Përkujtohet greva e minatorëve që shkatërroi themelet e Jugosllavisë - Bota Sot
Përkujtohet greva e minatorëve që shkatërroi themelet e Jugosllavisë

Mitrovica

Përkujtohet greva e minatorëve që shkatërroi themelet e Jugosllavisë

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 17:02
Përkujtohet greva e minatorëve

Përvjetori jubilar i grevës së minatorëve nuk është thjesht një kujtim vetëm për ne minatorët, por ka vlerë historike për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht para 30 vjetësh u vulos një kthesë e madhe për kombin shqiptar, duke i rezistuar në mënyrë të pamposhtur tërë sistemit okupues jugosllav.

Kështu u tha sot në Stantërg, me rastin e manifestimit ‘Java e Minatorëve’, përkatësisht 30-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, që asokohe pati shkatërruar themelet e Jugosllavisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, është kthimi i Trepçës në burim jete. Sipas tij, ka pasur e do të ketë vështirësi, por derisa vendi është me të drejtën e vet, nuk do të ndalet së punuari me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug.

Ai shtoi se do të punohet me secilin për rikthimin e Trepçës, ndërsa potencoi se është turp me u skuq në çfarë gjendje është lënë Trepça tash e 20 vjet.

Haradinaj: Duhet të na vijë marre si e kemi lënë Trepçën kështu

“Meqenëse kanë shkuar tri dekada e ne nuk kemi mundur ende ta rikthejmë këtë burim në jetë të ekonomisë sonë, vendit tonë, atëherë është momenti i duhur të themi se duhet të na vjen marre se si e kemi lënë Trepçën kaq gjatë kështu, si e kemi lënë që 20 vjet pas çlirimit. Fakti se sot e kemi votuar statutin e Trepçës mund të na ngushëllojë, por nuk mjafton. Ne nuk e kemi regjistruar ende Trepçën si kompani në bazë të ligjit, duhet të regjistrohet, janë aksionarët që duhet t’i marrin përgjegjësitë, aksionarë janë edhe minatorët. Pjesa e Trepçës në jug sa më shpejt duhet t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim... Minatorëve mundem me gjysmë zëri me i uruar, urime pra statutin e Trepçës dhe Trepçën, kompani në bazë të ligjit të Kosovës”, theksoi Haradinaj.

Ai bëri të ditur se Trepça në veri duhet ta përgatisë të gjithë materien e nevojshme për të gjithë punëtorët në mënyrë që të drejtat e aksionarëve të zbatohen.

Lideri i VV-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, tha se janë mbledhur sot në kujtim të grevës së minatorëve e cila para 30 vjetësh tronditi Jugosllavinë.

Ai duke krahasuar të kaluarën me të sotmen, ka potencuar se minatorët të cilët dikur më së shumti e donin Republikën, ishin edhe kundër heqjes së autonomisë, ndërsa sot ata që e dëshirojnë më së shumti bashkimin kombëtar, më së shumti e mbrojnë pavarësinë.

Kurti: Të vihemi në mbrojtje të Kosovës

“Natyrisht që minatorët e Trepçës e donin Republikën, por ata që më së shumti e donin Republikën ishin edhe kundër heqjes së autonomisë. Ngjashëm është edhe sot, ata që e dëshirojnë më së shumti bashkimin kombëtar, edhe më së shumti e mbrojnë pavarësinë. 30 vjet më vonë pra, ne duhet të vihemi në mbrojtje të Kosovës, të pavarësisë së saj, integritetit territorial, sovranitetit e të institucioneve të saj”, tha ai.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka apeluar për bashkim të të gjithëve si kurrë më parë.

Bahtiri: O sot, o kurrë të bashkohemi!

“Unë bëj apel në emër të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që o sot o kurrë të bashkohemi. Ndarja e Mitrovicës nuk ka qenë e rastësishme dhe bashkimi i forcave të minatorëve do të jetë edhe bashkim i Mitrovicës”, tha Bahtiri.

Menaxheri i Trepçës, Xhevdet Tahiri, tha se greva ishte një rezistencë gjithëkombëtare ngase aty u bashkua mbarë populli shqiptar. Ai apeloi te të gjithë që sakrifica e së kaluarës të shërbejë sot si unifikim i të gjithëve pa dallim.

Tahiri: Sakrifica e së kaluarës të na shërbejë për unifikim

“Kjo sakrificë e bërë në të kaluarën, tani duhet të na shërbejë për unifikim dhe bashkëpunim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore në ndërmarrjen Trepça. E kjo do të arrihet edhe më lehtë pasi janë krijuar kushtet e nevojshme me Ligjin për Trepçën dhe me statutin e votuar unanimisht në Parlamentin e Kosovës”, tha Tahiri.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, duke evokuar ngjarjet e së kaluarës, tha se greva e atëhershme e minatorëve bëri jehonë të madhe që përherë do të mbetet në historinë e kombit shqiptar.

Sadiku: Greva e minatorëve përherë në historinë e kombit shqiptar

“Greva e minatorëve zgjati 8 ditë, ajo bëri jehonë të madhe që përherë do të mbetet në historinë e kombit shqiptar. Kjo grevë e minatorëve kishte karakter politik dhe kombëtar, ndërsa iu bashkëngjitën punëtorë, nxënës, studentë dhe I tërë kombi shqiptar. Falë kontributit të të gjithë këtyre njerëzve ëndrra e kamotshme e kombit shqiptar u realizua me pavarësinë e Kosovës”, tha Sadiku.

Ndryshe, nga sot e deri më 28 shkurt, do të organizohen manifestime dhe aktivitete të ndryshme, ndërsa do të ketë edhe veprimtari kulturore, sportive, homazhe e vizita nëpër familje dëshmorësh dhe të ngjashme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...