Poeti që digjet si qiri për dritë e ngrohtësi

Kultura

Poeti që digjet si qiri për dritë e ngrohtësi

Nga: Rizah Sheqiri Më: 26 janar 2023 Në ora: 17:46
“Qiriu i Naimit”

Në kuadër të aktivitetit të botimit të librit shqip në mërgatë Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås të Suedisë sot për sot prinë në mërgatë në ketë drejtim dhe është për tu adhurar puna e këtyre prezentuesve të kultures, gjuhës dhe letësisë shqipe në mërgatë. Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri me poezi, botuar nga QKSH Migjeni në shtypshkronjën e shtëpisë boptuese Lena Graphic në Prishtinë

Adem Pllavci: “Qiriu i Naimit, poezi QKSH “Migjeni” Borås

“Qiriu i Naimit” është një përmbledhje me poezi për atdheun,vujtjen, mallin, dashurinë dhe përballjen e njeriut me vështirësitë e jetës. Janë këto vargje të sinçerta për jetën në atdhe e në mërgim, për lirinë e dashurinë, për kujtimet, për historinë familjare, për hallet e brengat e përgjithshme dhe personale, për ëndrrat dhe për shpresat që burojnë nga shpirti i një poeti mërgimtar të cilin, rrugëve të botës, e kanë përplasur pamëshirëshëm valët e tërbuara të jetës. Këto stuhi të tërbuara malli, vuajtje e dhembje të përherëshme të jetës, për fatin e keq, nisin atëherë kur poeti detyrohet të braktis vendin e tij të lindjes. Fatkeqësinë e ikjes nga atdheu e përjeton rëndë çdo njeri, por më shumë se kushdo tjetër e përjeton vetë poeti, i cili me çdo kusht mundohet ta përballojë, ta tejkalojë e ta mbijetojë këtë gjendje.

Poeti Adem Plavci, siç e shpreh edhe ai vet, i ngan “Qiriut të Naimit” që vazhdimisht “digjet” që t’i ngrohë dhe t’u jap dritë gjithë shpirtërave të vuajtur nga dhembjet e brengat mërgimtare, kudo e cilëtdo qofshin ata.

Pra, këto vargje, para së gjithash, ju drejtohen bashkëvuajtësve të tij të cilët, sikur vet autori, treten rrugëve të botës si mërgimtarë:

… Kam ndriçuar dhe ju kam dhënë dritë

edhe natën jua kam bërë dritë,

të keni dritë për të lexuar

e të shihni për të shkruar,

kam ndriçuar, njëri- tjetrin për ta parë

ndonjë fjalë së bashku për ta ndarë.

(“Qiriu i Naimit”)

Kush më shumë se poeti e ndjenë dhe e përjeton vuajtjen, dhembjen dhe përbuzjen e tëhuajsisë rrugëve të botës, brengë kjo për çdo refugjat dhe të cilën poeti Pllavci, në vargjet e tij e shpreh me ndjenjën e thellë të dhembjes:

Ndonëse jam me ngjyrë

me emër e mbiemër më thirr

e jo në tjetër mënyrë.

(“Ndonëse jam pak me ngjyrë”)

Poeti është i lodhur nga paragjykimi, përbuzja dhe nënçmimi, prandaj në mënyrën më të njerëzishme e ngritë zërin kundër kësaj dukurie të cilën ai e përjeton shumë rëndë. Në poezinë e tij ai bën një konstatim në formë thirrje e lutje për të gjithë që ta shohin e ta gjykojnë njerëzisht si njeri dhe pa paragjykime. Ai, brenda këtyre vargjeve, e ndjej tek thotë: më shih në sy se edhe unë jam si ti njeri, dhe:

Ndonëse jam pak me ngjyrë

kam zemër të bardhë

jam njeri i urtë dhe i mirë.

(“Ndonëse jam pak me ngjyrë”)

Poeti e parandjen dhe është i bindur se përkundër të gjitha vuajtjeve, dhembjeve përbuzëjeve e ligësive do të vijnë ditë më të mira për atë dhe për të gjithë bashkëvuajtësit e tij:

Zemra duron zjarrin

edhe pse ngadalë po e djeg.

Syri e mban lotin

edhe pse plaga dhemb,

i drejti pranë të këqinjve

aspak frikë nuk ndjen.

E mira mund të vonojë,

por ndonjëherë do të na vjen.

(“I drejti pranë të këqinjve”)

Për poetin mërgimtar Adem Pllavci, ngado që të shkoi vendlindja e tij është mbi të gjitha; është qetësia shpirtërore, është kënga, shpresa dhe ëndrra:

Po më pyetët mua për shtetin më të bukur në botë…

Ai është atdheu im, me emrin Kosovë!

Aty më pushon shpirti, sa herë që shkoj!

Aty ku i lirë flas e këndoj,

aty ku edhe në shqip ëndërroj.

( “Mërgimtari” )

Pra, përkundër të gjitha vuajtjeve e dhembjeve, poeti mërgimtar në vargjet e tij ëndërron dhe shpreson për ditë më të mira. Edhe pse ai vet duron e digjet si qiri, me urtësinë e tij do që të dritëroi e të shpërndajë shpresën për një të ardhme më të mirë, plot ngrohtësi e dashuri për bashkëvuajtësit e tij dhe për çdo njeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat