U botua monografia “Banulla ndër shekuj”

Kultura

U botua monografia “Banulla ndër shekuj”

Ahmet Pllana Nga Ahmet Pllana Më 29 maj 2023 Në ora: 11:14
Kopertina e librit

“Banulla ndër shekuj” që u botua ditë më parë, ku shkruhet për fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit, mund të thuhet se është një libër me vlera historike e kulturore. Libri me titull “Banulla ndër shekuj” i autorit Omer Zejnullahu, botim i Shtëpisë Botuese ProkultPress, shkruan me të dhëna faktografike për fshatin Banullë, ku redaktor është Abdullah Troshupa, recensent Ahmet Pllana dhe lektor Xhevat Ruhani.

Libri ka 285 faqe me tekst dhe fotografi. Ky libër është bërë me dëshirën e autorit dhe të banorëve të Banullës që t’u shërbejë banorëve, familjeve dhe lexuesve të tjerë, sidomos studentëve dhe atyre që merren me toponimi dhe shkenca të tjera, sepse në këtë libër gjinden të dhëna të ndryshme historike, demografike, toponomastike, gjeografike, etj. rreth komunës së Lipjanit e regjionit e në veçanti për fshatin Banullë. Duke e ditur peshën dhe rëndësinë e kësaj monografie, si historike, ashtu edhe letrare e gjuhësore, autori ka shtjelluar edhe etimologjinë dhe toponiminë e fshatit Banullë.

Libri ka të dhëna për komunën e Lipjanit dhe për fshatin Banullë, duke filluar rreth vendosjes së banorëve të parë fshatit, kronologjinë e vendosjes së tyre e deri në ditët e sotme kur Banulla ka arritur një zhvillim të dukshëm. Pra, shkruhet për historikun e familjeve, si familje bujare, të ndershme dhe atdhetare. Autori i monografisë Omer Zejnullahu është munduar në mënyrë sa më besnike t’i paraqes të gjitha të dhënat dhe shënimet që ka arritur t’i mbledh për fshatin Banullë, për familjet dhe banorët e saj. Autori është përpjekur që të gjitha shënimet të jenë të sakta dhe sipas kronologjisë kohore.

Në të janë përfshirë shumë të dhëna e fakte nga banorët e fshatit dhe familjet, të cilat e plotësojnë monografinë dhe e kompletojnë në të gjitha fushat dhe segmentet e nevojshme. Librin “Banulla ndër shekuj”, autori e ka ndarë në dhjetë kapituj, gjë që autori sistemimin e librit e bën në nivel të duhur dhe sipas rregullave të një monografie të shkruar për një vendbanim, siç është Banulla.

Kjo monografi ku janë përfshirë të gjitha familjet e fshatit Banullë që në fillim përshkruan në detaje etimologjinë e fshatit Banullë, pastaj pozitën gjeografike, demografinë, hidrografinë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën, sportin, etj. Sipas librit, Banulla gjindet në një pozitë të volitshme dhe të lakmueshme gjeografike, në një tokë të rrafshët, pjellore e frytdhënëse, si në grurë, misër, patate, pemë perime, etj. Banulla është një mrekulli për t’u parë dhe për të jetuar në të. Aq më tepër pasi që Banulla gjindet shumë afër qytetit të Lipjanit, që faktikisht është një qendër tregtare, e industrisë, arsimit, etj. Banulla ka tokë të plleshme dhe të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, por edhe të blegtorisë. Sipas monografisë, Banulla i ka të gjithë parametrat për zhvillim të duhur ekonomik. Të gjitha të dhënat në monografi tregojnë se banullasit jetojnë në kushte shumë të mira, meqë ka kushte të mira në çdo aspekt, sidomos në infrastrukturë, ku janë asfalti, ujësjellësi, kanalizimi, ndriçimi, shkolla e re, fushat e sportit, etj. Në monografi autori përfshinë edhe veprimtarinë atdhetare kombëtare që kanë zhvilluar banorët e Banullës gjatë kohërave të ndryshme.

Sidomos përmendet veprimtaria e NDSH-së dhe aktiviteti si rezistencë kundër robërimit të vendit nga të huajt, përkatësisht ardhacakët. Gjithmonë ka pasur trima dhe veprimtarë që kanë luftuar për atdheun, për shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre. Madje, kjo u dëshmua edhe në luftën e fundit që të viteve 1998, 1999 në Kosovë, ku nga Banulla ishin një numër trimash në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj, në këtë monografi autori përfshinë edhe arsimin që gjithmonë ka qenë prioritet për Banullën. Nga Banulla kanë dalë shumë kuadra profilesh të ndryshme dhe me profesione të ndryshme, duke filluar prej mësuesit, mjekut, inxhinierit, profesorit, etj. Nga Banulla ka emra të njohur që kanë gjetur pozita të mira dhe të lakmueshme nëpër institucionet e vendit, qoftë në nivel komunal, qoftë në nivel qendror. Monografia është shkruar në mënyrën më të mirë në aspektin shkencor dhe të sistemimit. Në monografi janë përfshirë dokumente, skema, skeda, fotografi, harta, etj., dhe të gjitha ato që kanë qenë të nevojshme për ta plotësuar monografinë.

Prandaj, lirisht mund të thuhet se monografia me titull “Banulla ndër shekuj” e autorit Omer Zejnullahu është e shkruar në mënyrën më të mirë dhe në nivel të duhur, ashtu siç e kërkon një monografi për një vendbanim. Monografia “Banulla ndër shekuj” është një libër me interes për banorët e fshatit Banullë ku përfshihen dhe shkruhen të gjitha familjet me emër dhe mbiemër të secilit anëtar dhe si janë pasardhësit e tyre. Mirëpo, kjo monografi nuk vlen vetëm për banorët e Banullës, por vlen dhe është me interes edhe për lexuesit e tjerë, e sidomos për studentët, profesorët, punëtorët shkencorë, bibliotekat dhe shkollat, sepse është një libër ku ka të dhëna të shumta dhe tregohet historia nëpër periudha të ndryshme kohore dhe për jetën në përgjithësi të banorëve dikur dhe sot.

Sido që të jetë, monografia “Banulla ndër shekuj” është një monografi e plotësuar dhe më se e nevojshme për t’u lexuar, sepse nga ky libër me vlera historike e kulturore, njeriu mëson shumë në çdo aspekt. Banulla e ka merituar ta ketë një monografi të tillë, siç është kjo që sot e kemi në duar. Mu për këtë arsye autori ka shumë merita për punën që ka bërë, por merita kanë edhe banorët që kanë treguar e dhënë shënime të duhura dhe të nevojshme për t’u plotësuar monografia. E meriton të falënderohet autori Omer Zejnullahu për angazhimin e tij në mbledhjen e materialeve dhe të dhënave, për shkrimet dhe kontributin që ka dhënë për ta realizuar këtë libër monografik. Autorit i dëshirojmë suksese që të shkruajë monografi për ndonjë vendbanim tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat