Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se vetëm në një drejtori të komunës janë ndërmarrë 444 veprime brenda afro dy muajve nga emërimi i ekzekutivit, duke e cilësuar këtë si shembull të qeverisjes efikase.
Sipas tij, veprimet janë ndërmarrë pas një gjendjeje të rëndë të trashëguar nga pushteti i kaluar, ku përfshihen uzurpimi i pronës komunale, ndërtimet pa leje, shfrytëzimi i hapësirave publike pa pagesë dhe mungesa e veprimeve ndaj deponive ilegale.
Peci njoftoi se deri tani janë rrënuar ose larguar 6 objekte dhe 14 të tjera janë në proces, janë ndërprerë 6 ndërtime pa leje dhe janë ndërmarrë 166 veprime për lirimin e hapësirave publike. Po ashtu janë larguar rreth 60 reklama të vendosura kundërligjshëm, janë shqiptuar 22 gjoba dhe janë zhvilluar aksione të rregullta për rregullimin e tregut dhe kontrollin e transportit rrugor.
Postimi i plotë:
Ja çfarë është qeverisja efikase
Dy ditë pa u bërë dy muaj nga emërimi i ekzekutivit, vetëm në njërën nga drejtoritë janë ndërmarrë 444 veprime.
Përballë një gjendjeje të rëndë të trashëguar nga pushteti i kaluar me:
•Uzurpim i pronës komunale
• Ndërtime pa leje
•Shfrytëzim i pronës komunale me dekada nga njerëz të afërt me ish pushtetin pa kryer oblgimet ligjore ndaj komunës
• Trajtim i rasteve në mënyrë Selektive
• Mosrespektim i kontratave
• Mungesë veprimi ndaj deponive ilegale brenda qytetit
• Ndërhyrja e “politikës ditore” në ekzekutimin e vendimeve përfundimtare
• Shfrytëzim i terasave komunale pa paguar detyrimet
• Shitës ambulantë në çdo cep të qytetit
• Parkingje publike të uzurpuara
• Anekse të lokaleve që nuk i paguanin asnjë cent komunës e shumë shkelje të tjera
• Tregu i gjelbër që operonte në rrugë e trotuare
Disa nga vendimet dhe veprimet që kemi ndërmarrë deri tani:
• 6 objekte janë rrënuar/larguar dhe 14 të tjera janë në proces
• 6 ndërtime pa leje janë ndërprerë
• 166 veprime për lirimin e hapësirave publike
• Aksione të rregullta javore për risistemimin e tregut
• Aksione në transportin rrugor për mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve për udhëtarët
• Vendosja e shiritave në 5 objekte për mosrespektim të dispozitave ligjore
• Rreth 60 reklama të vendosura kundërligjshëm janë larguar nga hapësirat publike
• Largim i plotë i mbetjeve të shitësve ambulantë tek Liqeni Akumulues
• 22 gjoba të shqiptuara ndaj shkelësve të ligjit
• Inspektime të rregullta me inspektorët sanitarë për zbatimin e ligjit kundër duhanit në hapësirat e mbyllura publike (gjoba dhe mbyllje lokalesh)
• Ndalim i punimeve të paautorizuara në hapësira publike (rrugë dhe trotuare)
Vlen të theksohet se për herë të parë po zbatohet një praktikë e qartë e përgjegjësisë ligjore: në rastet kur uzurpatorët nuk i rrënojnë objektet brenda afatit të përcaktuar ligjor, Komuna ndërhyn për rrënimin e tyre, ndërsa shpenzimet obligohen t’i mbulojnë vetë uzurpatorët.
Mbesim të përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.
Askush mbi ligjin!