Rruga ‘Te kafet e vogla’, nuk rregullohet deri në fund të verës - Bota Sot
Rruga ‘Te kafet e vogla’, nuk rregullohet deri në fund të verës

Prishtina

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Rruga ‘Te kafet e vogla’, nuk rregullohet deri në fund të verës

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 10:39
Rruga ‘Te kafet e vogla’

Gropa, kanale, pluhur, makineri të punës e bllokim i qarkullimit për vetura dhe këmbësorë. Kjo është gjendja e vetëm një prej rruge në kryeqytet.

Punimet që po bëhet në rrugën “Fehmi Agani” që më shumë se tre muaj, do duhej të përçudnonim brenda 60 ditësh. Banorët dhe bizneset në këtë rrugë po ankohen vazhdimisht, e Komuna e Prishtinës thotë se punimet përfundojnë në fund të verës.

Në këtë rrugë, ditët i kalon Destan Mjekiqi. Ai punon taksist dhe shpjegon për humbjet që i janë bërë, ku sipas tij, zgjatja e punimeve është bërë për shkak se nga dy herë bëhet e njëjta punë.

Mjekiqi: Punohet një send kthehet prapë edhe një herë

“Kjo rrugë është një pengesë shumë e madhe, arsyeja numër një se disa herë e njëjta punë kryhet pasi që këta nuk janë duke punuar me projekte fare. Punohet një send kthehet prapë edhe një herë, deri në pesë, gjashtë herë e njëjta gjë që duhet me u punua. Brenda një dite një kanalizim apo një gyp që ka mundësi me u rregullua këta e prishin se nuk kanë projekt, vetëm punojnë ashtu paushall dhe kërcet një gyp prapë duhet e qel. Këtë lagje e ka shkatërruar në përgjithësi dhe neve taksistëve na ka dëmtuar dhe të gjitha këto biznese diku 70 përqind i ka dëmtuar”, tha ai.

Ndërsa, Leonard Krasniqi banor në këtë rrugë thotë se as dritaret nuk mund t’i hapin nga pluhuri që po shkaktohet nga punimet.

Krasniqi: Ne nuk mundemi me i hap dritaret prej pluhurit

“Punimet na pengojnë për shkak se bëhet zhurmë shumë, pluhur shumë dhe ka këtu familjarë që banojnë. Kryesisht është një lagje shumë e qarkullueshme dhe po mendoj që e kanë bërë një gabim pasi më herët është dashur që të bëhet kjo, por jo tash...Është vera, pluhuri është më shumë prezent se për shembull ne nuk mundemi me i hap dritaret prej pluhurit”, tha ai.

Nga Londra në Prishtinë për pushime ka ardhur Petrit Kabashi, por që jo gjithçka po i shkon mirë në këto pushime. Ai thotë se vuan nga alergjia e pluhurit dhe punimet që janë duke u bërë pranë shtëpisë së tij po ia keqësojnë shëndetin.

Kabashi: Unë vuaj nga alergjia e pluhurit por askush nuk e merr parasysh

“Punimet po më duken shumë të ngadalshme, të këqija me të thënë të drejtën dhe punimet nuk i bëjnë siç duhet, por kjo rruga më ka lënë përshtypje se kanë filluar diku nga prilli dhe sa e di unë sa e kam kuptuar kanë pasur për 60 ditë me përfundua. Por, kanë kaluar mbi 70 ditë dhe nuk janë afër askund dhe këtyre lokaleve këtu përreth që janë ju ka bërë pengesa të mëdha  sidomos këta që shërbejnë ushqime, me norma ndërkombëtare nuk kanë të drejtë me shërbye në këto kushte me pluhur... Unë për veti vuaj nga alergjia e pluhurit, ndotjes së ambientit dhe si unë ka sigurisht edhe më keq dhe askush këto nuk i merr parasysh”, thotë ai.

Ndonëse po i pengojnë punimet, qytetarja Rina Gashi thotë se i mjafton që po punohet.

Gashi: Normalisht që na pengon pluhuri

“Normalisht që na pengon se pluhuri mandej edhe jemi të rrezikuar kanë qel kanale. Kështu që është pak problematike, mirëpo po besoj që po bëhet diçka më mirë, veç le të punojnë përndryshe nuk ka dert”, tha ajo.

Në rrugën “Fehmi Agani” janë edhe një numër i madh i bizneseve që operojnë.

Florim Imeri që ka një dyqan në këtë rrugë shpjegon për humbjet që i ka.

Imeri: Që tre muaj jemi duke punuar veç me minus

“Në këtë rrugë që nga data 27 mars ka filluar renovimi i ujërave të zeza e cila po na pengon shumë. Shumë pluhur, shumë punë, shumë katastrofë, kjo kompania që e ka marrë kontratën për renovimin e kësaj pune është duke punuar shumë ngadalë, prandaj e kisha lut komunën që t’i jap më shumë kësaj pune  se me të vërtet është duke na dëmtuar... Këto biznese kësaj rruge janë veç para kolapsit, që tre muaj jemi duke punuar veç me minus”, është shprehur ai.

Ditë më parë pronarët e lokaleve që ndodhet në këtë rrugë e që njihen si “Kafet e Vogla” kanë protestuar si shenjë pakënaqësie me punimet që po bëhen në këtë rrugë.

Madje ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës edhe kompensim për humbjet që kanë pësuar.

Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës duke thënë se janë bërë monoton duke kërkuar që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt.

Kritika për tej zgjatjen e punimeve në këtë rrugë ka edhe asambleistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fitnete Bejta.

Ajo për KosovaPress thotë se vonesa në përfundimin e punimeve ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së zhvillimit të punëve nga ana e Drejtorisë së Investimeve.

Thotë se duhet penalizuar operatorët ekonomik për vonesat.

Beja: Asnjë projekt nuk është zhvilluar sipas planit dinamik

“Zakonisht plani dinamik në realizimin e projektit sipas operatorëve ekonomik parashihen vetëm ditët e punës, por nëse i komentojmë edhe kështu del që është tejkaluar plani dinamik. Nuk është problemi vetëm i këtij projekti pasi të gjitha projektet që i ka nisur Komuna e Prishtinës në mandatin e parë dhe në këtë gjashtë mujorin e mandatit të dytë nuk janë realizuar sipas planit dinamik”, është shprehur ajo.

Përkundër ankesave të shumta të banorëve të kësaj pjese, Gëzim Mehmeti, drejtor i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës thotë se i gjithë projekti është në kohë,

Lajmi i keq është, që ai thotë se punimet nuk do të përfundojnë deri ën fund të kësaj vere.

Mehmeti: Në fund të kësaj jave do të përfundojë shtrirja me asfalt

“Tani jemi në fazën përfundimtare të punimeve, sot është dita e 54 e punimeve. Do të thotë kontrata i ka 60 ditë pune, sot jemi në ditën e 54, por është shprehur një huti në opinion për arsye se thuhet se ka zgjat më shumë. Jo, nuk ka zgjatur më shumë për arsye se ka pasur festa, ditët e vikendit nuk numërohen vetëm ditët e punës. Do të thotë jemi sipas planit dinamik, jemi në kuadër të planit dhe në fund të kësaj jave do të përfundojë shtrirja me asfalt”, tha ai.

Sa i përket asaj që pronarët e lokaleve në këtë rrugë kanë kërkuar kompensim, Mehmeti thotë se i gjithë investimi është bërë me kërkesë të bizneseve dhe të banorëve të kësaj pjese.

Për më tepër ai thotë se kanë zgjidhur një problem të këtyre banorëve dhe se asnjëherë nuk do të kenë më probleme me kanalizim.

Kritika të shumta në drejtim të komunës së Prishtinës ka pasur edhe sa i përket kohës kur është zgjedhur të kryhen punimet. Por, edhe për këtë një përgjigje e ka drejtori i Investimeve Kapitale Gëzim Mehmeti.

Mehmeti: Për arsye klimatike nuk mund të fillojmë në dhjetor

“Ne nuk mund të fillojmë prej dhjetorit deri në mars, është e pamundur për arsye të kushteve klimatike dhe ne në bashkëpunim me lokalet dhe banorët e kemi zgjedhur marsin që diku në qershor të përfundojmë. Për arsye që korriku dhe gushti të jetë në dispozicion të tyre, ardhja e diasporës. Do të thotë ata do të mund ta shfrytëzojnë sezonin e verës”, është shprehur ai.

Ndryshe, punimet për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, si dhe rregullimin e sistemit të ujësjellësit në rrugën “Fehmi Agani”, Komunës së Prishtinës do t’i kushtojë 360 mijë euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test