Një katarsis me thumba të këndshëm

Kultura

Një katarsis me thumba të këndshëm

Nga: Driton Gashi Më: 24 janar 2023 Në ora: 18:48
Libri

„Satiristi i mirë nuk mundet të peshojë, ai duhet të godasë“- shkruan gazetari, publicisti dhe shkrimtari i njohur gjerman Kurt Tucholsky në librin e tij „Fromme Gesänge“ (Këngë të devotshme“), botuar në vitin 1919.

Ky përkufizim i këtij autori të veçantë të letërsisë gjermane vlen padyshim deri në ditët e sotme: „Satira nuk duhet t'a kursejë askend, por të qëllojë secilin, nëse pretendon të jetë e mirë. Asaj i duhet provokimi, ekzagjerimi dhe thyerja e tabusë.“

Kurt Tucholsky me veprën e tij gjeniale më ra ndërmend duke lexuar librin e sapobotuar të poetit, publicistit e gazetarit tonë të madh Faruk Tashollit „Akademia e zuzarëve“. E mora para ca ditësh dhuratë nga autori dhe nuk kisha durim pa e lexuar me një frymë, me shumë emocione e me shumë të qeshura.

Një kënaqësi e vërtetë!

Një katarsis!

Një reflektim për fenomenet jo të mira që na përcjellin neve si komb këto vitet e fundit.

Një distancim emocional, duke i parë e përshkruar zhvillimet politike e shoqërore me një sy kritik, me një humor të këndshëm thumbues dhe me mjeshtërinë e duhur të një analize të thellë shpirtërore, në veçanti të të metave tona si komb.

Të shkruash në zhanrin e satirës, do të thotë të poesdosh ndjesinë e duhur artistike të nivelit më të lartë dhe të jesh në gjendje që mllefin që ke brenda ta shndërrosh në humor. Gjermanët pohojnë se satira është „Königsdisziplin“ (disiplinë supreme) e të bërit art. Kjo aftësi e të shkruarit në fakt nuk mund të mësohet në shkollë ose në universitet, ose e ke dhuntinë nga natyra ose jo.

Faruk Tasholli dëshmon në këtë libër se si autor me përvojë tashmë ka arritur kulminacionin e tij prej krijuesi, duke argëtuar dhe thumbuar lexuesin me ironinë dhe sarkazmin e tij si për shembull në poezinë „Jemi popull fantastik“:

(...)

„Jemi popull rrimë nën hije,

kampion për kangë trimnie,

fluturojmë bre sipër reve,

tavolinave t'kafeneve!“

(…)

Ose me goditjet e forta në poezinë „Cirku politik“:

(…)

„Majë maleve t'Sharrit ç'po bie një tupan

A mbet kush n'Kosovë pa u ba politikan?

Sa për këtë zanat nuk duhet aq punë:

Kur bahet ai tjetri, pse s'e provoj unë?!

Ma mirë me m'thanë thiu se qe ky i ngrati

Gjithmonë mbret i botës mbeti vetëm fati!

A të shajnë gazetat e televizori

Po cilin prej marres jashtë e qiti vorri?!

(…)

Fenomenin e mizogjinisë tek shqiptarët Faruk Tasholli e përshkruan si vijon:

Burrni nëpër oda

Mos iu pickoi grajzi, nuk e tha veç hoxha:

„Gratë janë për kuzhinë e burrat për oda“!

Mirë kanë folë të mençmit: Kajtja ka korinë!

Shqiptarët në oda ndalën historinë!

Burrat musteqoka, burrat mejkërrgjatë

u mbyllën në oda vendosën për gratë,

vendosën për çikat me ka me çu dashni

kur me shku te burri kur m'u kthy n'gjini!

(…)

Përzgjedhja e temave nga autori duket të jetë e shumëllojshme. Por më shumë bie në sy përqëndrimi ke politika, si për shembull krekosja e politikanëve „me kravata rozë“, korrupsioni, paaftësia e tyre për të punuar si duhet, për të marrë vendime të dobishme për shoqërinë dhe për të çuar gjërat e rëndësishme përpara.

Jo vetëm politikanët, por edhe ne të gjithë e gjejmë veten pak a shumë në disa poezi, ndoshta edhe skuqemi pak nga turpi për disa të meta që kemi dhe me të cilat na konfronton Faruk Tasholli:

Lavdatat e tepërta që ja bëjmë vehtes sonë ose njëri-tjetrit.

Mbilartësimi i kombit tonë.

Xhelozia ndaj njëri-tjetrit.

Të qenit gjithmonë në rolin e viktimës dhe ikja nga përgjegjësia.

Joserioziteti në punë.

Përtacia.

Humbja e kohës së vlefshme.

Mendësia e stërvjetëruar.

Patriarkalizmi dhe mizogjinia.

Me të gjitha këto tema lexuesi ballafaqohet dhe argëtohet gjatë leximit të librit, por në disa raste edhe e qeshura i ndalet në fyt, pasi që autori ia arrin qëllimit të tij, si sensibilizimin për dukuritë negative shoqërore dhe demaskimin e botëkuptimeve rurale dhe mikroborgjeze, të cilat me dekada ose shekuj të tërë na përcjellin si komb.

Poezia satirike të argëton, të thumbon dhe nganjëherë edhe të dhemb.

Kurt Tucholsky, i cili nuk ka lejuar që t'i ndalohet shprehja e mendimit të lirë dhe për një kohë të gjatë ka jetuar në ekzil në Francë dhe në Suedi, zhvillimet politike dhe shoqërore në Gjermani i ka përcjellur nga distanca. Nga perspektiva e intelektualit të mërguar ai ka marrë pjesë aktivisht në diskursin publik në atdheun e tij dhe ka lënë pas veprat e tija të çmuara letrare, të cilat tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore gjermane.

Edhe ne shqiptarët duhet të jemi krenarë që kemi intelektualë të kalibrit të Faruk Tashollit, i cili emocionalisht kurrë nuk është shkëputur nga Kosova. Në Aachen të Gjermanisë, një qytet me kulturë dhe traditë të lashtë, autori jeton dhe është integruar mirë tash tridhjetë vite. Ai shkruan poezi, prozë, publicistikë, satirë dhe tekste këngësh të njohura për këngëtarët më të mirë shqiptarë. Gjithashtu angazhohet në avansimin kulturor të komunitetit shqiptar.

Uroj që libri të ketë rrugëtim të mbarë, të lexohet sa më shumë nga të gjithë brezat dhe të nxirren mësimet e duhura. Autorit i uroj nga zemra shëndet e shumë suksese dhe e falënderoj për emocionet dhe kënaqësinë që na dhuron.

Faruk Tashollit

Akademia e zuzarëve

Poezi humoristike-satirike

LENA

Prishtinë, 2022

ISBN: 978-9951-29-184-2

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat