Thesari ia ndalon të gjitha pagesat dhe shpenzimet komunës së Mitrovicës

Mitrovica

Thesari ia ndalon të gjitha pagesat dhe shpenzimet komunës së Mitrovicës

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 23:23
Agim Bahtiri

Komuna e Mitrovicës që qeveriset nga Agim Bahtiri i Vetëvendosjes është e zhytur deri në fyt nga borxhet. Kjo e ka detyruar Thesarin e Shtetit që të ia bllokojë llogaritë kësaj komune.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Shtetit, Ahmet Ismaili, ka dërguar një dokument në adresë të Ministrisë së Financave, lidhur me keqmenaxhimin e buxhetit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke detyruar të bllokohen fondet e kësaj komune.

Nëpërmjet këtij dokumenti bëhet me dije se si pasojë e këtij vendimi punëtorët komunal do mund të mbesin pa paga deri në fundvit.

Image

“Sipas evidencave të Zyrës Ligjore të Thesarit, janë mbi 100 urdhra në pritje për ekzekutim, në vlerë që arrin vlerën afër 1.3 milionë euro. Gjithashtu, sipas të dhënave të SIMFK, buxheti juaj aktual nga të gjitha fondet burimore (10, 21, 22), është i pamjaftueshëm për të përmbushur këto obligime, për të cilën jeni të vetëdijshëm, dhe nuk ju siguron as pagat e rregulluara për vitin fiskal”, thuhet në dokument.

Përgjegjësinë për marrjen e vendimit, siç thuhet në dokument, i ka mbetur Ministrisë së Financave. Siç njoftohet tutje, ligji parasheh që të ndërmerret një vendim i prerë pa të drejtë ankese ndaj rastit në fjalë.

Komuna e Mitrovicës, e as ministri i Financave, Hekuran Murati, ende nuk ka bërë ndonjë reagim lidhur me këtë dokument që i ka shkuar në adresë Ministrisë së Financave.

Kujtojmë që Agim Bahtiri, është duke kandiduar për të tretën herë për kryetar të Mitrovicës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat