Komuna e Prishtinës ndalon fletushkat, bizneset thonë se kjo i dëmton - Bota Sot
Komuna e Prishtinës ndalon fletushkat, bizneset thonë se kjo i dëmton

Prishtina

Komuna e Prishtinës ndalon fletushkat, bizneset thonë se kjo i dëmton

Më: 5 maj 2019 Në ora: 16:47
Fletushkat

Që nga data 1 maj, ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ i cili ndëshkon me gjoba mandatorë të cila bizneset të cilat shpërndajnë fletushka nëpër rrugë, vetura, hyrje të ndërtesave kolektive e në të gjitha vendet ku janë shpërndarë deri më tani. Inspekcioni tashmë ka filluar t’i dënojë bizneset që e bëjnë një gjë të tillë, ndërkaq nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë thonë se kjo shkon në dëm të bizneseve

Nëpër hyrje të ndërtesave, vetura e rrugë jemi mësuar të shohim çdo herë fletushka të cilat i shpërndajnë bizneset e ndryshme për të reklamuar produktet e tyre. Këtë formë të marketingut kompanitë e kanë përdorur edhe për t’i lajmëruar konsumatorët për ndonjë zbritje të çmimeve në artikuj të caktuar.

Por kjo gjë duket se e ka penguar Komunën e Prishtinës e cila ka marrë vendim për ndalimin e tyre. Tash e tutje, inspektorët e kryeqytetit do t’u vënë gjoba të gjitha bizneseve të cilat shpërndajnë fletushka.

Kreu i Inspekcionit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se arsye për këtë vendim janë ankesat e shumta të qytetarëve si dhe për shkak se me këto fletushka po ndotet mjedisi.

“Gjobat janë sipas Udhëzimit Asministrativ (UA) 06/2018 për gjobat mandatore. Ka 1 muaj që kemi bërë thirrje publike që të ndalet kjo formë e marketingut, ngase ka ankesa të shumta prej qytetarëve dhe po ndotet mjedisi. Nga 1 maji kemi filluar me gjoba, që janë në vlerë prej 90 euro sipas UA”, ka thënë Tahiri.

Ai bën të ditur se gjoba prej 90 eurosh ndaj kompanive do të shqiptohen në secilin rast ku gjenden fletushka.

“90 euro për secilin rast, pra për secilën hyrje, e për secilin kat ku janë të shpërndara. Po ashtu, edhe kudo që hasen nëpër parkingje e në rrugë. Tashmë kemi caktuar grupet e inspektorëve që do të merren vetëm me këtë çështje”, ka theksuar Tahiri.

Ai po ashtu ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook edhe dënimet të cilat janë shqiptuar deri më tani që nga marrja e vendimit për ndalimin e fletushkave.

Por, Rrjeti i Shitësve me Pakicë po e sheh si të dëmshëm këtë vendim të KP’së. Yllka Metaj, Drejtoreshë e RRSHP’së ka thënë për Express se shpërndarja e fletushkave ka qenë njëri prej mjeteve më të mira për informimin e konsumatorëve për oferta dhe shërbime të cilat i ofrojnë bizneset.

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë ju njofton që ky vendim i dëmton shumë bizneset anëtare meqë fletushka vazhdon të jetë njëri prej mediumeve kyçe për audiencën e gjerë në Prishtinë dhe në Kosovë, për t’u njoftuar rreth produkteve, ofertave apo shërbimeve që këto biznese ofrojnë. Deri më tani ky medium ka qenë faktori kryesor i informimit të konsumatorit për çmimet e produkteve të cilat kanë ndikuar në rritje të shitjeve dhe lehtësim në përzgjedhje për konsumatorin”, ka thënë Metaj.

Metaj thekson se në Kosovë shitja me pakicë është punëdhënësi më i madh i sektorit privat në vend.

“Anëtarët e rrjetit tonë të shitjes me pakicë mbështesin mbi 20,000 vende pune në Kosovë. Anëtarët e shoqatës janë: ETC, Viva Fresh, InterEX, Super Viva, Meridian Express, Albi Shopping, Maxi, KFC, Prince Coffee Shop dhe Jysk”, thekson Metaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...