​Prishtina vazhdon në karantinë, por jo të gjithë i respektojnë masat - Bota Sot
​Prishtina vazhdon në karantinë, por jo të gjithë i respektojnë masat

Prishtina

​Prishtina vazhdon në karantinë, por jo të gjithë i respektojnë masat

Më: 17 prill 2020 Në ora: 18:13
Prishtinë

Është dita e tretë prej kur kanë filluar të zbatohen masat e reja për kufizim të lëvizjes, me qëllim të parandalimit të përhapjes së korona virusit. Me vendim të ri, qytetarët mund të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë, në orare të caktuara në bazë të numrit të parafundit personal të letërnjoftimit.

Komuna e Prishtinës të dielën ka shpallur zonë karantinë, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me korona virus. Një natë para se të merrej ky vendim ishin konfirmuar njëzet raste të reja me Covid-19 në këtë komunë.

Lagjet Mati 1, konkretisht rruga “Ndue Perlleshi”, Tophane-rruga “Lidhja e Prizrenit” dhe Veternik në komunën e Prishtinës, ishin shpallur vatra të përhapjes së virusit.

Në hyrje dhe dalje të Veternikut kanë vazhduar edhe sot kontrollet nga Policia e Kosovës, për të mos lejuar lëvizjet nga të dyja anët, pa posedimin e lejes për qarkullim pa leje.

Ndër të tjera, qytetarët duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse, maska dhe doreza, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre.

Megjithatë, jo të gjithë po respektojnë ato. Adem Uka, i cili është banor i komunës së Prishtinës, thotë se frikësohet nga vendosja e maskës, meqë sipas tij, nuk janë të detyruar që të gjithë të kenë me vete.

Uka: Nuk e vendosi maskën sepse i frikësohem

"Masat gjithsesi duhet me i respektu, kohën, orarin dhe gjitha këto. Sa i përket maskave, kam lexuar duhet ta vendosin posaçërisht ata të cilët janë të infektuar. Derisa unë nuk kam grip nuk e shoh të arsyeshme dhe i frikohem maskave, ka substanca kimike, ngjyra të ndryshme dhe gjatë frymarrjes mundem me u helmu dhe frikohem", thotë Uka.

Uka tregon se numri i tij personal i parafundit, është 6, dhe ka shfrytëzuar mundësinë pë r lëvizje gjatë kësaj kohe.

Uka: Kam dal për ajrosje

"Kam numrin 68 në fund... sot është deri në 4 e gjysmë. Kam dalur në ora 15:30.. për ajrosje për ecje", shton ai.

E Valdrin Rrustemi, ani pse i pajisur me masa mbrojtëse, tregon se ndihet i frikësuar nga përhapja e virusit covid-19.

Rrustemi: Jemi duke u frikësuar

"Për momentin jam duke i respektuar, e kam edhe dokumentin e lëvizjes që e kam marrë për me qarkullu... është vështirë pak, por çfarë të bëjmë, tash situata e ka bëre të vetën, nuk kemi qare. Edhe pse kanë bërë panik të madhe, jemi duke i frikësuar", thekson Rrustemi.

Shpresim Zefti i cili thotë që sapo ka përfunduar orarin e punës, thotë se këto masa të cilat janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë duhet të respektohen.

Zefti: Duhet t’i respektojmë masat e vnedosura nga Qeveria

"Këto masa nuk është vështirë me u res pektu, nëse dëshiron me i respektu. Nuk është vështirë aspak, pajisemi me doreza me maska, dhe ta respektojmë orarin. Atë që e vendos qeveria për ne është në rregull, nuk ka çka të komplikohet. Nëse ata na obligojnë të qëndrojmë brenda 24 orë duhet me i respektu në maksimum që të kemi një shëndet të mirë për vete dhe për gjithë familjen", shprehet ai.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës janë ndaluar 31 persona, meqë të njëjtit nuk kanë respektuar orarin e lëvizjes. Policia ka njoftuar se 11 persona janë shoqëruar në stacion policor, pasi që nuk kanë vepruar sipas dispozitave shëndetësore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat