Vargje për brengat e përditshme të mërgimtarit

Kultura

Vargje për brengat e përditshme të mërgimtarit

Nga: Fetah Bahtiri Më: 27 tetor 2024 Në ora: 19:37
Foto ilustrim

Në dorë e kemi dhe me vëmendje e shfletojmë një përmbledhje me poezi të autorit Zeqir Kurti, e cila ka 180 faqe dhe ngërthen gjithsej100 poezi.

Përkah struktura, poeti e ka ndarë librin në pesë kaptuj, si vijon: Poezi për vendlindjen, Poezi për familjen, Poezi atdhetare, Poezi për mërgimin dhe Poezi me tema e motive të ndryshme.

Që në fillim më duhet të cek se, në aspektin struktural, redaktues, lektorues dhe renditjen e materialit, vërehet puna e një dore fort të vyer redaktuese (Zymer Mehani), gjë që ia shton vlerën e përgjithshme të librit.

Në kapitullin e parë me titullin “Poezi për vendlindjen” lexojmë vargje për Mitrovicën e cila është qytet shumë i bukur, por që momentalisht është i sakatosur sepse i huaji vendosi ta ”ndajë përgjysmë tek Ura”. Përmenden disa nga lagjet e qytetit si dhe të gjitha fshatrat e komunës së Mitrovicës me ndonjë karakteristikë të tyre dhe banorët qytetin e kanë dashuri.

Një ode madhështore poeti ia kushton fshatit të tij të lindjes, Vllahisë, sepse ky është ”Vend i bukur për mrekulli”. Ai i përmend disa nga mësuesit e dalluar të fshatit të cilët ishin:

Të gjithë kolosë të arsimit,

fshatit i dhanë dituri

dhe sot kemi mësues, mjekë,

inxhinierë, intelekualë t´ri´.

Fshatit Vllahi poeti i drejtohet me adhurimin edhe për arsye se fshati ka lindur trima dhe patriotë të cilët:

vendit të vet i dolën zot.

Njerëz të mençur e dijetarë,

mbi të gjitha atdhetarë.

Autori ndan me lexuesin edhe kujtime të shumta që e lidhin me vendlindjen.

Në kapitullin “Poezi për familjen” Zeqir Kurti thur uratë për babain e nënën të cilën lindën dhe rritën dhjetë fëmijë. Vargje të bukura i kushton sidomos nënës e cila ishte themeli, shtylla dhe çatia e shtëpisë. Ai lut Zotin që t´i bekojë prindërit të cilët askush kurrë nuk mund t´i zëvendësojë dhe për arsye

se hakut të nënës

s´mund t´i dalësh kurrë.

Si duket për poetin Zeqir Kurtin idol dhe udhërrëfyes ishte vëllai i tij Rizahu i cili gjithmonë e kishte këshilluar që të jepet pas arsimit, cilën rrugë ky e kishte ndjekur ”fare pa hezitim” dhe me pasion të plotë.

Dy poezi me plot emocione autori ia kushton bashkëshortes me të cilën kishte pasur jetë martesore plot dyzet e shtatë vjet, të cilën e quan engjëll dhe pohon:

Djersa dhe puna jote

Të shndërruan në mbretëreshë.

Si e tillë që ishte, bashkëshortja e ndjerë pas vajtjes në amshim kishte lënë zbraztësi të madhe në familje.

Por, jeta sjell edhe gëzime. Gëzime dhe ëmbëlsirë për poetin janë nipërit dhe mbesat e tij bukuroshe të cilat janë të bekuara dhe i hedhen në përqafim kur ky shkon në çerdhe të fëmijëve për t´i marrë nga aty.

Pasi që autori e do shumë atdheun e tij, ai në kapitullim me poezi atdhetare ka përfshirë shumë vargje atdhedashurie. Këtë kapitull e fillon me poezinë e bukur ”Flamuri” dhe e përfundon me vargje kushtuar ”Atdhetarit shaljan”. Në të vërtetë për trimat dhe luftëtarët nga treva e Shalës së Bajgorës siç janë Isa Boletini, Kadri Bistrica, Rifat e Rexhep Dedia, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Bislim Bajgora, Rizah e Adem Voca, Bejtush Peci, Shemsi Ahmeti, Avni R. Shabani, Fatime Hetemi, Mehë Uka, Ramadan (Çerkjin) Peci, Rifat Zeneli në libër gjejmë shumë vargje të bukura. Autori i kushton vargje të bukura edhe familjes legjendare të Adem Jasharit, Drenicës dhe të gjitha viseve të Dardanisë kreshnike dhe Kosovën e quan:

Moj toka e Kosovës,

toka e nënlokes,

moj toka e gjakut,

……

Rininë që e ke,

çdokush ta lakmon.

Kosovë, gjaku i tyre

emrin ta lartëson.

Pasi Zeqir Kurti është vetë mërgimtar dhe jeton e vepron në Suedi, ai e ka kuptuar fort mirë mërgimtarin dhe me tone autobiografike shfleton vargje të bukura më mërgimin, hallet e mërgimtarëve, fëmijët e tyre, preokupimet, të cilët përditshmërinë e kalojnë me brengat për Kosovën, atdhedashurinë dhe me dashurinë për familjarët në në mërgim e në atdhe, gjuhën e nënës, traditën kombëtare. Duke kuptuar mirë peshën e mërgimit, ai poezinë ”Mërgimi” e fillon me vargjet të cilat ia gërryejnë zemrën she shpirtin e tij:

Fjala mërgim është e thatë,

më e rëndë se fjala mërgatë.

Të mërgojë njëri s´është çudi,

por një popull, tragjedi.

Jo vetëm mërgimi është një barrë e rëndë në shpirtin e Zeqir Kurtit, por edhe disa fenomene të jetës bashkëkohore ”krejt falco” dhe ai proteston:

Ç´u bë kështu, ç´është kjo jetë?

Më duket mua, se s´është e drejtë.

Nuk po bëhet një jetë normale,

tash krejt jeta po bëhet bizare.

Nëse e bëjmë një vështrim teorik të cekët të kësaj përmbledhjeje të poezive të Zeqir Kurtit, vërejmë se shumica e poezive të tij janë të shkruara gati rregullisht me vargje standarde tetërrokëshe, shtruar shumica në strofa katërvargjëshe.

Një muzikalitet të rrjedhshëm vargjeve ua jep rima pothuajse e rregullt e cila ua lartëson vlerën vargjeve të tij të thurura me një gjuhë të pastër, të rrjedhshme dhe të këndshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat