​Rritja e çmimeve botërore të ushqimeve nuk po ngadalësohet, një rekord i ri 10-vjeçar

Ndryshe

​Rritja e çmimeve botërore të ushqimeve nuk po ngadalësohet, një rekord i ri 10-vjeçar

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare u rritën për të katërtin muaj radhazi në nëntor, të nxitura nga kërkesa e fortë për grurë dhe produkte qumështi, njoftoi sot Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).

Indeksi i çmimeve të ushqimeve, i llogaritur nga FAO, ishte mesatarisht 134.4 pikë muajin e kaluar, niveli i tij më i lartë që nga qershori 2011 dhe një rritje prej 1.2 për qind në krahasim me tetorin, sipas një raporti të publikuar në faqen e internetit të agjencive botërore.

Ky tregues, i cili pason ndryshimet mujore të çmimeve globale të pesë ushqimeve bazë – drithërat, sheqeri, vajrat bimore, qumështi dhe produktet e qumështit dhe mishi, është rritur me 27.3 për qind krahasuar me nëntorin 2020.

Rritja më e madhe në muajin nëntor u regjistrua në çmimet e qumështit, me 3.4 për qind krahasuar me muajin e kaluar, si pasojë e kërkesës së madhe globale për importe për gjalpë dhe qumësht pluhur, teksa klientët kërkuan të siguronin dërgesa në vend në pritje të situatës me përkeqësimin e tregut të ofertës.

Drithërat u rritën me 3.1 për qind krahasuar me muajin tetor dhe krahasuar me nëntorin 2020, shënuan rritje të çmimit prej 23.2 për qind. Çmimet e eksportit të misrit u rritën lehtë, çmimet ndërkombëtare të orizit mbetën kryesisht të qëndrueshme, ndërsa çmimet e grurit arritën nivelin më të lartë që nga maji 2011.

Rritja e kuotës së grurit është një reflektim i kërkesës së lartë në kushtet e furnizimit të pakët, veçanërisht grurit me cilësi të lartë, por rritja e tyre u ndikua edhe nga shqetësimet për reshjet e parakohshme në Australi dhe pasiguria në lidhje me ndryshimet e mundshme në masat e eksportit në Federatën Ruse.

Çmimet e sheqerit u rritën me 1.4 për qind me bazë mujore në muajin nëntor, ndërkohë që u rritën me gati 40 për qind në bazë të një viti më parë. Kjo rritje u nxit kryesisht nga çmimet më të larta të etanolit, megjithëse dërgesat e mëdha nga India dhe perspektivat pozitive për eksportet e sheqerit nga Tajlanda lehtësuan presionin mbi trendin rritës.

Sa i përket vajrave bimore, çmimet e tyre ranë me 0.3 për qind nga niveli rekord i arritur në tetor, për shkak të çmimit më të lirë të sojës dhe vajit, si dhe çmimeve më të ulëta të naftës bruto. Çmimet globale të vajit të palmës kanë mbetur të qëndrueshme.

Çmimet ndërkombëtare të mishit ranë gjithashtu me 0.9 për qind për të katërtin muaj radhazi, të nxitura nga rënia e blerjeve të mishit të derrit në Kinë. Kuota e mishit të deleve gjithashtu ranë ndjeshëm për shkak të rritjes së ofertës për eksport nga Australia. Çmimet e viçit dhe mishit të shpendëve ishin kryesisht të qëndrueshme.

Në një raport të veçantë, i cili u publikua gjithashtu sot, FAO parashikon se prodhimi botëror i drithërave do të arrijë në 2.791 milionë tonë në vitin 2021, që është një rekord i ri dhe 0.7 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Krahasuar me vitin 2020, vlerësohet se prodhimi i drithërave të trashë dhe orizit në mbarë botën do të rritet përkatësisht me 1.4 për qind dhe 0.9 për qind, ndërsa prodhimi i grurit do të bjerë me 1 për qind.

Gjithashtu parashikohet që konsumi global i drithërave në 2021/22 do të rritet me 1.7 për qind në 2.810 milionë tonë, dhe se rezervat botërore të drithërave do të bien me 0.9 për qind deri në fund të sezonit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat