse, vetëm ne, Parlamentin për shndërrojnë në Pallavrament?!Përse fitorja t’i përngjaj shkatërrimit,kur hapat e lirisë u maten me shekuj?!Nuk kemi fare nevojë për përçarje as për hiç çarje.S’ka nevojë të vlojë më gjaku ynë në bykun e primitivizmit. Përse shigjeta e gjahtarit smirëzi ta vrasë skifterin.Nuk kemi nevojë për kadastrën e gënjeshtrave .Përse kaq shumë fjalë të rrumbullakta,të cial po tokërlisen dhe vrasin njëri-tjetrin!

Kemi shumë nevojë për tri Orë të Bardha:1.Orën e Shtëpisë që i prin fatit,2.Orën për ecje të mbarë dhe 3.Orën e Bardhë të drejtësisë, që hap udhë e shtigje të dritës.Të tria së bashku, në harmoni,të krijojnë Orën e Bardhë, që shkundullon mjerimin,primitivizimin dhe përçarjen mes nesh..

Është koha e fundi që Ora e Bardhë,femrës shqiptare t’ia krijojë vendin që e meriton ajo.Që t’i ndihmohet njerëzisht dhe ligjërisht,sepse është investimi për të është produktiv që motivon forcat lëvizëse përpara,për punë,për besim të ndërsjellë në botën e arsyes.

Është koha e fundit,që njëherë e mirë të kuptohet, se ka kaluar koha e frazës primitive,që “femra është kafshatë e dreqit” ,që “xheneti i saj ndodhet nën këmbët e burrit”,që “gruaja e mirë vetëm dy herë ka të drejtë të lëshojë shtëpinë e burrit:kur të shkojë në të panë tek prindërit dhe kur e përcjellin në varreza”(!),që “femra është fajtore që nuk bën fëmijë apo që lind vetëm vajza,duke harruar që femra është ara e burri është fara- se çfarë mbjell korr,që “femrat janë pakicë a paaftë”! Jo,jo,ato edhe për kah numri janë afërsisht , fifti-fifti,me meshkujt,andaj duhet të vetvendosin për fatin e tyre,të kenë hise të barabartë., Dhe, zhylli i stihisë së “drejtësisë” primitive duhet të zgjidhet,në mënyrë të barabartë,pasi gjatë jetës gruaja ishte dhe është aktive,që ngjalli shumë oxhaqe,krijoi familje,me një fjalë ishte shpirti i shtëpisë.Nëna shqiptare kishte forcën e afrimit dhe tubimit familjar.Një fjalë e ëmbël e saj ngrohte burrin tre muaj dimër.Është koha, që edhe ndër ne,Dielli duhet ta ngrohë njësoj si burrin ashtu edhe gruan.Është koha të ecet me kohën,të bëhemi hise e saj që ndryshon mote e zakone, në të mirë të popullit të vyeshëm.Valët e lirisë s’ka kuptim të rezervohen vetëm për meshkuj.Nuk është këtu fjala për hyrjen e femrës në sferën e mashkullit, sepse,në jetë, secili ka sferën e vet,por fjala është për një jetë të përbashkët,të barabartë.

PËRFUNDIM

Pra,Gruaja,kjo qenie e shenjtë,nuk guxon të keqpërdoret,të rrahet apo të maltretohet në asnjë mënyrë,e mos e dhashtë Zoti, të vritet me armë zjarri apo me ndonjë mjet tjetër.Edhe pse vrasja çnjerëzore e dhjetorit të këtij viti,solli reagime të shumta dhe preki moralisht mbarë opinionin, është koha që shteti ligjor të marrë masa adekuate, që tragjeditë e tilla,të ndalohen,të sanksionohen dhe të mos përsëriten.(04.12.2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat