​AKR përmbyll fushatën, Pacolli: Kemi ekipin më të mirë për Prishtinën

Prishtina

​AKR përmbyll fushatën, Pacolli: Kemi ekipin më të mirë për Prishtinën

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 18:36
Behgjet Pacolli


Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Prishtinës Gëzim Mehmeti ka përmbyllur fushatën zgjedhore, ku presidenti i kësaj partie Behgjet Pacolli tha se subjekti që e udhëheq ka kandidatet dhe kandidatët më të mirë për kryeqytetin.

Në takimin përmbyllës, Pacolli tha se informatat nga tereni janë inkurajuese dhe se kandidati i tyre për të parin e Prishtinës meriton të udhëheqë me kryeqytetin. Ndërkohë që tha se ky i fundit ka bërë fushatë të mirë dhe të dinjitetshme gjatë gjithë fushatës.

Pacolli: Kemi kandidatët dhe kandidatet më të mira për kryeqytetin

“Të gjithë thonë se kësaj radhe ne kemi kandidatët dhe kandidatet më të mira për Kuvendin komunal të Prishtinës... Dua nga thellësia e zemrës t’iu dëshiroj suksese të gjithëve, sa më shumë vota dhe të gjithë të jeni në Asamblenë e Prishtinës. Unë jam i bindur se ju ashtu siç keni punuar deri më tani, edhe më tutje do të jeni mbrojtësit e interesave të qytetarëve, do të jeni zëri i sinqertë i tyre. Jam i bindur se secili prej jush e ka të qartë idenë e AKR-së, dhe jam i bindur që ju e keni kuptuar që vetëm me punë të dinjitetshme arrihet suksesi”, tha ai.

Duke folur për programin që partia e tij ofron, Pacolli tha se do të ishte dëm i madh nëse do të ndërpritej puna e mirë dhe e dinjitetshme e AKR-së në Prishtinë.

Ai ftoi qytetarët që të votojnë drejt, ndërsa foli edhe për rëndësinë që ka zgjedhja e presidentit të vendit nga populli.

Pacolli: Do të ishte shumë më dinjitoze po të ishte zgjedhur presidenti nga qytetarët, jo nga deputetët

“E kemi parë se një mangësi e madhe e ka përcjellë politikbërjen në Kosovë, mungesa e zgjedhjes së presidentit nga qytetarët. Kemi qenë ne të parët që e kemi promovuar këtë ide dhe kemi thënë se: ‘nuk ka politikë të mirëfilltë në Kosovë nëse presidenti nuk është i fortë. Ai do të jetë i fortë vetëm nëse zgjidhet nga qytetarët.’ Dhe, sot kemi një president që zgjidhet nga deputetët. Gjykojeni vet se a është zgjidhje e drejtë apo jo, do të ishte shumë më dinjitoze po të kishte qenë zgjedhja nga qytetarët”, tha Pacolli.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit, Gëzim Mehmeti, tha se programi ‘Smart City’ është zgjidhja më e mirë për kryeqytetin.

Ai u zotua se do të ndalë nepotizmin dhe se do të kthejë besimin e qytetarëve në institucionin që ai pretendon ta udhëheqë.

Mehmeti: Do të bashkëqeverisim me qytetarët e Prishtinës

“Ne zotohemi se prapë do të jemi ata të cilët do t’ua përmirësojmë kushtet për përmirësimin e jetës së tyre (qytetarëve)dhe do të mendojmë çdo herë në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies sociale. Kemi dhe premtojmë që transparenca është ajo në të cilën do të kthehet besimi i qytetarëve në institucion, i cili është humbur. Gjatë mandatit tim, nuk do të ketë dhe nuk do të lejojmë që të ketë punësime sipas kritereve të nepotizmit, këtë do ta bëjmë përmes qendrës monitoruese që do të vendoset në qendër të Prishtinës. Do të bëjmë atë që nuk e ka bërë askush, do të bashkëqeverisim me qytetarët e Prishtinës, të cilët çdo herë, 24 orë, do të ketë qasje në këtë institucion, gjë që momentalisht mungon”, tha Mehmeti.

Nënkryetari i AKR-së, njëherësh kryetar i shtabit zgjedhor, Selim Pacolli ftoi qytetarët e Prishtinës që të votojnë numrin 149 në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, duke premtuar se do të vazhdojnë punët e mira, që siç tha ai, kanë bërë në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat