Qysh më 10 janar 1922, pas ngjarjeve të dhjetorit 1921, disa deputetë opozitarë iu drejtuan me një letër Bajram Currit, nëpërmjet së cilës e informonin për ngjarjet e dhjetorit 1921 të zhvilluara në Tiranë dhe i kërkonin mendime për rrugët e stabilizimit të gjendjes. Njëkohësisht, duke shprehur besimin e tyre te Bajram Curri, i shkruanin se vetëm ai me popullin mund ta përmbyste situatën dhe ta rrëzonte Qeverinë e Xhafer Ypit. Te personi i tij, që ishte në krye të malësorëve, shikonin një faktor të rëndësishëm për sigurimin e suksesit të lëvizjes antiqeveritare.
Angazhimi i Bajram Currit në kryengritjen e marsit 1922 ndikoi sadokudo në rënien e lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Ishte ky një synim për ta rrëzuar me forcë Qeverinë e Tiranës, por forcat kryengritëse të Bajram Currit nuk arritën dot deri në Shkodër, ku edhe e kishin objektivin. Shtypi evropian i asaj kohe shkruante se opinioni publik ishte i tëri kundër rrugës jokushtetuese që po ndiqte Bajram Curri dhe ai u tërhoq pa shkaktuar gjakderdhje.
Me fitoren e marsit 1922 mbi kundërshtarët politikë të Qeverisë Ypi, Ahmet Zogu u tregua një figurë e përshtatshme për vendosjen e rendit dhe për ta kapërcyer anarkinë. Kjo bëri që ai dhe përkrahësit e tij t’i forconin pozicionet politike.
Shmangia e gjakderdhjes u mirëprit nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe nga kjo përfitoi Ahmet Zogu, reputacioni i të cilit u ngrit. Nga Qeveria u krijua një gjyq ushtarak për ndjekjen penale të kundërshtarëve qeveritarë. Kundërthëniet ndërmjet nacionalistëve nga Kosova dhe Qeverisë Shqiptare u ashpërsuan edhe më shumë. Nga ky shkak Bajram Curri dhe shumica e luftëtarëve të çetave të Kosovës në përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë ishin të ndjekur nga Qeveria Shqiptare e Tiranës, pothuaj aq sa edhe nga Qeveria e Beogradit. Fillimet e kundërthënieve në raportet ndërmjet dy grupimeve politike ishin edhe më të hershme, por ato u vërejtën qartazi me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, më 7 dhjetor 1921.
Në vitin 1922 konsiderohej se në Zonën Neutrale të Junikut nën udhëheqjën e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sadik Ramës, Azem Bejtës etj numri i të arratisurve ishte mbi 2.000 vetë.
Në rrethanat e krijuara Qeveria Shqiptare ishte e interesuar për vëndosjën e rendit dhe qetësisë në mbarë kufijtë shtetëror. Edhe shtypi i huaj gjatë atyre ditëve publikonte lajme për prishjen e qetësisë së brendshme në Shqipëri. Ndërsa, kryeministri Xhafer Ypi e akuzonte Bajram Currin me shokë për përpjekje për prishje të qetësisë që mbretëronte në Shqipëri.
Më 6.5.1922, ministri i Jashtëm, Zogu, e informon Kryeministrinë se Bajram e Hysni Curri po propagandonin se Qeveria e sotme Shqiptare bashkëpunon me Serbinë dhe se është kundër shpëtimit të Kosovës. Nacionalistët e Kosovës kërkonin mbështetje dhe aleatë për jetësimin e qëllimit të tyre. Një mbështetje të tillë e gjetën tek Italia.
Këshilli i Lartë e caktoi, më 2 dhjetor 1922, Ahmet Zogun në postin e kryeministrit. Në fjalën që kryeministri i ri mbajti në Parlament propozoi një varg masash për përmirësimin e gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria, si shtet i vogël që ishte, duhej të ndiqte një politikë të jashtme të qartë dhe pa iluzione.
Pas ardhjës të Zogut si kryeministër në mes drejtuesve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u zhvilluan debate lidhur më qëndrimin që do të mbante kjo organizatë. Bajram Curri, Hasan Prishtina e disa të tjerë ishin kundër çdo lloj bashkëpunimi me Qeverinë e Zogut duke u treguar të vendosur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër kësaj qeverie. Pjesa tjetër e nacionalistëve kosovarë si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi etj, kërkonin arritjen e një marrëveshtje me qeverinë, duke u deklaruar se ndërmarrja e veprimeve të armatosura kundër saj dëmtonte interesat e shtetit dhe kombit shqiptar. Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sadik Rama Hysni Curri etj, të pa kënaqur me pushtetin që kishte Zogu, dhe duke mos u pajtuar me qëndrimet e tij politike, të cilin e akuzonin si filoserb, organizuan në janar të vitit 1923 një goditje të re të armatosur kundër forcave qeveritare në Prefekturën e Kosovës. Ata zunë Tropojën dhe rrethuan Krumën, por edhe kjo kryengritje dështoi. Pasi u thyen nga forcat qeveritare kryengritësit kaluan në Zonën Neutrale të Junikut.
Kryeministri Zogu pasi mori miratimin e Konferencës të Ambasadorëve dhe pasi u sigurua se qeveria e Mbretërisë SKS nuk do të ndërhynte urdhëroi trupat shqiptare të hynin në Zonën Neutrale. Lëvizja kryengritëse në Junik me gjithë qëndresën e saj, u shtyp.Trupat e qeverisë shqiptare i dëbuan kryengritësit nga Zona Neutrale.
Edhe pas shuarjës të Zonës Neutrale Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe mbështetësit e tyre nuk hoqën dorë kundër qeverisë të Ahmet Zogut. Në pranverë të vitit 1923, ata kishin hartuar një plan veprimi për debimin e trupave ushtarake të qeverisë shqiptare në viset e Shqipërisë Veriore. Me 13 prill 1923, qeveria miratoi kërkesat e drejtuesve të forcave ushtarake në terren për ti sulmuar kryengritësit por udhëzoi që, nëse pranonin Bajram Curri dhe Hasan Prishtina tu jepej leje që të dalin jashtë shtetit, kurse mbeshtetësit e tyre të çarmatoseshin. Pas edhe disa përpjekjeve të tjera për kryengritje në tetor 1923, Prokuroria i kërkoi Ministrisë të Drejtësisë zbatimin e denimit me vdekje për Hasan Prishtinën. Diplomatët italianë nderhynë tek kryeministri Zogu dhe ai u dha garanci që krerët e kryengritjës të largoheshin pa probleme nga Shqipëria. Kështu më 25 tetor Bajram Curri dhe Hasn Prishtina u larguan nga Shëngjini për Brindizi të Italisë.
Në fakt Curri priste vetëm momentin e përshtatshëm politik për tu rikthyer në Shqipëri dhe për ta vazhduar luftën kundër Ahmet Zogut. Në prak të kryengritjës të qershorit ai ishte në Shqipëri duke e mbështetur levizjën e Fan Nolit. Më 24 maj Curri mori nën kontroll Krumën, e cila ishte qendra e Prefekturës së Kosovës, duke mundur forcat proqeveritare te toger Muharrem Bajraktarit dhe Ceno Bej Kryeziut. Në vijim Curri theu forcat qeveritare në Bicaj, në Bytyç dhe në Kalanë e Dodës. Edhe Noli mori masa kundër nacionalizmit shqiptar. E shkarkoi nga çdo funksion edhe Bajram Currin, i cili, siç mund të thuhet, e solli në pushtet Fan Nolin. Noli kërkoi nga Komiteti i Kosovës që ata të qëndrojnë mirë, sepse një shtet i vogël si i yni, i dobët dhe i varfër nuk mund t'ia lejojë vetes një konflikt. Noli gjithashtu kërkoi nga Qeveria e Beogradit që t’i trajtonin mirë shqiptarët në Mbretërinë SKS.
Për veprimtarinë e tij antiqeveritare Bajram Curri ndiqej këmba-këmbës. Në mbledhjen e 31 majit 1923 kryetari i Parlamentit Eshref Frashëri e vendosi në rend dite faljen e disa personave të dënuar për faje politike. Nga kryetari i komisionit për Drejtësi, Ali Këlcyra, lexohet raporti i cili kishte vendosur njëzëri që personat që ishin në listë të faleshin. Komisioni propozon të amnistohen Abdi Toptani, Ismail Haki Kuçi, Bajram Curri e Kadri Prishtina. Në fakt propozimi qeveritar ishte për faljen e disa personave të tjerë, por komisioni i Drejtësisë në krye me Ali Këlcyrën kishin vendosur që listës t’i shtoheshin edhe personat e lartpërmendur.
Shërbimet që i ka bërë ky atdheut janë të njohura nga të gjithë.
Kelcyra i ftoi deputetët në ndërgjegjen patriotike e njerëzore që të ngrihen mbi pasionet, ambiciet e intrigat, mbi armiqësitë personale ta vënë dorën në zemër dhe të deklarohen se a mund të jenë tradhtarë dhe të rrezikshëm për atdheun njerëzit që i kanë bërë kaq shumë shërbime kombit? Pas tij fjalën e mori kryeministri Ahmet Zogu, duke theksuar se Ali Këlcyra foli si një patriot gjaknxehtë pa i vështruar faktet që janë në shesh. Duke i propozuar Parlamentit që të pranohet vetëm lista e paraqitur nga Qeveria kryeministri tha: “Ali Këlcyra thotë se kanë qenë patriotë. Mund të kenë qenë por e kaluara nuk i fal për një faj të tillë për përpjekjet për përmbysjen e shtetit.” Pas kryeministrit, fjalën e mori deputeti Luigj Gurakuqi, i cili kërkon që të falët edhe Bajram Curri. Në vijim deputeti Ali Këlcyra, duke e quajtur ironi të fatit që atij po i takonte ta mbronte Bajram Currin dhe Abdi Toptanin në Parlament deklaron se në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj që të tillë njerëz të quhen tradhtarë. Duke parashtruar pyetjen: Pse luftohet sot Bajram Curri? Pse akuzohet si tradhtar? Çka bërë kundër këtij atdheu? Ai tha se kurrë nuk mund ta pranojë se këta njerëz janë të rrezikshëm. Në sallë dëgjohen zëra se ai ka marrë armët dhe po i vret ushtarët tanë. Deputeti Këlcyra përgjigjet se ka të drejtë t’i marrë armët kushdo të jetë kur e sheh se miqtë dhe shokët i harrojnë shërbimet e tij e po dëshirojnë ta vrasin në pyjet e Malësisë. Kur në sallë dëgjohen zëra se nuk kemi nevojë për mbrojtjen tuaj deputeti Këlcyra përgjigjet se do të jem besnik i principeve të mia dhe se sot nuk po e mbroj Bajram Currin e Abdi Toptanin, por dinjitetin dhe nderin e kombit shqiptar. Fjalën e mori persëri kryeministri Zogu, i cili tha se nuk thashë që Bajram Curri asht i rrezikshëm por po vret edhe njerëz. Sot në grykë të Dragobisë janë vrarë dy ushtarë. Përballë këtyre fakteve a është e nevojshme të tregohet patriotizmi i kaluar?
Deputeti Bedri Pejani, në fjalimin e vet, ndër të tjera, do të theksonte: “Bajram Curri është përpjekë mjaft për çështjen shqiptare dhe unë e kam pasur nderin që për njëzet vjet të bashkëpunoj më të, por duhet ta dini zotërinj se kurrë patriotizmi nuk i jep të drejtë një njeriut të përdorë armët kundër atdheut e vendit të vet. Pra, nuk tolerohet të ngritet kundër një Qeverie e cila e kishte besimin e Parlamentit dhe popullit shqiptar. Ata kanë përdorur armët kundër një shteti që është formuar me ligje, kundër një shteti të dobët që ka arritur në këtë shkallë falënderuar qindra sakrificash. Duke përmendur edhe sakrificat e popullit të Kosovës për çështjen kombëtare Pejani shprehet se një atdhe që është bërë me kaq sakrifica e pengesa të mëdha kundër këtij atdheu nuk ka të drejtë askush t’i përdorë armët.”
Duke u mbështetur në këto të dhëna deputeti Pejani i lutet deputetit Ali Këlcyra që punët e shtetit dhe punët e atdheut t’i gjykojë me gjak të ftohtë.
Pas disa shpjegimeve që ia bën kryetari i Parlamentit deputetit Ali Këlcyra, ku, ndër të tjera, përmend edhe emra të tjerë që i njohin më mirë këta persona që po i mbronte, fjalën e merr deputeti Halim Gostivari i cili do të theksonte: “ Patriotët e vërtetë lavdërohen pasi të vdesin, në mënyrë që të jetë i pandryshueshëm gjykimi që do të bëjë historia mbi ta. Me lavde që bani Ali Këlcyra në vend që ata t’i puthi i hëngri, se lavdet për se gjalli e duke qenë se ata janë në levizje e sipër tregojnë se nuk janë patriotë të vërtetë. Gjatë deklarimit të kryetarit të Parlamentit Eshref Frashëri që kjo çështje të vehet në votë, deputeti V. Xhuvani brohoret në sallë Rroftë Shteti. Përfundimisht Parlamenti vendos që t’u falet vetëm dënimi 80 personave emrat e të cilëve figurojnë në listën qeveritare. Në këtë listë nuk gjenden emrat e Bajram Currit dhe Abdi Toptanit.
Me gjithë problemet e natyrave të ndryshme në vitet 1920-1924 në Parlamentin shqiptar çështja e Kosovës ishte e pashmangshme. Karakteristike është se ajo u ridimensionua në hapësirat e politikës dhe realpolitikës shqiptare të kohës. Mu për këtë çështja e Kosovës në Parlament nuk u shtrua si çështje e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje, për shkak të rrethanave lëvizja irredentiste ka qenë objekt kritikash, ndonëse këtë lëvizje e udhëhiqnin personalitete të shquara kombëtare.
Arsyet e armiqësisë ekstreme të Bajram Currit ndaj qeverisë të Zogut ishin komplekse. Këtu ndikonte edhe armiqësia përsonale me Ahmet Zogun si dhe qëndrimi i moderuar i qeverisë ndaj Kosovës. Bajram Curri nuk luftonte për pushtetin e tij përsonal, por për idealin e tij, për Kosovën. Vlen për tu theksuar se Curri nuk e kuptonte mënyrën e funksionimit të një shteti modern dhe nuk arrinte ta ndante opozitarizmin nga armiqësia ekstreme politike e personale. Çështja e pazgjidhur kombëtare ishte çdoherë një dimension i pashmangshëm i politikës shqiptare. Çështja shqiptare nuk ka lindur si një çështje e funksionimit apo mosfunksionimit të shtetit shqiptar, por si një çështje e forcës së pamjaftueshme që ka pasur shoqëria shqiptare në rrethanat kur është krijuar shteti shqiptar. Pra Bajram Curri nuk arriti të kuptonte se objektivat e tij dhe kërkesat që kishte ai ndaj qeverisë për çeshtjën e Kosovës ishin të pa realizueshme. Një politike ngacmuese dhe pretenduese kundër Mbretërisë SKS mund ta fuste shtetin e brishtë shqiptar në konflikte që mund ta rrezikonin edhe vet Shqipërinë londineze.
Për meritat e tij dhënë çështjes kombëtare, ndonëse kishte kundërthënie dhe divergjenca me qeveritarët e Tiranës, Parlamenti i mori në konsideratë meritat e tij. Kështu në mbledhjen e 30 tetorit 1926 Bajram Curri dhe Hysni Curri, me qëllim që t’u lehtësohet gjendja e vështirë financiare familjeve të tyre, u jepet pension mujor.