A është kryeqyteti i Kosovës më i shëmtuari në Evropë?

Prishtina

A është kryeqyteti i Kosovës më i shëmtuari në Evropë?

Më: 6 mars 2019 Në ora: 09:35
Prishtina

Gazetarja Deborah Huso, e cila shkruan për disa nga mediat më prestigjioze botërore, ka bërë një shkrim për BBC duke përshkruar vizitën e saj dyditore në Prishtinë. Titulli këtij shkrimi është “A është kryeqyteti i Kosovës më i shëmtuari në Evropë?”.

Huso shkruan se asnjëherë nuk kishte menduar të vizitonte Prishtinën, por vendosi të kalonte në Kosovë pas një vizite 10-ditore në alpet shqiptare. Pasi i bën një historik të shkurtër për luftën e deri tek pavarësia, ajo nis të shkruajë për impresionet e saj në kryeqytet.

Sipas saj, ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët me pluhur i japin një shije të keqe Prishtinës. Ndërsa ajo citon edhe disa media të tjera të cilat nuk e kanë lavdëruar arkitekturën e Prishtinës. Ajo thotë se shumë prej ndërtimeve otomane janë zëvendësuar me ato komuniste gjatë kohës sa Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë.

Duke folur për Bibliotekën Kombëtare, Huso thotë se ajo është cilësuar si ndërtesa më e shëmtuar në botë, por ka një bukuri sapo hynë brenda. Arkitektura e brendshme, shkruan ajo, dëshmojnë lidhjen e bizantine dhe islamike te Prishtinës.

Duke u ndalur tek objektet fetare, Huso thotë se ndërtimi i katedrales është një ironi më vete për dy arsye, e para për shkak se Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa e dyta 90% e popullsisë është myslimane. Mirëpo, ajo thotë se ndërtimi i Katedrales “Nënë Tereza” paraqet dëshirën e kosovarëve për të lënë pas krahëve të kaluarën të mbushur me konflikte, më shumë etnike sesa fetare.

Huso citon guidën e saj, Bekim Xhemili, i cili ka thënë se për katedralen donatorë kanë qenë shqiptarë myslimanë e katolikë, të cilët jetojnë në vende të tjera, por kryesisht donacionet kanë ardhur nga mërgimtarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga mërgimtarët, Huso shkruan se varet edhe ekonomia e vendit. Edhe të dhënat që i janë prezantuar asaj, shkruan se në vitin 2015 diaspora solli në vendlindje 752 milionë euro. Ajo thekson edhe numrin e lartë të të papunëve.

Gjëja më e mrekullueshme në Prishtinë, thotë Huso, është kultura e kafesë. Makiato në Prishtinë, sipas saj, mund të rivalizojë edhe një makiato në Itali për nga shija. Ajo thekson numrin e lartë të kafeneve që sipas saj janë 100 sosh për 200 mijë banorë. Kafenetë thotë janë një vendtakim për të gjithë.

Ajo më pas shkruan për “Newborn”, memorialin “Heroinat” për të cilin thotë se përdhunimi i 20 mijë grave gjatë luftës ka qenë një nga ngjarjet më tragjike. Më pas shkruan për statujën e Bill Clinton dhe lidhjen e kosovarëve me Amerikën.

Në fund, Huso shkruan se Prishtina nuk i ngjan as Parisit, as Romës, por ka kuptuar se nëse e kujtoni të kaluarën dhe e humbisni veten në të tashmen, ju do të gjeni njerëz që po tentojnë të rikuperojnë veten dhe të rinj që janë të etshëm për të shkruar një kapitull të ri. Dhe kjo, për Hyson, është një gjë shumë e bukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat