​Prishtina bëhet me drejtori për siguri, Rama: Synojmë mbrojtjen e qytetarit

Prishtina

​Prishtina bëhet me drejtori për siguri, Rama: Synojmë mbrojtjen e qytetarit

Më: 2 mars 2023 Në ora: 13:01
Përparim Rama

Prej sot, Komunës së Prishtinës i është shtuar një drejtori, ajo e sigurisë dhe emergjencës. Kryetari Përparim Rama tha se qëllimi kryesor i kësaj drejtorie është mbrojtja e qytetarit.

Rama në një konferencë për media tha se qeverisja lokale është thelbësore për organizimin e jetës shoqërore politike dhe ekonomike.

Rama: Siguria na bashkon

“Qeverisja lokale është thelbësore për organizimin e jetës shoqërore politikë e ekonomike, si e tillë është kontakti i parë i qytetarëve me aktivitetet qeverisëse. Në këtë kontekst me bashkësi kontribuojnë në marrëdhënie të përmirësuara mes shtetit dhe qeverisë. Siguria në bashkësi nuk ka të bëjë me parandalimin e krimit por edhe me nderimin e komuniteteve të forta dhe gjithëpërfshirëse, disa nga shumë çështje që prekin sigurinë në bashkësi në Kosovë e sidomos në kryeqytet janë siguria e qytetarëve, siguria në komunikacion, siguria e grupeve të cenueshme, aspektet e sigurisë për mbrojtjen e mjedisit, siguria e hapësirave publike, siguria nga qentë endacakë, siguria e nxënësve”, theksoi Rama.

Shpëtimi i jetës, mbrojtja e qytetarëve si dhe planifikimi e reagimi, sipas Ramës, janë disa nga objektivat e kësaj drejtorie.

Rama: Synimi kryesor është mbrojtja e qytetarit dhe të bëjë planifikime

“Disa nga përgjegjësitë e drejtorisë janë: drejtoria përgatitet për themelimin e policisë se kryeqytetit në harmoni me ligjin për kryeqytetin, përkujdeset për aspektin e sigurisë në aspektin rural dhe urban të kryeqytetit, identifikimin dhe ofrimin e sigurisë si dhe koordinim në aspektin lokal, themelon njësi të veçanta bazuar në nevojat e kryeqytetit, koordinimin me agjencinë për menaxhimin e emergjencave, e kështu me radhë”, potencoi Rama.

E në krye të kësaj drejtorie do të jetë, Lulëzim Kushtica, i cili tha se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet përkatëse në të mirë të qytetarit.

Kushtica: Fokusi kryesor do të jetë qytetari

“Do të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe agjencitë tjera të zbatimit të ligjit, por fokus do jetë qytetari, se të gjitha brengat do t’i adresojmë. Sa më drejt e sa më mirë do t’i adresojmë të gjitha çështjet”, tha Kushtica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat