Poezia që thyen grilat e heshtjes

Kultura

Poezia që thyen grilat e heshtjes

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 25 mars 2023 Në ora: 13:50
Mehmetali Rexhepi

Gjithnjë ka një dashuri poetike pasioni për leximin dhe përjetimin e tekstit të njëmend poetik, qoftë poezi, vargim ose prozë me pleksje poetike. Mirëpo, dashnorë të poezisë do t`i konsideroja ata, që dinë t`i rikthejnë në përvjetorë autorët e mirëfilltë të artit poetik.

Në këtë përvjetor poeti Rexhep Elmazi në Gjilan nuk është rast, por figurë vijueshëm e nderuar dhe, do të duhej të nderohej në përshkallëzimin tonë kombëtar, madje dhe të përkthehej në gjuhë të huaja.

Poetit Rexhep Elmazi në të gjallë, me gjithë ndërhyrjet e censurës të pushtetit jugosllav, iu mundësua t`i botohej vetëm libri i parë “FRYMËMARRJE” nga SHB Rilindja, në Prishtinë, më 1972, në edicionin “Libri i parë.” Ndonëse një trajtim të tillë Ai nuk e meritoi?! Meritonte t`i botoheshin edhe vëllime të tjera, gjithsesi pas atij vëllimit të parë, mjaft të cunguar. Në njërin nga takimet e rastit, si njëri nga adhuruesit e Tij, pyetjes time: - Rexhë a po shkruan? Rexhep Elmazi i qe përgjigjur me modestinë që e karakterizonte:

“-Nuk e di a po iu pëlqejnë çka po shkruaj unë?” Mandej, Ai pohoi:

“-Kam shkrime edhe për dy vëllime të tjera me poezi, më të mira se ai i pari.”

Pas vrasjes tragjike me paramendim nga UDB-ja, likuidimit fizik të Tij iu ngjit edhe një shkas komprometues, që u avullua sapo u bë publik. Gjilanasit e dinjitetshëm e njihnin bashkëqytetarin e tyre Rexhep Elmazin. Likuidimi fizik i këtij personaliteti u organizua për shkak të rritjes së ndikimit intelektual e atdhetar, me ndjeshmëri kritike dhe, reflektimit Tij përmes vlerave të artit letrar në mjedisin ku jetoi dhe veproi.

Nga miq e dashamirë të poetit, nën përkujdesjen e shkrimtarëve: Beqir Musliu, Zeqir Gërvalla, Musa Ramadani, Ramadan Musliu... Kishin mëtimin për gjithëpërfshirje të poezive të shpërndara gjithë andej, në revista e periodikun letrar të kohës, Rexhep Elmazit iu botua vëllimi poetik “FRYMA”, nga SHB Rilindja, më 1993. Së voni Profesor Dr. Anton Nikë Berisha përmes SHB “Beqir Musliu” në Gjilan, nga tërësia e opusit dhe e krijimtarisë, që i kishte shpëtuar syrit zhbirues të censurës shtetërore serbe, përzgjodhi 66 poezi, sipas shijes e kriterit tij, që u botuan në vëllimin “PSHERËTIMA SHIU”, më 2018. Parathënien për librin me përzgjedhje poezish e shkroi përzgjedhësi i poezive, studiuesi e shkrimtari Anton Nikë Berisha.

Tashmë, edhe me këtë vëllim poezish të përzgjedhura, mund të pohojmë se iu kemi përafruar përkufizimeve, ngërthesave të artit poetik të poezisë së Rexhep Elmazit, për shumëçka e veçantë.

Padyshim pohimin tim dua ta përtrollis përkitazi qasjeve e referencave, që iu bënë poezisë së këtij poeti, por pa i shmangur edhe pleksjet jetëshkrimore të poetit. Penat që shkruan për poezinë e Rexhep Elmazit, disa sish mund të mos ishin krejtësisht të profilizuar si studiues e kritikë letrare, por mes tyre kishte edhe qasje të thelluara dhe me kompetencë vështrimesh, shqyrtimesh, veçimesh e zbërthimesh analitike. Madje, kur e kur pati paraqitje artikujsh përgjithësues, me elemente të shumta biografike, si dhe rrokje të veçanta për opusin poetik, për motivet, për ideshmërinë, pasqyrime fragmentare, këndvështrime porosish, recensione, përpjekje për t`ia zbërthyer enigmat, ndjeshmërinë e hollë, mallin, anën ritmike, përbërësit figurativë, etikën dhe estetikën, gërshetimin e jetëshkrimit me poezinë...

Mund t`i radhisim këtu, sipas kronologjisë kohore, morinë e autorëve, të cilët shkruan, që nga dalja e vëllimit të parë të autorit Rexhep Elmazi, titulluar “FRYMËMARRJE”, në Prishtinë, më 1972 e këtej: Jusuf Gërvalla, Ali Aliu, Teki Dervishi, Agim Vinca, Jakup Ceraja, Rushit Ramabaja, Beqir Musliu, Ramadan Musliu, Zeqir Gërvalla, Rexhep Qosja, Rafet Bajrami, Mehmetali Rexhepi, Shefik Shkodra, Hasan Bunjaku, Tahir Arifi, Anton Nikë Berisha...

Secili nga këta autorë shkrimesh trajtuan poezinë dhe personalitetin atdhetar e njerëzor të Rexhep Elmazit. Për kaq sa dihet deri më tash, studimi i shtrirjeve më të gjithanshme: për kredon poetike, për motivet veç e veç e në hollësi, për erotikën, vizionet poetike për atdheun, për enigmën e jetës e të vdekjes, për lirikën refleksive, mendimtare, për pleksjet e sprovave jetësore në funksion të poezisë, për shkrirjen e ideve poetike në përmasa të filozofisë e të ekzistencës, për etikën dhe estetikën, për ligësinë dhe guximin, për sakrificën e individit për idealet e përgjithshme njerëzore, për veshjen figurative të poezisë, për ndërtimin rrokjesor e ritmik të vargut, për stilin dhe frymën e ndikimit artistik, për vendin e poezisë së Rexhep Elmazit në letërsinë shqipe dhe, për-veçimin e kontributit për jetëshkrimin e këtij poeti e atdhetari, i hasim të trajtuar me kompetencë e plotësi shkencore, në librin studimor të Prof. Mr. Tahir Arifit “Poezia e Rexhep Elmazit”, botuar nga “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore” në Gjilan, më 2008.

Studimi i Profesor Tahir Arifit “Poezia e Rexhep Elmazit”, fillimisht temë diplome, pastaj e zgjeruar dhe e thelluar, e mbrojtur si temë magjistrature në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, është njëri nga studimet më gjithëpërfshirës, në diakroni e sinkroni dhe i argumentuar me objektivitet të plotë, pas gjurmimesh, të pothuajse gjithçka, që është shkruar dhe folur për poezinë e poetin Rexhep Elmazi.

Në librin me përzgjedhje poezish “PSHERËTIMA SHIU” nga studiuesi e shkrimtari, Profesor Anton Nikë Berisha, i publikuar nga SHB “Beqir Musliu” në Gjilan, e cila me botime të shumta autorësh të rinj dhe të përkthyer, dukshëm po i bën nder Beqir Musliut, këtij krijuesi të përmasës, jo vetëm, kombëtare. Profesor Anton Nikë Berisha për vëllimin e përzgjedhur të poezive të poetit tragjik, të botuara në dy vëllime të mëparshme, shkroi një parathënie prej katërmbëdhjetë faqesh libri standard, duke e veçuar nismën e mbarë të këtij botimi, përmes dy nëntitujve në këtë shkrim: “Poezia si art në funksion të dyfishtë” dhe “Jeta në rrjedhën e dhunës dhe të pësimit.”

Nga një distancë kohe mbi dyzet vjeçare, Profesor Anton Nikë Berisha për poezinë e Rexhep Elmazit shkruan me një gjakftohtësi të konsiderueshme, duke iu shmangur pasionit emocional të shkrimeve të miqve të poetit. Megjithatë, edhe ky studiues shkrimin e tij, dukshëm e lidhë me jetën, komunikimin “me dukuri të qenësishme të jetës, brenda tyre edhe me vështirësitë dhe pësimet.” Po sipas këtij diskursi, vijon studiuesi: “Elmazi mendonte se edhe përmes poezisë mund e duhet t`i kundërvihet padrejtësisë, mungesës së lirisë dhe dhunës që ushtronte, në forma të ndryshme, pushteti i asokohshëm në shqiptarët e Kosovës.”[1]

Duke u përballur me rrjedhën sistematike të dhunës dhe pasojat e saj, poeti e shihte dhe ndjente pamundësinë e frymëmarrjes së lirë të njerëzve të përkatësisë së tij. Afërmendsh Atij i vështirësohej frymëmarrja. E folura e Tij, mendimi poetik, pesha e shfaqjes së trusnisë, e pakënaqësisë, e shndërrimit të saj në revoltë të heshtur, vetëdija e shqetësuar mbruhej me vargun e shfaqur përmes heshtjes. Por, heshtja nuk ngre diçka të zëshme, megjithatë ajo është lumë nëntokësor, rrjedh dhe nuk e lë krejtësisht të etur poetin. Studiuesi Anton Nikë Berisha e kap mes rreshtash këtë tipar në hije, tiparin e ngërthyer të misionit të poetit të censuruar. Andaj, kushtëzohet që porosinë e tekstit poetik ta ndërtojë me copëra, me pjesë, nën syprina. Ideja gjallëron mes rebusesh dhe, aty-këtu ngre kokë gjendja e rëndë, gjendja që lyp shtigje në poezinë e Rexhep Elmazit. Mandej, rebelimi i heshtur, duke u kujdesur për tërësinë e miqve, shtron gjakimin për gjetjen e një gjuhe të atillë poetike të stilit ngreh e mos e këput.

Në vështrimin përgjithësues të Anton Nikë Berishës për poezinë e Rexhep Elmazit, hetohen saktë përmasat e ndrydhura të nëntekstit poetik, i ngërthyer në figurat jetike, të cilat poeti me ngulmë i gjakonte si: dashuria, e vërteta, vuajtja, kënga, domosdoja e qëllimit, sakrifica. Tek dashuria e poetit ngërthehet edhe shtresimi tjetër ideor... Çfarë? Brenda dashurisë identifikohet liria, ndërsa brenda lirisë vegjeton dashuria, që në këtë tipologji poetike ndërthuren si koncepte thelbësore të qenësisë etike, etnike, filozofike, estetike dhe shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat