Kërkohet përjashtimi i gjykatëses Vlora Pacolli nga gjykimi në rastin e punimeve në “Rrugën A”

Prishtina

Kërkohet përjashtimi i gjykatëses Vlora Pacolli nga gjykimi në rastin e punimeve në “Rrugën A”

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Përfaqësuesi i autorizuar i operatorit ekonomik “Sallahu” sh.p.k, avokat Daut Rudi në seancën e sotme përgatitore ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses, Vlora Pacolli- Rexhepi nga gjykimi i çështjes për rastin e punimeve në “Rrugën A”.

Sipas avokatit Rudi, gjykatësja Pacolli-Rexhepi ka treguar anshmëri dhe jo objektivitet në këtë çështje.

“Keni treguar anshmëri dhe jo objektivitet, ky jo objektivitet vërtetohet edhe në seancën e sotme”, tha avokati Rudi.

Avokati Rudi tha se gjykatësja në fjalë nuk i ka zbatuar udhëzimet e dhëna nga shkalla e dytë pas kthimit të rastit në rivendosje.

Por, me këto kritika të avokatit Rudi nuk është pajtuar gjykatësja Pacolli-Rexhepi, duke ia tërhequr vërejtjen të njëjti. Sipas saj, konstatimet lidhur me aktvendimin për caktimin e masës avokati ka pasur të drejtë dhe beson se i ka paraqitur edhe në ankesat kundër këtij vendimi.

Tutje avokati Rudi tha se seanca e sotme nuk është dashur fare të caktohet për arsye se se lënda është dashur të shkojë sërish në shkallën e dytë pasi që sipas tij, më 12 dhjetor 2023, dy ndërhyrësit dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), kanë ushtruar ankesë e po ashtu më 13 dhjetor 2023 Komuna e Prishtinës ka ushtruar ankesë.

Lidhur me këtë gjykatësja Pacolli-Rexhepi iu drejtua avokatit Rudi duke i thënë se nuk është ai që i përcaktoni rregullat e procedurës.

Pas kërkesës së avokatit Rudi për përjashtimin e gjykatëses, Pacolli- Rexhepi nga ky rast, seanca e sotme është ndërprerë, ndërkaq lidhur me vendimin për përjashtim të gjykatëses do të vendose kryetari i Gjykatës Komerciale.

Ndryshe, Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, përmes aktvendimit e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

Mirëpo, ky vendim ishte atakuar dhe Dhoma e Shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale kishte vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.

“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhej në vendimin e shkallës së dytë.

Por, më 30 nëntor 2023, Dhoma e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, sërish e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

Sipas padisë së ushtruar me 24 prill 2023, “ Pro & Co Group” ka kërkuar anulimin e vendimit të lëshuar me datë 19 prill 2023 nga Organi Shqyrtues i Prokurimit me të cilin vendim është refuzuar si e pabazuar ankesa e paraqitur nga GOE “Levantina Ingineria Y Construction” dhe Pro and Co Group Sh.p.k .

Sipas padisë me 14 korrik 2022 Kuvendi Komunal i Prishtinës ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A- Pjesa e parë”.

Me 24 shkurt 2023 Kuvendi Komunal pas hapjes së ofertave ka publikuar njoftimin mbi vendim sipas së cilit është rekomanduar për kontratë GOE Sallahu shpk and Altisconstruction LTD me vlerë prej 8 milion e 497 mijë e 801 euro e 6 centë.

Tutje thuhet se me datë 1 mars 2023 paditësi ka dorëzuar pranë Kuvendit Komunal kërkesën për rishqyrtimin e vendimit të cituar më lartë e cila është refuzuar si e pabazuar me vendimin e datës 8 mars 2023 të nxjerrë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Andaj me 17 mars 2023 paditësi ka parashtruar anekse që lënda të kthehet në rivlerësim mirëpo me 19 prill 2023 e paditua OShP ka nxjerrë vendimin e kontestuar me padi me të cilën ka refuzuar ankesat e parashtruara dhe ka lënë në fuqi vendimin e datës 24 shkurt 2023 për dhënie të Kontratës për aktivitetin e Prokurimit “Ndërtimi i rrugës A- Pjesa e parë” me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2.

Përmes kësaj padie paditësi “Pro and Co Group” sh.p.k ka kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të lëshuar nga OShP me 19 prill 2023, anulimin e vendimit të lëshuar nga Kuvendi I Komunës së Prishtinës I datës 8 mars 2023 mbi refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, anulimin e njoftimit mbi vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës të datës 24 shkurt 2023 dhe kthimin e lëndës në rivlerësim pranë AK- Kuvendit të Komunës së Prishtinës./BetimipërDrejtësi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat