Komuna e Prishtinës pa plan për parkingun nëntokësor - Bota Sot
Komuna e Prishtinës pa plan për parkingun nëntokësor

Prishtina

Komuna e Prishtinës pa plan për parkingun nëntokësor

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 10:47
Prishtinë

Ndërtimi i parkingut nëntokësor pritet të fillojë në fund të muajit dhjetor, ndërsa punimet janë paraparë të zgjasin një vit e gjysmë. Por komuna e Prishtinës krahas kësaj ende nuk e ka projektin se si do duket ky parking dhe sa do të kushtojë.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka deklaruar se janë në fazën kualifikuese për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do investojë në këtë projekt.

Sipas tij, gjatë konsorsiume janë në garë për parkingun nëntokësor në Prishtinë.

Tutje ai tha se ky parking do ketë kapacitet për parkimin e 500 deri të 900 veturave, derisa në plan është që të ndërtohet edhe parku qendror mbi të.

Tahiri: 6 konsorsiume në garë për parkingun nëntokësor në Prishtinë

“Aktualisht jemi në fazën e parë të këtij partneriteti publiko-privat që është faza e para kualifikimit, ku kanë konkurruar rreth 6 konsorsioume, dhe sapo të mbyllet kjo fazë shkojmë me fazën e propozim projekteve nga ana e kompanive që kualifikohen në mënyrë që pastaj përmes një tenderi të hapur të zgjedhim kompaninë fituese që do ta realizoj atë projekt, është e rëndësishme të theksohet se parkingu nëntokësor pritet t’i ketë 500 deri në 900 parkime si dhe do ta ketë parkun qendror të qytetit të ndërtuar mbi të“, tha Tahiri.

Sipas Tahiri, ky parking i cili pritet të përfundojë brenda 18 muajve do e lehtësojë  shumë trafikun rrugor në kryeqytet.

Tahiri: Ky parking lehtëson qarkullimin në kryeqytet

“Punimet janë paraparë që të zgjasin rreth 18 muaj pra një vit e gjysmë nga dita që fillon dhe me këtë dinamik të këtij partneriteti publiko-privat ka mundësi që deri në fund të dhjetorit të këtij viti të kemi kontratën e nënshkruar në mënyrë që të mund të fillojnë punimet...Mund të jetë fundi i dhjetorit ose fillimi i janarit varësisht a do ketë ankesa apo jo, për shkak se një ankesë mund ta vonoj disa javë një proces të tillë...Sigurisht që një parking në qendër të qytetit me 500 deri 900 vend parkime do e lehtësojnë kogja shumë qarkullimin në Prishtinë dhe kjo iu mundëson qytetarëve që të kenë qasje në këmbë në pjesë të ndryshme të qytetit”, u shpreh zëdhënësi i Prishtinës.

Por ndryshe mendon njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi, i cili thotë se ndërtimi i parkingut në qendër të qytetit do krijojë edhe më shumë vështirësi në trafik.

Sipas tij, fillimisht duhet të gjendet zgjidhje se si të orientohen automjetet drejt parkingut e më pastaj të ndërtohet ky parking, pasi nëse ndodhë e kundërta do krijohen kushte të pafavorshme për ngasësit e veturave.

Krasniqi: Ndërtimi i parkingut nëntokësor do e vështirësoj qarkullimin rrugor

“Vetë ndërtimi i parkingut nëntokësor përball Katedrales normalisht që do të ndikoj që automjetet dhe do t’i motivoj në njëfarë forme qytetarët që automjetet të shkojnë dhe t’i parkojnë në hapësirë, dhe kjo vetë do krijoj vështirësi dhe bllokada në trafikun rrugor. Unë mendoj se paraprakisht duhet të krijoheshin parkingje në hyrje të qytetit dhe atje të lihen automjetet në mënyrë që qytetin ta kemi me numër më të vogël të automjeteve në brendi të qytetit. Dhe ato parkingje në hyrje të qytetit në rrugët e ndryshme të cilat sjellin në qytet  ato të sinkronizohen me trafikun urban”, tha Krasniqi.

Edhe arkitekti Ilir Gjinolli beson se një mos planifikim i duhur rreth ndërtimit të parkingut nëntokësor tek Fakulteti i Filologjisë, kryeqytetit mund t’i kushtojë me krijim të tollovive në trafik.

Gjinolli ka këshilluar komunën që të jetë e kujdesshme për planin e këtij parkingu, pasi siç tha ai një parking i tillë duhet të kontribuojë në jetën publike të kryeqytetasve.

Gjinolli: Ky projekt mund t’i kontribuoj parkimit, por edhe ngarkesave në trafik

“Projekti që mendohet të bëhet para Fakultetit Filozofik është një projekt që mund t’i kontribuoj parkimit, por mund të shkaktoj edhe pak më shumë ngarkesë në trafik, për shembull në pjesën periferike të qendrës së qytetit ose rrugës “Eqrem Qabej”, ose bulevardit “Bill Klinton”...Ka me ndikua në rrjedhën e trafikut, në anën tjetër normal që ndërtimi për një kohë dy ose tre vjet varësisht sa mendohet me u ndërtua ajo ka me paraqit njëfarë problemi për hapësirën publike derisa ajo të ndërtohet, duhet me konsiderua që funksionaliteti i parkimit në lidhje me trafikun edhe me shkarkimin e hapësirës prej veturave do jetë për tu vlerësuar pasi të ndërtohet “, theksoi Gjinolli.

Kurse, partia më e madhe opozitare në Kuvendin komunal të Prishtinës, LDK,  ndërtimin e parkingut nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë e ka konsideruar si projekt të dështuar, pasi që ende nuk dihet se sa do investojë komuna në këtë projekt publiko-privat.

Asambleistja nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta mendon se keqmenaxhimi është pika e dobët e qeverisjes së Shpend Ahmetit.

Bejta: Nëse nuk bëhet planifikim më i mirë, projekti për parkingun nëntokësor do dështoj

“E kemi vërejtur se pika e dobët apo kyçe që ka në keq menaxhim kjo komunë është mos planifikimi i mirë, planifikimi i dobët i kësaj komune, ka shtyrë që shumë projekte do të dështojnë edhe ky projekt i parkingut nëntokësor tek filologjiku siç njihet e tash me idenë se do zgjerohet edhe kah Katedralja mendoj se është menaxhim shumë i dobët sepse nuk po dihet paraprakisht kosto e po hyjnë në investim ne e dimë se së pari bëhet planifikimi pastaj realizimi i projektit. Unë mendoj se ka me dështua nëse nuk korrigjohet ky problem”, u shpreh Bejta.

Ndonëse e konsiderojnë të nevojshme krijimin e sa më shumë parkingjeve në Prishtinë, banorët e kryeqytetit nuk po pajtohen me hapësirën se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokës.

Mirsad Morina thotë se nuk është e nevojshme që një parking i tillë të jetë në mes të qytetit.

Ai ka sugjeruar që një parking i tillë më mirë do ishte të bëhej në lagjen e Ulpianës.

Morina: Nuk ka nevojë që parkingu nëntokësor të bëhet në mes të qytetit

“Nuk ndikon më mirë varet prej zonës si e bënë, çmimit për komunikacion se parkingje ka por nuk i dërgojnë kerret në parking...Duhet me bë ligjin e parkingjeve duhet me i rregullua gjërat për me bë për parking..Mundet me u bë në Ulpianë, mundet me u bë në Dardani ka shumë pjesë të qytetit që mund të bëhen parkingje nuk do të thotë që me u bë në mes të qytetit”, ka thënë Morina.

Edhe Ekrem Marevci pajtohet se hapësira se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokësor nuk është e duhur.

Ai madje thotë se e gjithë infrastruktura rrugore në kryeqytet është e paplanifikuar për shkak të mungesës së vizionit për këtë çështje nga ana e udhëheqësve të deritanishëm.

Marevci: Vendi për  ndërtimin e parkingut nëntokësor nuk është i duhuri

“Prishtina ka nevojë për parkingje jo vetëm për atë por ka nevojë për shumë parkingje, a ka vend në Prishtinë nuk ka vend askund...Pranë fakultetit filologjik nuk është adekuat vendi, por nevoja e kërkon ti patjetër nuk ke qare pa e bë vendin. Prishtina është e paplanifikuar në tërësi është e paplanifikuar nuk ka pasur vizionar”, ka thënë ky qytetar.

Mirëpo, ndërtimin e këtij parkingu në qendër të kryeqytetit e ka mirëpritur Ekrem Krasniqi, i cili tha se parkingjet në kryeqytet duhet të shtohen.

Krasniqi: Parkingu nëntokësor është zgjidhje

“Besoj që është një ndër zgjidhjet të cilat e lirojnë pak komunikacionin e Prishtinës sidomos trotuaret dhe rreziqet zvogëlohen, besoj që më shumë se sa ai ka nevojë Prishtina”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, komuna e Prishtinës për ndërtimin e parkingut nëntokësor ka ndarë një sipërfaqe prej 13.990 metra katrorë te Fakulteti i Filologjisë dhe parashihet të ndërtohet në 2 etazhe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test