FOL: Prokuroria në Mitrovicë me performancë të dobët në rastet e korrupsionit

Mitrovica

FOL: Prokuroria në Mitrovicë me performancë të dobët në rastet e korrupsionit

Më: 15 mars 2022 Në ora: 13:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Lëvizja FOL ka publikuar raportin “Performanca e Sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër korrupsionit”.

Sipas raportit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka numrin më të ulët të rasteve të korrupsionit ndërsa ajo Prishtinës ka fluksin më të madh të lëndëve të kësaj natyre.

Bëhet e ditur se Prokuroria me rezultatet më të dobëta është Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Nga 133 lëndë ka arritur të zgjedh vetëm 28 prej tyre.

Sipas raportit me fluksin me të madh të lëndëve është Gjykata Themelore e Prishtinës me 197 raste të korrupsionit në punë ndërkaq me fluksin më të vogël është Gjykata e Gjakovës me 15 raste të korrupsionit në punë.

Komunikata

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2021, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Prokuroria Speciale dhe shtatë prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 kanë pasur në punë gjithsej 802 lëndë të korrupsionit, prej të cilave ato kanë arritur t`i trajtojnë gjithsej 409 lëndë, përkatësisht 51 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë gjatë këtij viti. Ndërkaq, pjesa prej 393 lëndëve kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2022.

Norma e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës për vitin 2021 rezulton të jetë 84 %, që nënkupton së numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe ishte më i ulët se numri i lëndëve të reja të pranuara gjatë vitit.

Bazuar në të dhënat e përgjithshme statistikore të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe është Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve (120 %), normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve (4.29 %) si dhe kohën më të shkurtë të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin ngelur të pazgjidhura. Me fjalë të tjera, nga 90 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo prokurori, ka arritur të zgjidh 73 prej tyre, apo 81 %.

Ndërkaq prokuroria me rezultatet më të dobëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 (njëjtë sikurse në vitin 2020) ishte Prokuroria Themelore e Mitrovicës, e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve (0.26), normën më të ulët të zgjidhjes së lëndëve (44 %) si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara ( 2.96 ). Me fjalë të tjera, nga 133 lëndë sa kjo prokurori ka pasur në punë gjatë këtij viti, ka arritur të zgjidh vetëm 28 prej tyre, apo vetëm 13 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë.

Sa i përket numrit të aktakuzave të ngritura gjatë kësaj periudhe, shtatë prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale gjatë vitit 2021, kishin ngritur aktakuza për 335 persona në lidhje me veprat penale të korrupsionit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat