‘Shpend negociatori’ realizoi vetëm 12% të premtimeve në Prishtinë - Bota Sot
‘Shpend negociatori’ realizoi vetëm 12% të premtimeve në Prishtinë

Prishtina

‘Shpend negociatori’ realizoi vetëm 12% të premtimeve në Prishtinë

Më: 6 prill 2019 Në ora: 16:34
Shpend Ahmeti

Premtimet elektorale të kandidatëve për kryetarë komunash janë të shumta, e realizimi i tyre shpesh ngec e mungon.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fushatën e tij elektorale i dha jo më pak se 81 premtime për t’i realizuar gjatë mandatit të tij të dytë si kryetar i Prishtinës.

E tash që kanë kaluar 1 vit e 3 muaj nga fillimi i mandatit të tij të dytë si kryetar i kryeqytetit, në një statistikë të fundit të Institutit Gap i publikuar më 31 dhjetor të 2018, në tabelën e projekteve të Komunës së Prishtinës që ishin premtuar nga kryetari Ahmeti, të përfunduara figurojnë vetëm 10, nga 81 sa i ka premtuar

Disa nga premtimet e përmbushura nga kryetari Shpend Ahmeti janë ‘projekte që kryhen me një fjalë’, si  “Themelimi i Drejtorisë së Parqeve, Testimi me shkrim i kandidatëve për mësimdhënës, Funksionalizimi i “Info Qendra Turistike” dhe Fondi i veçantë financiar për mbështetjen e nismave për grafitë artistike në muret dhe hapësirat e qytetit.

Ndër këto premtime të realizuara janë edhe: “Prokurimi elektronik me qasje edhe për qytetarë, Rindërtimi i rrugës “Richard Holbrooke” , zgjerimi i rrugëve “Holger Petersen” dhe “Gjilani” në Hajvali, Hartimi i një plani të ri për mbledhjen e mbeturinave në qytet, Ndarja e 1 milion eurove çdo vit për parqet në qytet, Autobusë tjerë të rinj në Prishtinë, Hapja e një kuzhine popullore”

Kjo përkthyer në përqindje, i bie se vetëm 12,5 për qind të premtimeve parazgjedhore të Shpend Ahmetit janë realizuar në tërësi.

Ndërkohë, 2 premtime tjera janë gjysmë të përmbushura, e 30 të tjera veç kanë filluar.

Ndarja e mbeturinave sipas produkteve dhe materialit që fillimisht është planifikuar të ndodh në lagjen Dardania dhe vendosja e katër E-kioskave nëpër bashkësi lokale janë dy projekte të Ahmeti i ka gati të përfunduara.

Ndërsa, komuna e Shpend Ahmetit ka filluar 30 projekte të tjera, të cilat nuk janë as afër përfundimit.

Ndërtimi i pesë shkollave në Prishtinë: “Sofali”, “Kalabri”, “Arbëri”, “Mati 1”, dhe në zonën “Prishtina e re” ishte një nga premtimet parazgjedhore të Ahmetit, e deri më tani vetëm shkolla në lagjen ‘Arbëria’ është përfunduar, ndërsa për të tjerat procesi i përzgjedhjes së lokacionit ende nuk ka përfunduar.

Njëlloj ka ndodhur edhe me premtimin e tij për ndërtimin dhe hapjen e çerdheve të reja në vitin 2018: “Kalabri”, “Kolovicë”, “Bardhosh” dhe “Prishtina e re” e që nuk janë realizuar.

Premtime shumë me rëndësi të kryetarit Shpend Ahmeti, që kanë filluar por nuk janë as afër të realizohen janë edhe ofrimi i pronave komunale për shfrytëzim për biznese dhe bujq e që nuk janë dhënë, ndërtimi i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik ku ani pse është nënshkruar kontrata, puna nuk ka filluar ende.

Lidhja e rrethit të Fushë Kosovës me lagjen “Arbëria”, Rregullimi i varrezave të dëshmoreve në Prishtinë, Ndërtimi i qendrave kulturore në lagjen “Kodra e Trimave” dhe lagjen “Ulpiana”, janë premtime të tjera të Ahmetit të cilat kanë filluar procedurat për ende nuk janë as në fazën e parë të realizimit të tyre.

Zgjerimi i rrjetit të Termokosit ka filluar të ndodh vetëm në një pjesë të Bregut të Diellit dhe disa zona të Ulpianë.

Ende nuk ka filluar as ndërtimi i sallës koncertale, as hapja e strehimores rajonale për vendosjen dhe trajtimin e qeneve endacakë, as ndërtimi i qendrave sociale për të moshuar e as nuk është funksionalizuar ndërmarrja lokale “Prishtina Parking”.

E komuna e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe njërit nga kryesuesit e delegacionit të Kosovës për dialogun, nuk ka filluar fare një varg të projekteve me rëndësi që ishin premtuar në fushatën zgjedhore.

Formimi i Odës Ekonomike të bizneseve të Prishtinës, Vazhdimi i mësimit gjithë ditor në disa shkolla të Prishtinës, Ndërtimi i ‘Rrugës A’ në Lagjen “Mati”, Ndërtimi i një QMF-je në lagjen “Veternik”, Një autoambulancë do të jetë e dedikuar në hapësirat e parkut të Gërmisë dhe të tjera premtime as nuk janë filluar.

Nëse e llogarisim me përqindje, nga 81 premtimet e Shpend Ahmetin vetëm 10 prej tyre janë realizuar që i bie të jetë vetëm 12.5 për qind.

Në anën tjetër, 30 nga këto premtime janë në fazën fillestare të tyre të realizimit, e pothuajse gjysma e tyre, saktësisht 39 prej tyre ende nuk kanë filluar.

Shpend Ahmeti është akuzuar kohëve të fundit nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje se e ka lënë pas dore komunën pas përfshirjes së tij në ekipin negociues me Serbinë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...