Zef Kolë Ndoka (Zefi i Vogël) ka qenë biri i Kolë Ndokës nga Shëngjini i Fanit. Familja e tij ishte shpërngulur e vendosur në qytetin e Gjakovës për arsye ekonomike. Aty edhe lindi Zefi i Vogël më 1883. Për fëmijërinë e tij nuk kemi shumë të dhëna. Dimë se familja e tij ishte një familje atdhetare dhe se këto ide u bartën te Zefi që në vegjëli. Në moshë fare te re ishte armatosur bashkë me vëllezërit, të cilët kishin hyrë në radhët e luftërave të lirisë, në çetat e maleve nën udhëheqjen e Bajram Currit. Bashkëkohësit e tij e quanin Zefin e Vogël trim prej natyre, luftëtar e atdhetar që e donte me gjithë shpirt vendin e tij. Zefi i Vogël, duke qenë se banonte në Kosovë, e lidhi luftën e tij me atë të luftëtarëve kosovarë. Pikërisht në Gjakovë, edhe me sugjerimin e Bajram Currit, krijoi një çetë kryengritëse, e cila me luftërat e saj heroike u bë shumë e dëgjuar në Kosovë. Ajo u bë tmerr për pushtuesit turq dhe më vonë për ata serbë. Me guximin dhe trimëritë e tij, Zefi i Vogël u bë shumë i njohur në gjithë Kosovën dhe, me të drejtë, cilësohej si një ndër udhëheqësit e çetave dhe ndër veprimtarët politikë më të shquar, jo vetëm në atë trevë, por edhe në të gjithë Shqipërinë Verilindore. Kudo dhe kurdoherë ai frymëzohej nga ideale të qarta kombëtare, propagandonte gjithnjë e pa u lodhur luftën kundër zgjedhës së rëndë të pushtuesit turk. Aktiviteti atdhetar i Zefit të Vogël zgjati me dekada por unë do të ndalem ta shtjelloj veprimtarinë e këtij trimi dhe atdhetari të shquar vetëm në kryengritjen shqiptare të vitit 1912.
Ndonëse në moshë të re, Zefi i Vogël arriti të kuptonte nevojën e bashkimit të forcave kryengritëse kundër pushtuesit turk, se pa një bashkim të tillë nuk mund të arrihej fitorja e dëshiruar dhe për ta ngulitur këtë mendim e bindje ai punoi me shumë përkushtim. Për çështjen e bashkimit kombëtar ai punoi në të dyja anët, si në Kosovë, ashtu dhe me atdhetarët e vendlindjes së tij.
Në zbatim të këtyre ideve, Zefi i Vogël ishte ndër luftëtarët që më 1912 kërkuan krijimin e një komiteti të përgjithshëm për drejtimin e gjithë veprimeve luftarake kundër pushtuesve turq dhe ishte njëri ndër nënshkruesit e parë të këtij akti. Çeta e Zefit të Vogël përbëhej kryesisht nga fandës me banim në Gjakovë e rrethinë, të gjithë besnikë të prijësit tyre. Zefi i Vogël u lidh me miqësi e bashkëpunim të ngushtë me Bajram Currin, Bajram Daklanin, Bajram Nimanin, Sali Manin, Sali Nivicen, Niman Ferizin, Asllan Currin, Mehmet Zajmin, Mark Nikoll Çetën, Preng Tuc Dodën etj. Bashkëluftëtarë të tij të dalluar ishin edhe luftëtarët e tjerë të shquar për lirinë e Kosovës: Zef Gjidoda dhe Pjetër Çeli.
Zefi i Vogël( 1883-1922)
Në rrethin e Pejës dhe të Gjakovës filluan përleshjet e armatosura më të shpeshta ndërmjet çetave dhe reparteve të ushtrisë turke. Ndeshjet e armatosura shpejt u përhapën në Vuçitërnë dhe në Llap, ku turqit e rinj agjitonin kundër Hasan Prishtinës dhe aty lindi konflikti i armatosur. Për përgatitjen e kryengritjes së armatosur krahas veprimtarisë që po zhvillonin Komiteti Qendror dhe komitetet e fshehta për në nahijen e Gjakovës dhe në kazanë e Pejës u shquan Zefi i Vogël, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti etj. Edhe në kryengritjen e vitit 1910 Zefi i Vogël me çetën e tij ishin shumë aktivë dhe qëndruan përkrah atdhetarëve më të shquar të Kosovës.
Për të siguruar udhëtimin e mëtejshëm të Komisionit për në Prizren, më 10 mars, skuadra zbulimit, e cila e shoqëronte ministrin e Stambollit, shkoi për të spastruar rrugën, e cila ishte bllokuar nga kryengritësit. Ndonëse forcave përcjellëse të komisionit u shkoi në ndihmë ushtria e garnizonit të Gjakovës, ajo u sulmua nga dy çeta të mëdha shqiptare, që drejtoheshin nga Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani. Beteja që u zhvillua afër fshatit Bishtazhin ishte shumë e rreptë dhe zgjati katër orë. Ushtria turke përdori edhe topat dhe pushkëmitralozat. Megjithatë, ajo pësoi humbje të madhe duke lënë në fushën e luftës 40 luftëtarë të vrarë dhe 20 të plagosur. Trimëria e Zefit të Vogël dhe bashkëluftëtarëve spikati në këtë betejë. Ekspeditat ushtarake që qarkullonin në viset shqiptare përherë lëviznin me drojë nga çeta e Zefit të Vogël dhe çetat e tjera çlirimtare që vepronin në Kosovë. Këtë e dëshmon e dhëna se si rrugës për në Shkodër, për t’iu shmangur sulmeve të çetave kryengritëse, Haxhi Adil Beu pranoi të kalonte nëpër rrugë tërthore, nëpër të cilat mezi mund të përbiroheshin kuajt. Megjithëkëtë, jo larg Urës së Vezirit, në kufirin midis Lumës e Mirditës, eskorta e ministrit osman u sulmua nga çetat e Zefit të Vogël, Mahmut Zajmit, Bajram Daklanit dhe Pjetër Çelit. Gjatë këtyre përleshjeve u plagosën disa nëpunës. Njëra ndër përparësitë e Zefit të Vogël ishte se ai, si udhëheqës i çetës, ishte njohës i mirë i terrenit dhe krahas afinitetit luftarak dinte të shfrytëzonte me mjeshtri edhe terrenin e përshtatshëm për të zënë prita për forcat armike.
Përleshje ndërmjet çetave shqiptare dhe forcave të ushtrisë e të xhandarmërisë u zhvilluan edhe në kazanë e Prishtinës. Më 11 mars u zhvilluan luftime disaorëshe midis kryengritësve të Rekës së Gjakovës dhe forcave të ushtrisë e xhandarmërisë osmane. Nga një njoftim i argjipeshkvit të Shkupit, Lazër Mjedës, bëhej e ditur se në fillim të marsit të vitit 1912 çetat kryengritëse, siç thuhej, të përbëra “nga myslimanë e të krishterë” po përlesheshin jashtë qyteteve dhe po vrisnin ushtarë osmanë.
Pas humbjeve mytesarifi i Pejës në shenjë hakmarrjeje urdhëroi sulmin e forcave të tij mbi fshatin e Novosellës, që ishte pronë e Mahmut Zajmit. Mahmut Zajmi ishte nipi i Bajram Currit dhe ishte i përndjekur nga forcat turke. Ushtria e rrethoi fshatin dhe e bombardoi pamëshirshëm me artileri, duke djegur e rrënuar kullën e këtij prijësi dhe shtëpinë e fshatit. Nga tronditjet e granatimeve vdiq edhe e ëma e tij (motra e Bajram Currit, kurse nga përleshje që u zhvillua midis një çete shqiptare dhe forcave të ushtrisë dhe të xhandarmërisë osmane, pranë fshatit Zllakuçan, afër Pejës, mbetën të vrarë tre ushtarë dhe dy xhandarë. Pa dyshim se edhe në këtë aksion do të ishte prezent Zefi i Vogël, aq më tepër kur dihen lidhjet e tij me kryengritësit e këtij rrethi.
Meqenëse kjo lëvizje kishte për bazë kauzën kombëtare, gjithnjë e më shumë po gjente mbështetjen e popullit dhe radhët e çetave kryengritëse po shtoheshin dita ditës. Kështu, prijësit e qëndresës së armatosur në Sanxhakun e Pejës - Mahmut Zajmi e Zefi i Vogël, në fillim të marsit kishin në radhët e tyre 700 kryengritës, kryesisht të kazasë së Pejës. Shtëpitë që kishin më shumë se 3 djem duhej që njërin prej tyre ta çonin në radhët e luftëtarëve, ose të paguanin 55 lira. Një organizim i tillë siguroi edhe suksese të lakmueshme të kryengritësve. Kështu, vetëm çeta e Mahmut Zajmit dhe e Zefit të Vogël, që nga fillimi i përleshjeve me forcat e ushtrisë dhe të xhandarmërisë e deri në fillim të prillit kishte vrarë rreth 200 ushtarë dhe 20 oficerë osmanë. Edhe kjo e dhënë dëshmon për trimëritë e Zefit të Vogël dhe të çetës të tij, por edhe për urrejtjen që kishin forcat ushtarake turke ndaj tij. Emri i tij ishte bërë tmerr për forcat pushtuese.
Zgjerimi i kryengritjes së çetave të armatosura në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Malësinë e Gjakovës parashtroi nevojën për t’i vënë ato nën një qendër drejtuese. Kjo ishte arsyeja që, në mbarim të prillit të vitit 1912, drejtuesit e kryengritjes së këtyre zonave Mahmut Zajmi, Pjetër Çeli, Zefi i Vogël, Halil Mehmeti dhe Ibush Jahja u bënë thirrje të gjitha shoqërive e klubeve kombëtare dhe përgjithësisht atdhetarëve brenda dhe jashtë atdheut të bashkoheshin nën një komitet dhe me luftë të përbashkët të jetësohej pavarësia e Shqipërisë. Një rol dhe kontribut të veçantë në këtë drejtim e dha edhe ideologu i kryengritjes të vitit 1912, Hasan Prishtina. Zefi i Vogël gëzonte respekt të veçantë edhe nga Hasan Prishtina. Ai respekt nuk ishte arritur me fjalë, por me veprime konkrete luftarake dhe përkushtimin e Zefit të Vogël ndaj çështjes kombëtare.
Ndërkohë luftime të përgjakshme po zhvilloheshin në Kazanë e Pejës. Në Malësinë e saj prej kohësh kishte filluar grumbullimi i forcave të mëdha kryengritëse. Gazeta “L’indepedent” shkruante se çetat përreth Pejës po shumoheshin dhe se në krye të tyre ishte Mahmut Zajmi, me bashkëpunëtor të ngushtë Zefin e Vogël. Shkrimi i gazetave të huaja dhe pasqyrimi i luftës çlirimtare të Zefit të Vogël dhe çetës të tij është edhe një dëshmi për autoritetin që e kishte krijuar Zefi në përmasa të gjera. E njëjta gazetë shkruan se Çetës së Mahmut Zajmit iu bashkua edhe Hasan Ballanca, ish-deputet i Dibrës. Sipas raportit të konsullit austro-hungarez më 6 maj kryengritësit e anës së Pejës, të prirë nga rugovasit, prenë lidhjet telegrafike ndërmjet Pejës, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës. Ndërkaq, Çeta e Mahmut Zajmit dhe e Zefit të Vogël sulmoi forcat osmane që po i shkonin në ndihmë garnizonit të Pejës nga Gjakova, duke ndërprerë lidhjet midis forcave osmane të këtyre dy qyteteve. Po kështu u ndërprenë edhe lidhjet telegrafike midis Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës.
Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar, në fillim të muajit maj, nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar, i cili duke pasur edhe një organ shtypi në gjuhë të huaj do ta propagandonte programin e luftës së armatosur të popullit shqiptar: “Lirinë administratore të Shqypëniës”. Thirrja ishte nënshkruar nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm. Çetat shqiptare vepronin varësisht nga rrethanat. Herë bashkë e herë ndaras. Ato i shkonin në ndihmë njëra-tjetrës. E rëndësishme ishte që ato koordinoheshin mes tyre shumë mirë. Edhe luftëtarët e çetave ndodhte që lëviznin nga njëra çetë në tjetrën, por në shumicën e sulmeve dhe betejave pranë Zefit të Vogël ka qëndruar shoku dhe bashkëluftëtari i tij Pjetër Çeli. Edhe veprimtaria atdhetare e tij përmendet në një sërë dokumentesh e materialesh historike.
Pas vendimit që komandantët e forcave kryengritëse morën në Rekë, nisi sulmi mbi Gjakovën më 10 maj 1912 nga të katër anët. Sulmi zgjati tri ditë e tri net. Në sulm mori pjesë e gjithë nahija e Gjakovës. Një pjesë e kryengritësve, nën drejtimin e Zefit të Vogël Bajram Daklanit dhe Zog Avdylit filluan sulmin, kurse nga një drejtim tjetër sulmuan forcat e drejtuara nga Ali Binaku, Qerim Binaku dhe bajraktari i Krasniqes, Bajram Mani, Hasjanët, nën komandën e Myftyr Sylës, sulmuan nga Ura e Tabakëve, kurse grupi i katërt marshoi drejt lagjes së romëve. Pikëtakimi ishte lënë te sarajet e kajmekamit. Kryengritësit patën mbështetje edhe të banorëve të qytetit. Mbrojtësit kishin epërsi në armatim të rëndë, artileri dhe mitraloza. Luftimet zgjatën deri në mëngjesin e ditës së nesërme. Përleshjet ishin të ashpra e të përgjakshme. Kryengritësit depërtuan në pjesën periferike të qytetit në lagjen Gecaj, prej nga u furnizuan me gjashtë arka municion, që i kishte lënë ushtria osmane, e cila u tërhoq në qendër të qytetit.
Sulmi mbi qytet filloi në mëngjesin e 11 majit. U zhvilluan luftime të përgjakshme që, siç u tha, zgjatën tri ditë. Edhe pse u vunë nën zjarrin e dendur të mitralozave dhe të artilerisë, kryengritësit luftuan me vendosmëri. Mirëpo, për mungesë të municioneve, u detyruan të pranonin një armëpushim dhjetëditor që u arrit me ndërmjetësinë e Riza bej Kryeziut. Megjithatë, sulmi mbi Gjakovë pati jehonë në trevat e tjera dhe përshpejtoi përfshirjen e popullsisë së tyre në luftën e armatosur.
Bashkëpunimin dhe unitetin ndërmjet krerëve të kryengritjes na dëshmon edhe Ernest Koliqi në librin Kryengritja e Dedë Gjo Lulit (1911-1971), botuar në Romë në vitin 1971, ku ndër të tjera në nëndarjen "Vllaznimi i elementeve" theksonte: "Kurrë ndërmejt të myslimanëve e të krishterëve s' asht kenë ma vllaznim i ngushtë se tash. Mbrojtja e idealit kombëtar ka zhduk çdo mëri. “Fandësit e Kosovës, nën prirjën e Zefit te Vogel trim me za, të Pjetër Çelit e të Zef Gjidodës, luftuen përherë e luftojnë me partinë e Bajram Beg Currit" Kryengritësit kishin marrë me kohë masat e nevojshme mbrojtëse për mbajtjen e Kuvendit në Junikut, i cili përfundoi me miratimin e kërkesave ose një memorandumi prej 6 pikash, të cilat ua paraqitën përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkup dhe Portës së Lartë. Në këtë memorandum përfshiheshin këta kërkesa kryesore:
Shqipërisë t'i jepet autonomia;
Në tërë Shqipërinë të ngrihet flamuri kombëtar;
Guvernatori i përgjithshëm i Shqipërisë të zgjidhej nga pasardhës të princave e princërve shqiptarë;
Në vend të nëpunësve të huaj të viheshin nëpunës shqiptarë;
Gjuhë zyrtare të bëhej gjuha shqipe;
Zbatimi i këtyre kërkesave të garantohej nga Fuqitë e Mëdha
Edhe në Kuvendin e Junikut Zefi i Vogël ishte ndër udhëheqësit e çetave që respektohej në mënyrë të veçantë. Fjala dhe mendimi i tij respektoheshin nga të gjithë krerët shqiptarë të mbledhur në këtë kuvend.
Përballë një kryengritjeje të re shqiptare, të fuqishme dhe të organizuar, me një program politik që u shpall botërisht në Kuvendin e Junikut, xhonturqit përqendruan forca të shumta ushtarake në Kosovë. Në Ferizaj u sollën tri regjimente të Divizionit të Stambollit. Në Mitrovicë ishin përqendruar një regjiment i plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjimet kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër këmbësorie. Në Gjakovë gjendeshin në gatishmëri një regjiment këmbësorie, një regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh. Në fundin e majit kryengritësit filluan veprimet e organizuara luftarake kundër trupave turke. Të parët u hodhën në luftë, pas Kuvendit të Junikut, kryengritësit që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit dhe që udhëhiqeshin nga Hasan Prishtina e nga Bajram Curri. Një pjesë e këtyre forcave, rreth 2000 veta, të përqendruara në fshatin Strellc, nën drejtimin e Isa Boletinit, të Bajram Daklanit, të Sadik Ramës, të Mahmut Zajmit, të Zefit të Vogël etj. filluan më 31 maj sulmin mbi Pejë, ku asgjësuan pozicionet ushtarake dhe postat e xhandarmërisë të rrethinave të saj. Luftimet ishin të rrepta dhe zgjatën disa ditë. Garnizoni i qytetit ishte në prag të kapitullimit. Në ndihmën atij i erdhën forca të reja ushtarake.
Në betejën e Istogut u vra me dinakëri edhe Miftar Syla, bajraktar i Bytyçit. Ndërkaq, dy taborë që u dërguan në ndihmë nga Jeni Pazari, ndeshën në rezistencën e fuqishme të kryengritësve shqiptarë te Hani i Rakoshit, më 5 qershor 1912.
Kryengritësit nga kazaja e Pejës, Drenica, Shala dhe Llapi, të prirë nga Mahmut Zajmi e Zefi i Vogël i shpartalluan plotësisht forcat osmane. Në shenjë hakmarrjeje forcat osmane bombarduan fshatin Veriq në lindje të Gurrakocit, ku u vranë 60 burra, gra e fëmijë. Me gjithë masakrat e bëra nga pushtuesit, Zefi i Vogël me bashkëluftëtarë ishte i vendosur në idenë e tij për jetësimin e Kuvendit të Junikut dhe platformën për luftë çlirimtare.
Gjithsesi epiqendra e kryengritjes së përgjithshme gjithnjë mbetej Vilajeti i Kosovës. Menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit një pjesë e drejtuesve të kryengritjes shkuan në krahinat e tyre për organizimin e kryengritjes dhe për udhëheqjen e saj. Hasan Prishtina me drejtuesit e çetave hartuan planin për sulmin e përgjithshëm në qytetin e Pejës. Rreth 2000 kryengritës së Malësisë së Gjakovës, të Vokshit, të Rekës së Keqe dhe të Kazasë së Pejës u përqendruan në fshatin Strellc, në jug të Pejës. Pjesa tjetër e tyre mbeti edhe më tej në Junik, për ta penguar depërtimin e forcave osmane nga Gjakova në Pejë nga ky drejtim.
Sipas njoftimeve, duke filluar prej 20 korrikut, Bajram Curri nuk ishte paraqitur në asnjë vend publik, prandaj turqve të rinj, u zgjonte kureshtje edhe humbja e gjurmëve të Bajram Currit. Në të vërtetë, ky me bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e vet kishte arritur në Ferizaj. Aty u takua me luftëtarët dhe prijësit e Gjakovës dhe të rrethinës, siç ishin Zefi i Vogël, Shaban Binaku, Bajram Daklani etj. që gjendeshin aty që nga 14 korriku. Bajram Curri kishte respekt të veçantë për Zefin e Vogël, por realisht respekti dhe bashkëpunimi i sinqertë ishte i ndërsjellë.
Aksionet e armatosura të çetave kryengritëse u fuqizuan në gjysmën e muajit korrik në Malësinë e Gjakovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Në këto krahina, gjithnjë kryengritëse e liridashëse, i kishin formuar çetat kryengritësve që më parë Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mahmut Zajmi dhe Mehmet Belegu, të cilat përbënin një forcë kryengritëse deri në 500 veta.
Pas mbarimit të afatit dyjavor të armëpushimit, i lidhur midis drejtuesve të kryengritjes së Malësisë së Gjakovës dhe kajmekamit të Gjakovës, Zija Beut, u mbajt takimi i drejtuesve të kryengritjes së kësaj zone, sikurse ishin: Mahmut Zajmi, Halil Mehmeti, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, disa prijës së Maleve të Dibrës, si dhe Hoxhë Myslimi i Elbasanit, i njohur si njeri i Ismail Qemalit. Pasi e kishin çliruar Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, kryengritësit i përqendruan forcat e tyre në luftën për ta marrë Prishtinën, të cilën e çliruan më 21 korrik 1912.
Marshimi i grupit më të madh të kryengritësve nga Ferizaj u bë me anë të rrugëve tokësore nga Karadaku, përmes Grykës së Kaçanikut, si dhe me anë të hekurudhës Mitrovicë-Shkup. Më 9 gusht Hasan Prishtina ia paraqiti qeverisë turke programin prej 14 pikash dhe, meqë qeveria turke e vonoi përgjigjen ndaj 14 kërkesave të shqiptarëve, kryengritësit marshuan drejt Shkupit. Grupi i parë, i udhëhequr nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani, hynë të parët në Shkup më 12 gusht. Pikërisht hyrja e çetës së parë të Zefit të Vogël në Shkup është edhe një dëshmi shtesë për trimërinë e tij e të çetës së tij dhe për përkushtimin e vendosmërinë për ta çliruar kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës. Ushtria turke në qytet, me gjithë përgatitjet, nuk bëri rezistencë. Më 13 gusht arriti grupi tjetër i kryesuar nga Isa Boletini, ndërsa një ditë më vonë edhe grupi kryesor i përbërë prej 6000 vetash me muzikë dhe flamuj kombëtarë, i drejtuar nga Bajram Curri.
Gazeta e Sofjes “Preporec” shkruante se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë. Gazeta “Shkupi” shkruante se Bajram Daklani, bashkë me kryengritës e qytetarë, sapo hyri në qytet nisi luante valle në sheshin e qytetit.
Hyrja në Shkup e kryengritësve shqiptarë, nga të gjitha viset e Kosovës, të udhëhequr nga atdhetarë të shquar, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Budakova, Idriz Seferi, Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mehmet Shpendi etj. ishte shumë entuziaste.
Ushtria turke që gjendej në qytet, ashtu siç ndodhi edhe në Prishtinë, ishte shumë e frikësuar dhe e shqetësuar e nuk dinte se ç’po ndodhte. Ajo nuk bëri kurrfarë rezistence. Me të hyrë të kryengritësve në Shkup, ata ia mësyjnë burgut, ku liruan ata afro 1000 të burgosur politikë shqiptarë e kryengritës të tjerë.
Askush s’mund t’i mbante lotët nga gëzimi. Në popull flitej se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, e kishin ngritur të parët flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Për këtë akt madhështor dhe për veprimtarinë atdhetare të Zefit të Vogël në çlirimin e Shkupit shkruan shumë gazeta vendëse dhe të huaja. Nami dhe reputacioni i Zefit të Vogël u ngrit edhe më shumë.
Si rezultat i luftërave antiturke, të cilat u përmbyllën me kryengritjen e madhe të vitit 1912 dhe si rezultat i mbështetjes ndërkombëtare, në veçanti asaj që vinte nga Austro-Hungaria, u arrit të shpallej Pavarësia e Shqipërisë. Për ta arritur në këtë fitore të madhe pa dyshim që një ndihmesë të rëndësishme e ka dhënë edhe Zefi i Vogël me çetën e tij. Në kuvendin kombëtar të Vlorës Zefi i Vogël ishte pjesëmarrës, duke e radhitur veten e tij ndër atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, si njëri ndër përkrahësit dhe themeluesit e shtetit të parë shqiptar.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte akti më kulmor, ishte kurorëzim i gjitha luftërave shumëshekullore të popullit shqiptar, por me këtë akt nuk mori fund çdo gjë. Për shqiptarët u krijua një gjendje e re politike tepër e rëndë dhe e rrezikshme. Trojet shqiptare u sulmuan tani nga pushtuesit e rinj ballkanikë, të cilët synonin t’i copëtonin tokat shqiptare për t’i përmbushur lakmitë e tyre shoviniste. Përpara patriotëve e para gjithë popullit shqiptar dilnin detyra të reja dhe më të vështira për t’i bërë ballë këtij pushtimi të ri, për ta mbrojtur me çdo kusht vendin nga këta pushtues, për ta rimarrë përsëri në dorë fatin e shtetit të ri të sapokrijuar.
Në të gjitha luftimet që i zhvilloi Çeta e Zefit të Vogël, si kundër ushtrisë turke, ashtu edhe kundër ushtrisë serbe, tregoi trimëri e heroizëm të rrallë. Ata qenë të pranishëm kudo që e kerkonte nevoja në mbrojtje të popullsisë civile si dhe në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga ky pushtim i ri. Duke vështruar me kujdes jetën dhe veprimtarinë e Zefit të Vogël, të bie në sy se ai kishte raporte të mira me të gjithë krerët e lëvizjes çlirimtare në Kosovë, por në veçanti me Bajram Currin, me të cilin asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet.
Edhe në këtë periudhë luftërash për mbrojtjen e shtetit shqiptar, spikati veprimtaria atdhetare e Zefit të Vogël të Fanit. Çeta e tij u bë tmerr për ushtritë serbe në gjithë krahinën midis Gjakovës dhe Prizrenit. Banorët e fshatrave Bordosanë, Kusar, Bishtazhin e Marmull, Resnje, Doblibare e Reke e pritën dhe e përcollën Zefin e Vogël me çetën e tij si djalin e tyre, si kreshnik të lirisë që i mbrojti në çdo rast nga sulmet dhe zullumet serbo-malazeze. Udhëheqësit e Serbisë nuk i kursyen dhuratat, paratë e gradat, për t’i bindur patriotët shqiptarë e çetat e tyre kryengritëse të ulnin qëndresën e tyre dhe kështu t’i asgjësonin drejtuesit e tyre, por e gjithë kjo nuk dha rezultat. Urrejtja për Serbinë ishte e madhe dhe mizoritë e tyre shqiptarët i mbanin mend përjetë.
Në betejat kundër pushtuesve serbë në Rrafshin e Dukagjinit, përballë forcave të shumta serbe, qëndronin çetat e Zefit të Vogël, Sadik Ramës, Abaz Ostrobuzit etj., të cilat me luftërat e tyre vetëmohuese arritën të çlironin shumë fshatra midis Pejës dhe Istogut.
Kur ia hedhim një shikim këtij pasqyrimi të aktivitetit të Zefit të Vogël vetëm brenda një viti dhe shohim pjesëmarrjen e tij në aq shumë aksione, në të cilat u printe luftëtarëve të tij për çlirimin e Kosovës, vërtet e shohim se kemi të bëjmë me një personalitet dhe luftëtar të madh të çështjes kombëtare.