‘Dasma shkodrane’ rikthehet për publikun

Kultura

‘Dasma shkodrane’ rikthehet për publikun

Më: 27 shtator 2025 Në ora: 21:57
Pamje nga videoja

Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës është realizuar një rikthim i veçantë në kohë, ku nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” sollën për publikun elementët e një dasme tradicionale shkodrane.

Në këtë aktivitet, rolet e personazheve u interpretuan nga vetë nxënësit, duke sjellë skena të zakonshme të një dasme të hershme qytetare.

“Në skenar unë kam pasur rolin e kryeplakut që njoftonte të tjerët për dasëm dhe që i thoshte anëtarëve të ndryshëm të familjes se cilën familje duhet të njoftonte. Për mu janë shumë të rëndësishëm sepse rreth tyre mund të kuptojmë më shumë rreth historisë, rreth Shkodrës”, tha Leandër Laçaj, nxënës.

Mësuesit theksuan gatishmërinë e nxënësve për të qenë pjesë e kësaj nisme, jo vetëm si interpretues, por edhe si hulumtues të historisë dhe kulturës së qytetit.

“Ishin menjëherë të gatshëm me kontribu vajzat dhe djemt e shkollës tonë, sigurisht dhe me atë dëshirën e madhe edhe të njohjes, por dhe me hulumtu e me zbulu ma shumë në tërësi”, u shpreh mësuesja e Gjimnazit “28 Nëntori”, Albana Kaloshi.

Pjesë e këtij prezantimi ishin edhe kostumet tradicionale, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar të trashëgimisë kulturore të Shkodrës.

“Kemi përkatësisht jelekët dhe brezat e vajzave myslimane dhe katolike të qytetit të Shkodrës. Gjithashtu pasurohet veshja e djemve me jelekë. Jeleku është i qytetit të Shkodrës, është jeleku i vajzës së veshjes katolike, ndërsa këto janë të veshjes myslimane qytetare shkodrane”, theksoi Majlinda Laçaj, drejtuese e Muzeut historik, Shkodër.

Në muze nuk munguan as vizitorët e huaj, të cilët e shijuan këtë udhëtim simbolik drejt së kaluarës.

“Është e disata herë që vij në Shkodër dhe më pëlqen shumë, është qytet shumë i bukur. Zonja ka jetuar në një banesë të tillë muze dhe është shumë interesante. Kemi parë veshje shumë të bukura, tradicionale dhe shumë moderne për kohën. Fantastike”, tha turisti francez.

Një emocion të veçantë solli edhe dëshmia e zonjës 88-vjeçare Maxhide Kraja, e cila rikujtoi ditën e saj të martesës me kostumin tradicional shkodran. 

Tana më janë kujtu, shpija, tavani me trena që kena pasë, si një muze. Jam veshë me veshje kombëtare shkodrane, me jelek e me bërnavekë. Dasma iher në shtëpinë tonë, ahengu nuk ka mbaru kurrë”, u shpreh vizitorja e Muzeut.

Ky aktivitet shërbeu si një mënyrë për të afruar brezat e rinj me trashëgiminë kulturore të qytetit, duke treguar se traditat e dasmës shkodrane mbeten një pasuri që duhet ruajtur dhe përcjellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat