Pas 7 ditësh bojkotimi, rikthehen në punë gjyqtarët serbë në Gjykatën e Mitrovicës

Mitrovica

Pas 7 ditësh bojkotimi, rikthehen në punë gjyqtarët serbë në Gjykatën e Mitrovicës

Më: 5 prill 2022 Në ora: 10:57
Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë mëngjesin e së martës janë rikthyer në punë të gjithë gjyqtarët serbë të cilët nuk janë paraqitur në gjykatë që nga 25 marsi.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi.

Ndryshe, Veliqi ditën e djeshme konfirmoi se në cilësinë e nënkryetarit të gjykatës ka thirrur një takim me gjyqtarët nga komuniteti serb, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe në gjykatë janë paraqitur një numër i vogël i gjyqtarëve serbë, për të proceduar me rastet e natyrës urgjente.

Po ashtu, edhe stafi mbështetës i gjyqtarëve serbë janë paraqitur në punë që nga dita e dytë e bojkotimit të punës nga ana e gjyqtarëve.

Ditë më parë, nënkryetari Veliqi për “Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se një numër i gjyqtarëve serbë që nuk po paraqiten në punë kanë marrë pushime vjetore, njëri nga ta është në pushim mjekësor, dy gjyqtare të këtij komuniteti janë të angazhuara në Gjykatën e Apelit – dega në Mitrovicë, ndërsa një gjyqtar është i angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtarët e komunitetit serb nuk janë paraqitur në punë që nga 25 marsi, pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq.

Ndërsa, që nga dita e martë e javës së kaluar janë paraqitur në punë stafi mbështetës i gjyqtarëve të komunitetit serb, kurse nga e mërkura janë paraqitur edhe një numër i gjyqtarëve serbë.

Bojkotimi i punës nga ana e gjyqtarëve të komunitetit serb erdhi pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i Stevanoviq u bë pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Ndryshe, lajmin për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat