Na patën thënë ata...

Kultura

Na patën thënë ata...

Nga: Zymer Mehani Më: 21 janar 2023 Në ora: 10:44
Zymer Mehani

Ata me tjetër gjuhë
Dhe tjera zakone
Na patën shkelë vatrat
Këtë tokë stërgjyshore

Me gjuhë të nëpërkës
Na patën kërcënuar:
-Do t’ju zhdukim fare
O racë e mallkuar!

-Do t’ju qesim fare
Juve farë e fëlliqur
E racës shqiptare
E sojit të prishur!

Na patën thënë ata:
-T’gjithëve do t’ju varsim
Të vegjël e të mëdhenj
Me armë do t’ju godasim!

Ata na patën thënë:
-Do t’ju dëbojmë matanë!
Me fis e me farë!
O të zinj shqiptarë!

Duke na ndjekur na shanë
Na prenë dhe na vranë:
-Këtu është djepi ynë përherë
Kjo tokë për ne ka vlerë!

Na goditën pa u patur hakën
Na plagosën dhe na përgjakën
S’patën mëshirë aspak
Fushat na i bënë lumëgjak

Kudo të armatosur
Shëtitën me karvan të krimit
E sytë u xixëllonin
Prej mllefit e zemërimit

Bënë e çfarë nuk bënë
Shkuan në thikë dhe gruan shtatzënë
E vranë dhe të hasretit vëlla
Kudo mbollën hata

Shkatërruan dhe dogjën
Masakruan e poqën
Dhe kullat na i shembën
Na e shtuan dhembjen

Motrat na i dhunuan
Nënat na i poshtëruan
Na i vranë baballarët
Varre na i bënë ugaret

Na përzunë matanë kufijve
Na shpërndanë nëpër botë
Nga vatrat stërgjyshore
Nga kjo tokë arbërore

Por, prapë u ngjall ky popull
Nga hiri si feniks
Prej pushkëve çlirimtare
Prej zemrave të U Ç K-s

U ngjall Shaban Jashari
Ademi me Hamzanë
Dhe Komandant SANDOKANI
Një porosi hasmit ia dhanë:

-Ju të Karpateve bisha
Vetëm mundoheni kot
Nuk vritet kurrë liria
Se ky vend ka zot

-Edhe nëse deti shterret
Edhe nëse qielli bie përdhe
Kurrë Kosova s’merret
Se zot i dalim ne!

Ushtria Çlirimtare
I qiellit tim- Ylber
Solli rreze lirie
Zhduku terr dhe tmerr

Vargani i lumëgjakut
Këtë tokë që e ujiti
U shndërrua në lulëkuqe
Arbërie, Iliriku

Errësira dhe mynxyra
Në rreze lirie u kthye
E trualli ynë i përgjakur
Po vezullon i përflakur

Flamuri kombëtar
Me shqipen dykrenare
Po valon krejt i lirë
Mbi ty, Kosovë Shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat