Rikthimi i Presidentit Ibrahim Rugova në Kosovë, më 15 korrik 1999, ishte dëshmi faktike se Ai ishte kidnapuar në Rezidencën e Tij dhe ishte mbajtur peng përdhunshëm. Dëshminë e Rugovës në Hagë, kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, miku im i mësuesisë dhe burgjeve politike, Kadri (Os)Mani, e botoi në librin "Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë". Demantoi bindshëm të gjithë lukuninë lehaqene, akuzuese dhe shpifëse të LPK-së së djeshme, alias PAN-it të sotëm.
Autori i librit "Rugovën, si e kam njohur", Gani Mehmetaj, duke qenë drejtor i "Bota Sot dhe "Dardania Press", në kontakte të çdo ditëshme me botën intelektuale, akademike, zyrtarë e njerëz publikë, shkruan për veprimet dhe karakteret e tyre. Në veçanti, flet për "komandantët" mujsharë e fodullë, xhahilë e kriminelë, të zhveshur nga morali, tradita dhe, mbi të gjitha, nga ndjesia njrëzore. Realisht, nuk ishin përballur me luftën kundër pushtuesit dhe e kompensonin këtë mangësi me torturimin, maltretimin e deri me vrasjet e atyre që i konsideronin si kundërshtarë politikë.
Vërtet, Adem Jashari nuk ishte ushtarë i UÇK-së, por ishte ushtar i Atdheut, ashtu siç nuk ishte përballje dhe qëndresë e UÇK-së ngjarja tragjike e tre ditëve të marsit 1998 në Prekaz, por vetëm e Familjes Jashari, me dajën Osman Geci. "Në gjallje ai e kishte quajtur -Komandant- Presidentin Rugova. Luftëtarët ishin të pakët, por, pas luftës ata që veshën uniformën e UÇK-së u dhjetëfishuan, e kishin pronësuar varrin e Adem Jasharit. Me emrin e tij morën pushtetin, bënë pasuri, zhvatën pasuritë kombëtare. Me sjelljet e tyre kriminale e rrugaçërore ishin të gatshëm të nxisnin luftë qytetare, civile! Ata që e lanë në baltë Adem Jasharin gjatë luftës, e ngrinin në qiell në kohë paqeje",- thotë autori!
"Kronika e vrasjeve të paralajmëruara", e titullon autori përgjakjen, njollosjen e luftës në Kosovë, me rrëmbime, arrestime, burgosje maltretime, deri në vrasjen serike të kundërshtarëve politikë. Kjo metodë e huazuar nga Enver Hoxha, me partizanët e tij kriminelë, të cilët luftën çlirimtare e konvertoi në luftë civile në Shqipëri. Këtë e ka faktuar edhe historiani amerikano-kanadez, në seminarin dy ditorë, pak vite më parë, të mbajtur në Durrës, me temën: "A ka bërë Shqipëria luftë çlirimtare apo civile?!" Falsifikuesit e historisë shqiptare bënë sikur u habitën me pyetjen e shtruar për diskutim dhe, dëshpërueshëm, provuan ta mbrojnë, kinse, luftën çlirimtare.
Por, organizatori, i cili kishte mbrojtur disertacionin, pikërisht, për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, Robert, shtroi pyetjen e dytë: "Argumentoni, qoftë edhe me një betejë të partizanëve të Enver Hoxhës, të bërë kundër pushtuesve italianë apo gjermanë?" Belbëzimet e falsifikatorit të historisë, Dr. Paskal Milo, me kolegët e tij, nuk arritën të sjellin asnjë betejë faktike! Atëherë, studiuesi i specializuar amerikano-kanadez sqaroi: "Unë ju faktoj me dhjetra beteja të partizanëve të Enver Hoxhës, të bëra kundër nacionalistëve shqiptarë, respektivisht, të "Ballit Kombëtar" dhe të "Legalitetit". Pra, Shqipëria bëri luftë civile dhe e vetmja nuk gëzoi reparacionet, dëmshpërblimin e luftës të pabërë, edhe pse, formalisht, ishte pjesë e Aleancës fituese të luftës."
Edhe pse autori Mehmetaj, për hirë të etikës, nuk e thotë troç se Shqipëria e Enver Hoxhës ushtroi fashizëm tipik mbi shqiptarët e Shqipërisë londineze, për afro gjysmë-shekulli. Këtë fashizëm e ushtruan "komandantët" pa ushtarë, shqip-folës, por me banda të bollshme. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme juntë ushtarake e "gjeneralëve" të vetëshpallur, Kosova do të bëhej fashiste, krejt njësoj si Qeveria Komuniste e Socialiste e byroistëve të Enver Hoxhës. "Komandantët" donin një parti, një prijës, një televizion, një gazetë dhe një mënyrë e të menduarit! Nisën përpilimin e listave emërore të likuidimit fizik. Luftën e pronësuan, shtetin e privatizuan, edhe me të vdekurit bënin dhe vazhdojnë të bëjnë kapital politik", shkruan autori!
Për likuidimet fizike politike eksponentët e LPK-së përgaditën logjistikën, që UDB-a të ekzekutonte disa veprimtarë atdhetarë në Mërgatë, në vitet `80-a dhe 90-a. E vazhduan në Tiranë, me vrasjen e zëdhënësit të UÇK-së, gazetarin Ali Ukaj, shefin e logjistikës të LPK-së, Ilir Konushevcin, Dr. Hazir Malaj, kontraktorët e kampeve ushtrimore, Rushit Elezi, kuksjan, Muharrem Tafa, tropojan, së bashku me Qazim Jakupin, instruktor. Furnizuesit me armë dhe materiale tjera për luftëtarët e Kosharës, Rexhep dhe Ibrahim Nikçi, oficerin Sadri Ramqaj, ushtarakët e FARK-ut, duke kulmuar me ekzekutimin e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe kuadro të tjerë, gjithnjë në koordinim me zyrtarët e lartë social-komunistë të Tiranës. Me vrasje e terror uzurpuan pushtetin dhe me krime vrastare donin ta mbanin atë, përdhunshëm e përgjakshëm. Janë shumë qindra vrasje cilësore, kuadro e veprimtarë të LDK-së, por edhe brenda llojit, pra, të LPK-së.
Lista është e gjatë, por autori Mehmetaj përmend me emër vetëm disa syresh: Haki Imeri, një intelektual i kompletuar, arsimtar dhe veprimtar të LDK-së; Shaban Manaj, avokat i shquar dhe kandidat për kryetar të komunës, i marrë nga shtëpia, i torturuar deri në mbytje dhe i djegur, njësoj si soldateska e Millosheviçit; gazetarin e luftës Shefki Popova. "Agime Kotorri nga Peja rrëfen: Në një natë të errët ia behu në shtëpinë tonë njeriu me maskë, shkrepi disa plumba mbi burrin tim, Shkëlzenin dhe ia mbathi pa ferrë në këmbë",- shkruan autori. Veprimtari i shquar i LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, Fetah Rudi, i plagosur rëndë, i mbijetuar, por i mbetur, përjetësisht, në karrikën invalidore.
Profesori i Gjimnazit, Sinan Gashi, miku i autorit dhe i imi - njëherësh, nga fshati Arllat i Drenicës, kryetar i Degës të LDK-së në Gllogovc para luftës; redaktor i kulturës në "Bota sot", shkrimtar, publicist, hartues monografish, studiues i zellshëm, botues i tej 20 librave, tregon për fatin e tij tronditës: Policia serbe më torturoi gadi për vdekje, duke më shkaktuar humbjen e njërit sy; "policët" shqiptarë, me maska, të Drenicës, më dëmtuan syrin tjetër. "Më së rëndi më vinte kur dëgjoja zërin e ish-nxënësit tim, tek përpiqej të më mbyste", sepse nuk donte të hiqte dorë nga Rugova! Njeriu i letrave, qëndrestari fisnik, Sinan Gashi, edhe pse, tashmë i verbër, vazhdon të krijojë, por, i ndihmuar, teknikisht, nga nipër e mbesa!
Vrasja e Xhemail Mustafës, më 23 nëntor 2000, shkrimtar dhe këshilltar i parë i Presidentit Rugova, punonjës në QIK, nuk ishte e para, por më tronditëse në Kosovë. E priste atentatimin, por nuk tërhiqej, ndërkohë që i sugjeronte kolegut, mikut të tij, Gani Mehmetaj, ta ndërpriste botimin e gazetës "Dardania Press", ngaqë "komandantët" kriminelë përgjonin dhe kërcënonin. "Sepse jemi në rrezik",- thoshte me shqetësim të bazuar Xhema ynë. Në kolumnen e tij të së martës botoi shkrimin e radhës dhe të fundit: "Mallkimi i popullit nga "të mallkuarit e popullit".
Jakup Krasniqi, i deprimuar nga humbja e partisë-bandë të tij, PDK-së, fyente shqiptarët: "LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën!" "Në një bodrumm të Prishtinës, i përjetoi të 78 ditët e bombardimit të NATO-s. Libri "Një lutje për Prishtinën", është testamenti dhe dëshmia e kohës e njeriut engjëll, Xhemail Mustafa, i cili, krahas Sali Çekaj, në të gjithë sjelljen e tyre urtake, ngjasonin aq shumë me Presidentin Rugova, sikur të ishin vëllezër biologjik! Për çudë, 40 mijë trupa ndërkombëtarë ruanin Kosovën nga Serbia, ndërkohë i regjistronin vrasjet, por nuk i ndëshkonin kriminelët, edhe pse shumë syresh i arrestonin, por i lironin "për mungesë faktesh!?" Richard Hollbruck i habitur me krimet vrastare të "komandantëve", thoshte se ne kemi ardhur t´ju shptojmë nga Serbia, por nuk e dinim se duhet t`ju mbrojmë nga vetja, shqiptarët"
Autori Mehmetaj e përjetoi rëndë ekzekutimin e mikut dhe të kolegut të tij shkrimtar, Xhemail Mustafa, andaj shfrynë: "Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmës, janë bërë njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër demokracisë së brishtë". Vrasjen e tij e heshti, turpshëm, shteti shqiptar, kryeministri Majko, ministri i Jashtëm Milo, edhe Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, pothuaj se, heshti. Vetëm Bota sot" bëri detyrën e saj. Presidenti Rugova, me pikëllim të skajshëm, foli ke varri i Xhemës së tij, të Xhemës tonë, duke i mallkuar vrasësit.
Edhe Adem Demaçi foli, ai kishte një lidhje familjare: "Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhumë". Autori shprehë dyshimin: "A thua e dinte kush janë vrasësit?!" Gazetat "Bota Sot" dhe "Dardania Press", që denonconin krimet vrastare të "komandantëve", u vunë në shenjestër me vrasjen e gazetarëve Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti me shokë. Demaçi, duke kërcënuar se "keni për t`i ngrënë ato gazeta", i mori në mbrojtje "komandantët" kriminelë, me bandat e tyre ekzekutuese të kundërshtarëve politikë.
Realisht, Demaçi i aprovoi vrasjet politike. Në Konferencën në Osllo të Norvegjisë, e thirrur për bashkimin e faktorit ushtarak, LPK-në e përfaqësonte Adem Demaçi, Xhavit Haliti..., të cilët nuk e pranuan Kolonel Ahmet Krasniqin për Ministër të Luftës, edhe pse ishte propozuar e pranuar nga oficerët profesionalë të FARK-ut, ngaqë e donin një profan nga soji i tyre, LPK-së. Mbledhja dështoi, luftën e sabotoi LPK-ja. Kolonel Krasniqi u ekzekutua në Tiranë, nga "SHTAB-istët e UÇK-së" dhe shefat e Tiranës zyrtare!
Pikëllim e dhimbje shprehen familja e Xhemail Mustafës dhe mijëra shqiptarë. Çuditërisht, munguan shumë nga miqtë në varrim. Kjo fliste për një frikësim të tmerrshëm, një përgjim fashist, tipik enverist, kur lufta e klasave i diferenconte edhe të vdekurit, ceremoninë mortore e bojkotonin edhe të afërmit dhe miqtë e shtëpisë! Autori potencon se "e sfidonim policinë e Millosheviçit dhe u bënim nderime masive viktimave". Një krahasim i rëndë, por, mjerisht, krejt i saktë. Me pushtetin e "komandantëve" Rogner-istë, Kosova po fashistizohej. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Kosova do ta kishte një diktaturë komunisto-fashiste, tipike enverhoxhiste!
Vrasjet serike cilësore vazdonin: Profesor Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Latif Berisha, shkrimtar dhe kryetar i LDK-së në Mitrovicë, Bajram Kelmendi, avokat i njohur, i cili hartoi dhe dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dosjen e krimeve të Millosheviçit, me djemtë Kastriotin dhe Kushtrimin, Agim Hajrizin, sindikalist.
Autori i librit, Gani Mehmetaj, "Rugovën, si e kam njohur", e vlerëson si një atdhetar dhe personalitet shumëdimensial. Duke qenë në cilësinë e Presidentit, Ibrahim Rugova mendoi për simbolet kombëtare, Hymnin Kombëtar "Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë", Rugova e krahasonte me Simfoninë e Nëntë të Bethovenit, por që kishte edhe ngjashmërinë e këngës hymn-kushtrimi "Bini toskë e bini gegë"; "Flamurin e Dardanisë", Emblema Presedenciale dhe të tjera simbole të Dardanisë Antike.
Dizanjin e Flamurit Dardan e ka bërë Mendim Rugova, sipas mendimit të dhënë nga babai i tij, Rugovë. Ndërkohë që flamujt e Dardanisë zbukuronin kryeqytetin e Kosovës, një grup të vetëquajtur "veteranë të UÇK-së", në mënyrë kriminale e rrugaçërore, i hoqën, i mblodhën dhe i dogjën, njësoj si "turrat e librave kur i digjnin nazistët në Gjermani!" Dhe, e gjithë kjo maskaradë kriminale bëhej në prezencë të Policisë të Qeverisë të Përkohshme të Kosovës dhe të UNMIK-ut.
Ngjarjet e viteve 1999-2000 dëshmonin se terrori i komandantëve pushtetarë, ishte një - e fshehtë publike-! Edhe ata që kishin sfiduar, guximshëm, pushtetin e Millosheviçit, u dorëzuan në përballje me komandantët mujsharë, ngaqë ishin më të vrazhdët në krime. Në provë u vu edhe Kryesia e LDK-së, që dikur e rrethonin Rugovën. Ata u larguan në heshtje, pa rezistencë, madje pa e konsultuar shefin e tyre, me të cilin kishin punuar për një dekadë radhazi. Megjithatë, emblema e Rugovës e ruajti partinë e tij nga shkërmoqja. Ndërkombëtarët, bota demokratike, tashmë, njohu nulitetin, xerrësinë e "komandantëve" dhe të "gjeneralëve" të vetëshpallur. Dhe, iu kthyen sërishmi Rugovës.
Vrasjet e ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe kuadrove veprimtarë të LDK-së, ishin bërë normale. "Komandantët" vrastarë, me dosjet faktike të krimeve, me eliminimin fizik, realizoni dy qëllimet e tyre: 1) Varrosjen e dëshmitarëve, së bashku me dëshmitë e tyre faktike; dhe 2) Përvetësimin e luftës, e cila është bërë, kryesisht, nga ushtarakët e FARK-ut. Është pranuar bindshëm, se Beteja e Loxhës dhe lufta e Kosharës, legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare.
Thmeluesi i Degës të LDK-së në Rugovës; Komandant i luftës për trevën e Rugovës; deputet i Kosovës - Smajt Hajdaraj, Hero i Kosovës, gjatë luftës u ndalua dhe u kërcënua nga eksponentë të Qeverisë të Përkohshme, ndërsa pas luftës u ekzkutua në errësirën e natës, në hyrjen e banesës së tij, në Lagjën "Fidanishte" në Pejë. Vajza e tij, me qiri në dorë, meqë banda vrastare kishte ndërprerë, qëllimshëm, rrymën elektrike, kur sheh babain e shtrirë dhe të përgjakur, lëshon një britmë të pakontrolluar, polici që u ndodhë "rastësisht" aty, në fakt, monitoronte vrasjen, qorton vajzën: "Pse po bërtet, nuk është ba nami, pse është vra baba!"
Seria e përgjakjes të Kosovës vazhdoi me ekzekutimet e listuara, deri në shifrën emërore të 2000 kundërshtarëve politikë, në mes tyre edhe: ish-oficerët e luftës të Kosharës, pas luftës hetues në Prokurorinë Speciale në Pejë, Isuf Haklaj e Sabahate Tolaj, ish-komandanti në zonën e Pashtrikut, Ekrem Rexha - Drini; Ismet Rraci, Ukë Bytyqi, Shaban Manaj, Idriz Rrecaj - Haki Imeri, kuadro të LDK-së dhe drejtues komunal. Truproja i Presidentit Rugova, Besim Dajaku, plagosja e vëllezrve Geci; Gania, Shania, akademik Sabri Hamitit, Agim Veliut, Visokës dhe dhe të tjerë.
Kulmore ishte vrasja e trefishtë e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, me djalin student - Enisin dhe kusheririn Hasanin, kryetar i rinisë të LDK-së për komunën e Deçanit. Kolonel Zemaj, ushtarak profesionist, fitues i betejës së parë ballore të Loxhës, Prapaçanit dhe të tjera.
Intervistat e gazetarit Gani Mehmetaj, me Presidentin Rugova, janë vlerë e shtuar e librit "Rugovën, si e kam njohur". Përmes bisedës të ngeshme, të gjatë, me Rugovën, shpaloset angazhimi i Rugovës për pavarësinë, ndërtimin e shtetit, praninë dhe misionin e ndërkombëtarëve: KFOR-it. UNMIK-ut, OSBE-së. Vazhdimi i bashkëpunimit me qendrat e vendosjes, para dhe pas luftës për pavarësi e mbrojtje nga armiqtë lakmiqarë të tokave tona. Për politikën e jashtme Presidenti Rugova kujdesej për harmonizimin e qendrimeve me faktoret relevantë evropianë, parësi e kishte statusin e Kosovës. Rizgjedhja për të tretën herë President i Republikës të Kosovës, flet për personalitetin dhe integritetin e plotë të Rugovës.
Për "komandantët" kriminelë të Kosovës, Presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte pengesë e pakapërcyeshme, për të ardhur në pushtet. Prandaj, pasi ia ekzekutuan bashkëpunëtorët më të devotshëm dhe me besnikë, vëmendja e LPK-së së djeshme, përkatësisht, PAN-it të sotëm, u përqendrua tek eliminimi fizik i Rugovës. Disa herë projektuan atentate me karambolimin, ndeshjen e kontrolluar me makina të rënda; gjuajtjen e shtëpisë së tij me bombë; lëndë shpërthyese të dirigjuar. Prova u bë më 15 mars 2005, në rrugtimin për takimin me Përfaqësuesin për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.
Xhipi i blinduar, në rrugëtim, u përplas me shpërthimin të derigjuar të një granate. Në shenjestër ishte Presidenti Rugova. Organizimi i atentatit u bë nga një agjent i trefishtë, një "gjeneral" dhe dy argatë të tyre. Të katërt ishin të PAN-it, pas ndarjes, dy të PDK-së dhe dy të AAK. Por, skuadrat vrastare i kanë të përbashkëta. Njëri nga argatët ka rrëfyer: "Paraprakisht, kishim informacion të saktë për itenerarin që do ta përshkojë makina presidenciale. Në një shtëpi buzë rrugës, kishim zënë pusi tre veta. Në momentin e duhur, aktivizuam shpërthimin. Po të mos ishte makina e blinduar rëndë, do të fluturonte në ajër bashkë me Rugovën!" Krenar pse isha pjesë e organizimit të blejes të xhipit të blinduar, me kërkesën fisnike të Smajl Hajdaraj, Hero i Kosovës.
Megjithatë, as sot, pas 20 vitesh, askush nuk u dënua për krimin e madh, atentatin e projektuar nga "SHTAB-i i UÇK-së", Rugova i pari në l-istën për ekzekutim!? Cinikisht e turpërisht, ulurimat kriminale e rrugaçërore, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, nga PAN-istët dhe jo vetëm nga ata, janë shtuar dhe shumëzuar gjeometrikisht!? Legalizimi i marrëzisë, është degradimi, deri në degjenerim i shoqërisë kosovare. Një padrejtësi e bërë ndaj një personi në lagje, fshat apo qytet, duhet të përjetohet si padrejtësi e krim, karshi të gjithëve.
Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, është rivrasje e viktimave dhe provokim i rëndë i familjeve të tyre, i farefisnisë, miqasish dhe të shqiptarisë mbarë.
Autori Mehmetaj shkruan: "Rugova kësaj radhe shpërtheu, duke mallkuar sërish grupin që po vriste njerëz e po kurdiste atentate. Mllefi i tij qe i ngjashëm me fjalët nervoze gjatë varrimit të Xhemail Mustafës, kur i mallkoi vrasësit. "Kjo që ndodhi sot, për fat të keq, dhe falë Zotit shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft këso, tash një vit në Shtëpinë time, ky nuk është rast i vetëm",- tha Rugova.
Presidenti Rugova kishte një miqësi unike me Papa Gjon Pali II. Vatikani, si qendra botërore e katolicizmit, ndikoi shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Dardani. Nënë Tereza ishte një arsye shtesë, në miqësinë e Rugovës me Papen. Papa Vojtila polak, Vaclav Havel çek dhe Rugova shqiptar, vinin nga shtete të pushtuara, dy të parët nga Rusia dhe Rugova nga Serbia. Andaj përbënin trinomin me etje për lirinë. Papa mençurisht kishte kontribuar për pavarësimin e Polonisë së tij dhe të Çekosllovakisë të Havelit. Tani radha ishte ta ndihmojë lirinë e Kosovës të Rugovës.
Si bashkë shkollarë të mesëm, me Rugovën, mendoj se e njoh mirë atë, na lidhte përballja familjare me pushtuesin e vjetër dhe të ri jugosllav. Ai njihte historikun e rrënjëve tona. Dhe, për ndryshim nga të tjerët, shquhej si "për shpirt kristian,- siç shprehet populli. Një saudit, pas luftës, takoj Rugovën dhe kërkoj lejen e ndërtimit, hiç më pak se 3.000 xhami. Rugova e falenderoj për dhuratën e majmë dhe, mirësjellshëm, iu gjegj se "vendi im, i dalë nga lufta i shkatërruar, ka nevoja të tjera të ngutshme". Dhe, e përcolli bosh.
BIK-u i Kosovës, në koordinim me disa qendra politike islamiste, "kishte gisht" në këtë joshje të sauditit dhe e bëri namin pse Rugova e refuzoi ofërtën e tij. Mallkimi kundër të "krishterit Rugovë", ishte e vrazhdët dhe korale nga BIK-u me pak fanatikë të tij. Realisht, Rugova shpërfilli BIK-un, sepse u implikua me organizata terroriste islamike, duke mashtruar dhe dërguar djemtë e Kosovës, "mish për top" në luftërat fetare arabe, duke e implikuar edhe Kosovën, në sytë e ndërkombëtarëve.
Kur vuri gurin themeltar për Katedralën Kalotike "Nënë Tereza", në Prishtinë, BIK-u u mundua të zgjojë ndjenja përçarëse ndërfetare. Ky institucion i indoktrinuar me islamizmin fanatik, të huazuar nga rryma islamiste arabe e turke, nuk lejoi të vihej një pllakë e vogël përkujtese, në murin e xhamisë, e cila ishte ndërtuar mbi themelet e Katedralës Katolike të rrënuar! Fatmirësisht, shqiptarët e besimit islam i dinë rrënjët e para të besimit fetar të tyre dhe e mirëpritën ndërtimin e Katedralës Katolike të Kosovës. Kryepeshkopët e Kosovës Imzot Nik Prela, Imzot Mark Sopi dhe, tani, Imzot Dodë Gjergji, me priftërinjtë tjerë, ndër ta i mirënjohuri, Dom Lush Gjergji, kontribuan shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përmes Kishës Katolike të Kosovës, tek Selia e Shenjtë në Vatikan.
Autori i librit "Rugovën, si e kam njohur", Gani Mehmetaj, e përmbyllë studimin e tij të kompletuar me "Vdekja e Ibrahim Rugovës, fundi i një epoke", njeriu "me një biografi të pasur politike, letrare e intelektuale, një personalitet karizmatik që rrezatonte besim e entuziazëm ndër shqiptarët." Ceremonia mortore e Presidentit Rugova ishte unike, në dhimbjen dhe pjesëmarrjen masive, gjithë popullore, edhe pse ishte ditë dimri me acar të skajshëm. Por, armiqësia, urrejtja e "komandantëve" kriminelë e hajna zyrtarë, disa syresh edhe agjentë të shumëfishtë të Shërbimeve Informative armike të Kosovës, ndaj Rugovës, ishte e vrazhdët dhe tërësisht rrugaçërore. Komandanti horr i Gardës shtetërore, i dirigjuar nga shefat e tij zuzarë, kriminelë e rrugaçë, refuzoi nderimin mortor të Presidentit historik të Kosovës.
Mbetet pengu i madh i shqiptarëve botërorë, pse Rugova nuk e mbijetoi shpalljen zyrtare të Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ai përgaditi të gjithë infrastrukturën e kësaj Pavarësie. Akti solemn të kësaj ngjarje të shënuar, u perdhos kur, cinikisht e turpërisht, përdhunshëm e pameritueshëm, Deklaratën e Shpalljes të Pavarësisë e lexoi kryeministri, edhe pse në sallën e Kuvendit ndodheshin Presidenti dhe kryetari i Parlamentit.
Autori i librit "Rugovën, si e kam njohur", Gani Mehmetaj, ka realizuar, mrekullisht mirë, pasqyrimin e jetës dhe të veprës epokale të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës. Përcjellja në vite e dekada të veprimtarisë të bujshme të Heroit të tij dhe tonit - Rugovë, ka mundësuar të shpalosë, në sintezë, thellësinë e shpirtit të tij fisnik dhe të mendjes së ndritur, gjithnjë në shërbim të Atdheut Kosovë, me shpresë të bërjes të sërishme të Dardanisë sonë hyjnore.
Pengu personal i krijuesit letrar dhe artistik, Gani Mehmetaj, është pse nuk arriti ta realizojë projektin e tij të kahmotshëm, në gjallje të Rugovës: "Fimin Dokumentar - Ibrahim Rugova - Rilindasi i Fundit -! Megjithatë, nisma e tij fisnike është vënë në duar të sigurta. Shoqata "Sali Çekaj" në Gjermani, me kryetar Argent Ferizin dhe Kryetar Nderi Osman Ferizi, shok i armëve të heroit Sali Çekaj, me disa Shoqata simotra dhe shokë e dashamirë, do ta realizojë, gjithësesi, këtë vepër artistike, kushtuar jetës dhe veprës madhore të Presidentit Rugova.
Krejt në fund, autori Mehmetaj, sjell vlerësimet në superlativë për Presidentin Rugova, të personaliteteve vendore dhe botërore. Pothuaj se, janë të një mendjeje se pa urtësinë, këmbënguljen dhe vendosmërinë e Ibrahim Rugovës, nuk do të kishte as pavarësi dhe as shtet të Kosovës./ Fund