Në kohë pandemie në rrugët e Mitrovicës shiten dhe prehen pulat

Mitrovica

Në kohë pandemie në rrugët e Mitrovicës shiten dhe prehen pulat

Më: 17 prill 2021 Në ora: 12:24
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në kohën kur Qeveria e vendit ka marr vendim për shkak të gjendjes pandemike që të ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në rrugët afër tregut të qytetit të Mitrovicës vazhdojnë të shiten dhe të prehen pulat, ndërsa inspektorët dhe policia shëtisin me automjetet e tyre përskaj këtyre rrugëve dhe bëhen sikur nuk shohin asgjë.

Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe të rrezikuar tejmase për shkak se pulat prehen nëpër këto rrugë pa asnjë kriter.

Alush Shala, qytetar, thotë se kjo që po ndodhë është tmerr që s’kishte dashur ta shoh as në rrugët e shteteve më të pazhvilluara në botë.

Sipas tij, në këtë kohë pandemie, dhe në këtë mënyrë, ky virus vdekjeprurës mund të shpërndahet shumë lehtë, ndërsa fajëson organet komunale për një gjë të tillë.

“Pamje të tilla nuk kisha dashur të shoh as në shtetet më të pazhvilluara në botë. Shikoni qysh shiten dhe prehen pulat në rrugë. Kjo nuk ishte dashur të ndodhë as në kushte dhe rrethana normale, e lëre më në kohë pandemie, sepse kjo mënyrë rrezikon seriozisht përhapjen e këtij virusi që ka goditur botën. Fajet i kanë organet komunale, inspektorati, por edhe policia që nuk i ndalon”, ka thënë Syla.

Antigona, një qytetare tjetër, thotë se nuk ka shtet dhe këtu nuk funksionon ligji.

“Kam dalë në treg me djalin që i ka 12 vjet dhe jam pishman që e mora me vete. Pamjet që ka pa ky sot duke i prerë pulat në rrugë, janë tronditëse. Për fat të keq nuk kemi shtet, dhe në Kosovë nuk funksionon ligji”, tha ajo.

Në anën tjetër, Fidan Ademi, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Mitrovicë, ka bërë të ditur se Inspektorati komunal ka ndaluar shitjen, e sidomos prerjen e pulave dhe kafshëve tjera nëpër rrugët e tregut.

“Kemi ndaluar rreptësishtë shitjen e kafshëve në përgjithësi, e sidomos prerjen e tyre nëpër rrugë. Megjithatë tash po ju them ekipeve të shkojnë tek ato rrugë dhe të shohin si është situata”, ka thënë shkurt përmes telefonit Ademi.

Media ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e policisë në Mitrovicë, për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat