​Situata me zjarret në Mitrovicë, e menaxhueshme

Mitrovica

​Situata me zjarret në Mitrovicë, e menaxhueshme

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Situata nga rreziku i shpërfaqjes dhe shtrirjes së zjarreve fushore e malore në rajonin e Mitrovicës që ditë më parë mori përmasa të mëdha, tani paraqitet e menaxhueshme dhe nën kontroll.

Gjendje më e rëndë paraqitej në fshatrat Cërnushë, Zasellë, Vërnicë, Vaganicë dhe Vidimriq, ku për të mbajtur situatën nën kontroll u aktivizuan të gjitha kapacitetet komunale dhe më gjerë, duke përfshirë FSK-në dhe KFOR-in.

Bahtir Maxhuni, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se situata aktuale rreth zjarreve në terren është e menaxhueshme.

Sipas tij, kapacitetet komunale për menaxhimin e situatave janë të mjaftueshme, përveç kapaciteteve për të intervenuar në operativë, sepse ka mungesë të zjarrfikësve, makinerisë së tyre, si dhe pajisjeve personale.

Ai tha se shiu që ka rënë dy ditët e fundit ka ndihmuar në shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit, ndërsa falënderoi zjarrfikësit, FSK-në dhe KFOR-in për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Bahtiri: Falënderojmë Zotin që e çoi shiun

Situata aktuale është e menaxhueshme në terren. I kemi njësitë të zjarrfikësve në gjendje gatishmërie. Në momentin që rishfaqen vatrat e zjarrit, të jemi sa më afër tyre për arsye se intervenimi sa më herët pasojat janë më të vogla. Kështu që për momentin situata është nën kontroll…Kapacitetet e komunës për menaxhimin e situatave janë të mjaftueshme, përveç kapaciteteve për të intervenuar në operativë, kemi mungesë të zyrtarëve të zjarrfikësve, mungesë të makinerisë dhe pajisjeve personale të zjarrfikësve. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme në nivelin qendror që zjarrfikësit të trajtohen në mënyrë dinjitoze, mirëpo në njëfarë forme po hasim në veshë të shurdhër… Falënderojmë Zotin që dërgoi shiun dhe i shoi të gjitha pikat e vatrave të zjarrit në terren. Po ashtu, falënderoj edhe zjarrfikësit, edhe KFOR-in e FSK-në, për shkak se kanë dhënë maksimumin e mundshëm të tyre”, ka thënë Maxhuni.

Ai apeloi te qytetarët të cilët frekuentojnë zonat malore për vikende, që të kenë kujdes në hedhjen e cigareve dhe ndezjen e zjarreve për grill.

Ndërkaq, Tahir Mikullovci, drejtor i Njësisë së zjarrfikësve në Mitrovicë, potencoi nevojën e shfaqur atë ditë për të kërkuar ndihmë, pasi siç u shpreh ai, zjarri kishte tejkaluar kapacitetet e tyre. Drejtori Mikullovci theksoi veç tjerash, mungesën e stafit si problemin më të madh të tyre.

Mikullovci: Kemi nevojë edhe për 18 zjarrfikës

“Zjarri ka tejkaluar kapacitetet tona kështu që është dashur të kërkojmë ndihmë nga njësia në Vushtrri, FSK-ja na ka ndihmuar, pastaj edhe KFOR-i është aktivizuar me anë të helikopterëve për fikjen e zjarrit… Të njëjtën ditë në fshatin Vërnicë, Vaganicë, Vidimriq kemi pasur afër shtatë zjarre. Zjarri në Cërnushë dhe Zasellë ka zgjatur dy ditë, kështu që situata është e menaxhueshme dhe nën kontroll, faktikisht tani zjarre nuk ka… Si njësi profesionale e zjarrfikësve problemin më të madh e kemi me mungesë të stafit, sepse në bazë të rregullores së MPB-së në 1 mijë e 500 banorë duhet të ketë një zjarrfikës. Ne aktualisht kemi 30 zjarrfikës, kështu që na mungojnë 17-18 zjarrfikës. Pastaj edhe automjetet, disa janë të vjetruara, por janë në gjendje funksionale, komuna ka premtuar të na furnizojë edhe me dy automjete, një automjet sulmues dhe një përcjellës, dhe besoj se me furnizimin e tyre intervenimet tona do të jenë më efikase dhe gjendja operacionale e gatishmërisë do të jetë më e lartë… Për momentin I kemi pesë automjete”, u shpreh Mikullovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat