Në serinë e krijimeve të botuara nga Gjon Marku, një penë tashmë e njohur dhe shumë prodhimtare, mendova të ndaj me ju, dashamirë të librit, disa mendime të para në këndvështrimin tim artistik si lexues dhe krijues letrar.
Romani “Ku(rvë)nata”, botimin e dytë të të cilit autori Gjon Marku e ka qëndisur me një fjalor të pasur të krahinës, gjë e cila haset që në rreshtat e parë të kësaj vepre, e bën lexuesin të ushqehet shëndetshëm dhe krijuesin të mendojë ndryshe për krijimet e tij, për t’u shprehur në një mënyrë tjetër evoluese nëpërmjet prozës.
Tema e trajtuar nga autori dhe që e përshkon nga fillimi në përfundim të veprës është një temë sociale dhe që në faqet e para lexuesit i krijohet një atmosferë për të ndjekur ngjarje jo të këndshme nga përshkrimet që autori shpalos nëpërmjet vajit të qyqes në shoqërimin e daljes nga shtëpia dhe udhëtimin e motrës me të vëllanë, ku të vjen e të ngacmon nga larg një motiv i njohur, megjithëse në një këndvështrim krejt tjetër, por që të kujton lidhjen e kujdesshme të motrës me vëllanë si tek Doruntina me Kostandini.
Këtu ndoshta me rezerva apo disi e kursyer, pasi më gjerë autori do ta shpalosë në veprat e tjera, por këtu na dhuron një personazh të dashur e të besueshëm: Manjolën.
Marifetet për sigurimin e bursave të studimeve për disa të rinj që prindërit i kishin në poste të rëndësishme qeveritare në sistemin e së kaluarës jepen besueshëm dhe me ngjyrat e kohës, por autori kujdeset për mesazhin pozitiv dhe me vlerë se intelektualët e apasionuar me virtyte morale e gjejnë veten e tyre në çdo pozicion që jeta ua privon atyre, ndryshe nga të privilegjuarit që edhe gradat shkencore tentojnë t’i blejnë me pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që u mungon ajo kryesorja – varfëria e shpirtit, që autori i krahason me hijet.
Në të njëjtën kohë autori ka aftësinë të depërtojë në shpirtra njerëzish, në karakteret dhe aftësitë e tyre, gjë që e bën veprën më interesante dhe të lexueshme.
Atmosfera e një dasme mirditore e përshkruar këndshëm dhe me gjithë koloritetin e saj, me gëzimin dhe dramatizmin e pamundur të anashkalohet, është një ndër të paktat që kam arritur të lexoj në librat e autorëve të tjerë dhe për këtë autori ka meritën e tij duke e sjellë atë natyrshëm dhe pa komplekse të lustruara me emra të moderuar apo elemente të tjera që e largojnë nga origjinaliteti. Përkundrazi, autori ka meritën e sjelljes së përshkruar në mënyrë të natyrshme.
Për analogji, edhe në këtë dasmë unë do të baraspeshoja figurën e Manjolës së vdekur me Kostandinin e Ismail Kadare. Këto nuk i veçoj aspak për të ngritur vlera të paqena, përkundrazi për t’i dhënë vlerën e duhur kësaj vepre, gjithnjë nën kundrimin tim modest.
Por autori guxon të shkojë edhe më tej: ngre në veprën e tij të shkruar një legjendë që për krahinën ku ai vendos ngjarjet njihet si legjenda e Nuses së Shtufit, për të cilën ka edhe një këngë që këndohet me çifteli. Por autori bën atë që të largohet nga legjenda dhe t’i përshtatet realitetit, duke e sjellë më të moderuar në vitet e ngjarjes.
Shorti i pamerituar i një prej personazheve kryesorë në këtë vepër është përshkruar me të kundërtat që i gjen tek bashkëshortja e tij, e cila vjen duke u zhveshur nga shtirjet fillestare dhe në kombinim me të motrën fillon t’ia nxijë jetën të shoqit, i cili me të drejtë pendohet për këtë zgjedhje, megjithëse ata si çift kanë ecur në jetën e tyre duke u bërë me fëmijë, gjë e cila është një arsye më shumë për ta zgjatur këtë martesë që nga brenda ka filluar të mos funksionojë si e tillë.
Mjafton vetëm ky citim i shkurtër nga autori për të nënkuptuar zhgënjimin:
“...zogu i pendesës ka marrë arratinë”.
Për ta bërë edhe më të besueshme një bashkëshorte krejt në kundërshti me moralin e të shoqit, autori na nxjerr në pah edhe portretin e shtrigave – fallxhesha Shere e Lulë.
Në këto skena dramatike që e shoqja krijon, bashkëshorti i saj tundohet, për të cilën autori shprehet duke e përshkruar tepër besueshëm dhe me dhimbje kur atij i duhet të marrë vendimin e duhur që jeta ia ka sjellë shtrembër.
Lufta psikologjike pasqyrohet bindshëm në marrëdhëniet e çiftit, që siç e citon autori:
“...e fundit, hija jote do të mbyllë derën. Ti s’mund të jesh më gruaja ime”.
Është pikërisht qëndrimi dinjitoz i Engjëllit që e bën të shoqen të sodisë e penduar largimin e bashkëshortit të saj, duke lëshuar një lumë mallkimesh mbi të motrën e saj, e cila, siç shkruan autori, i kishte mbjellë atë ëndërr trishtuese dhe në vetvete ndjehej e boshatisur.
Janë skena të përshkruara me aq mjeshtëri sa mund të përfytyrojë çdokush nga ne të njohurit tanë apo njerëz në lagje përreth si bashkëshoqërues, për t’i bërë më të besueshme mendimet e kësaj bashkëshorteje që tashmë donte të kalonte një kapërcyell që edhe vetë e kuptonte se nuk do të arrinte ta kalonte.
Dhe pikërisht për të kaluar këtë kapërcyell autori ndërthur po aq besueshëm linjën e kësaj bashkëshorteje me vjehrrën e saj, duke futur në mes edhe porositë e një prej shtrigave-fallxhore që janë rekomanduar për shpëtimin e kësaj kurore në fjalë. Gjuha fisnike e vjehrrës nuk e privilegjon shumë këtë rrugë, e aq më tepër kur ajo e këshillon për t’u larguar pikërisht nga fallxhoret.
Kjo linjë që autori ndërton në lidhje me fallxhoret është një tjetër veçori, pasi bëhet fjalë për një krahinë katolike, e cila e ka për mëkat që besimtarët e saj të merren me fallxhori, pasi në fakt kjo nuk është as dukuri e tyre krahinore.
Në të njëjtën linjë autori skalit bukur tiparet e një nëne mirditore që i thotë hapur fjalët e duhura, tamam si një burrëneshë, të resë së saj që provokonte dhe ishte hedhur në mënyrën më të ligë për të “shnjerëzuar” djalin e saj.
Po aq i mençur dhe me efekt është mesazhi i Engjëllit, i cili si bashkëshort nuk bie as nën ndikimin e veprimeve kanunore, as në vetëgjyqësi, por i drejtohet gjykatës.
Romani nxjerr në pah, nga njëra anë, personazhet pozitive që udhëhiqen nga e drejta dhe morali i drejtësisë njerëzore dhe, nga ana tjetër, personazhe negative në krahun plotësisht të kundërt.
Personazhet e marrë peng nga veprimet korruptive, ku përveshin mëngët e futen edhe fallxheshat, të cilat autori jep disi përshtypjen se janë bashkëudhëtare në këto rrjeta merimangash, dalin në pah edhe përmes personazheve dytësore si Vasili me të shoqen, si personazhe pozitive me një barrë vuajtjesh sa ekonomike e më shumë psikologjike e sociale, aq sa Vasili vdes në burg dhe djalit të tij i ndalohet t’i hedhë një grusht dhe mbi varr.
Autori domosdo mbështetet mbi ndodhi të vërteta dhe i shtjellon në vepër në formën e homazhit për këta personazhe të tij, ashtu siç shtjellon edhe dukuri të veçanta të luftës psikologjike, ku e realizon me të afërmit e gruas së Engjëllit për ta prezantuar në publik si një person anormal, ku, siç citon autori, “çerdhja e gjarpërinjve” thurnte gjithë rrjetin e intrigave për ta poshtëruar si figurë dhe për ta zhdukur si person.
Dhe është autori që, nëpërmjet personazhit kryesor, në adresë të motrës së dytë të së shoqes, e pagëzon edhe me emrin “Ku(rvë)nata”, emër me të cilin është pagëzuar edhe vepra në fjalë e Gjon Marku.
Për të realizuar atë që njerëzit e të shoqes së Engjëllit kishin gatuar, hidheshin të gjitha shigjetat helmuese në drejtim të Engjëllit, e megjithatë, me gjithë plagët që merr, ai përsëri nuk dorëzohet.
Autori këtu ndez një luftë të vërtetë, të besueshme për ato vite pa shtet dhe në një korrupsion të hapur, ku të ligut i lihet dorë e lirë. Pikërisht për këto mundësi, nën maskën e drejtësisë, arrihet që personazhit kryesor t’i hidhen prangat me pretekstin e ushtrimit të dhunës në familje, dukuri e cila kishte lulëzuar në të gjitha krahinat e vendit dhe që u pa si më e besueshmja që mund t’i faturohej edhe Engjëllit, kjo e sajuar në emër të demokracisë.
Këtë personazh autori e gdhend aq besueshëm sa, megjithëse e përballon me të gjitha poshtërsitë e mundshme të atyre viteve, kur ndërthur ngjarjen dhe baltën e hedhur mbi të, së bashku me helmin e nepërkave, jo vetëm nuk e humb vlerën e tij, por shkëlqen dhe del fitimtar mbas betejave të panumërta që kalon, me synimet e tij ndriçuese për jetën dhe njerëzit.
Kurdisjet dhe intrigat janë si të thuash materialet kryesore që mbushin romanin në të gjitha dimensionet, duke e shoqëruar me zhvillimin e ngjarjeve.
Temën tepër delikate dhe me peshë që autori ka marrë përsipër të shtjellojë nuk do të ishte e plotë nëse do kishte anashkaluar marrëdhëniet e Engjëllit me fëmijët, të cilët, siç jepet edhe në vepër, kalojnë një nga periudhat më delikate të jetës, adoleshencën. Në këtë libër, autori tregon se ai ka aftësinë të flasë edhe me gjuhën e hijeve, edhe me emigrantët, status që ia jep edhe personazhit të tij, Engjëllit, pasi nuk i mjaftojnë ato që po kalonte në vendin e tij, por i duheshin edhe kalvarët e mundimeve të emigrimit, por edhe ato me stermundime, të cilat faktikisht merren plotësisht të besueshme. Personazhi hero ja del mban, ku as valët e lumit që ai kalon në shtetin e huaj nuk ia marrin jetën, dhe fati e shpëton.
Po ashtu, autori nuk heziton të na fusë edhe në rrjetat e merimangave të personave që kishin gllabëruar drejtësinë dhe çdo normë morale të saj, duke e kthyer atë në çperfytyrim dhe vegël fitimi. Po me aq kompetencë, autori shtjellon konflikte ekonomike, ku edhe këtu është një front i luftës që i kurdisin personazhit hero të romanit për ta shkretuar ekonomikisht, nëpërmjet fallsifikimeve dhe makinacioneve, për ta nxjerrë të pastreh, gjë e cila, me mençuri dhe vendosmëri, ai i gris me sukses këto maska të sajuara.
Në këtë vepër, autori, paralel me një mori temash dytësore, shtjellon edhe atë të largimit të bashkëkombasve nga atdheu i tyre me gomone vdekjeprurëse, ku pasurohen shumë kriminelë në marrjen e jetëve të njerëzve hallexhinj e të pafat, ashtu siç përshkruan edhe heroikën në malesitë e Dukagjinit, nëpërmjet një tjetër personazhi, Nikon.
Vdekjet në penën e autorit Gjon Marku marrin një tjetër përfytyrim. Ai i përshtat besueshëm me veprimet e tyre në të gjallë, dhe për këtë mjafton të citojmë autorin ku shkruan:
“...Tani ai ishte atje thellë”, thua se nëpërmjet tij autori groposte edhe gjithë ato intriga që ishin thurur dhe bërë në kurriz të kryepersonazhit të romanit, Engjëllit, i cili përballon ato që i bëhen me lejtmotivin e gjetur: më mirë gurë se sa urë.
Dhe në fund, autori i romanit jep mesazhin final se këmbëngulja, durimi, ndershmëria, drejtësia dhe guximi, kur këto bashkohen dhe vihen për qëllime të larta njerëzore, fitojnë mbi thashethemet, korrupsionin, padrejtësinë dhe kurvëllëqet e flliqura, sado të kamufluara që të shfaqen.
Urime penës mjeshtërore të autorit të këtij romani dinjitoz, të punuar me nivel dhe pasion! Duket që autori ka shkarkuar një barrë të rëndë që mbajti vite mbi shpatulla nëpër faqet e kësaj vepre.
Ndaj dhe kjo vepër “peshon rëndë”.