Shtatë vite pa ty Florinë

Kultura

Shtatë vite pa ty Florinë

Nga: Neki Lulaj Më: 24 maj 2025 Në ora: 21:43
Neki Lulaj

Kur kthehem nga udhët e largëta të mërgimit

Ndalem pranë teje i heshtur si memec

E di oh që  pranë teje nuk vjen muzgu i përëndimit

E di se me atë buzëqeshje përpara nuk më del

S`na ledhatojnë ato fjalë të ngrohta si zjarri 

Kur më flisje per libra me enciklopedi

Ti ishe flokëverdha që zgjon krua malli

Juristja, fjalëpaka gjer në madhështi.

Ylbleroshja e xhaxhait si dielli në qershor

Të mashtroi maji me lule dhe të mori me vete

Tok me ty  kujtimet si farë e grurit frymojnë 

Kacavjerrur ne degët e rënda me aromë jete.

E malli nga shpirti për ty rritet e  kurrë nuk shkëputet

Ani se vitet sa shpejt fluturojnë.

 Të kujtohet kur më pyete për vargjet poetike

dhe jetën e nxënësve  mërgimtarë në shkollë

Në botë rinia është e gjallë e plot dallgë

gumëzhin si zgjua bletësh që bëjnë mjaltë

 Të mashtroi e të mori maji i lules së bardhë

Me penjtë e shiut do t’i qepim arnat si plagë

E dy zogj

të vetmuar do t’i lë në degët e thara.

Na janë ndryshkur lotët nëpër faqet me rrudha

Për ty i ka hapur dyert anekënd parajsa. 

Ti, e bukura, sugarica, flokëarta si flutura

Një liqen me lotësh vjen për ikjen pa lamtumirë

Vajza, nëna bashkëshortja, princesha e vërtetë

Pse na ngrive buzagazin o engjëlli i dashurisë.

Ti që buzagazin e bacës e more përjetë

Ti na mungon në Sofrën e ngrohtë të nënës,

Dhoma e vajzërisë ngeli e shurdhëruar

Foton tënde në cellular e ndrin dritë e hënës

Ylli i mëngjesit ka mbetur pa  ndriçuar.

Të shoh e do të shoh të qeshur si ylber

Me vellon e  nusërisë do jesh mes nesh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat