Petrit Vasili: Janë 6 mijë më shumë vdekje se sa mesatarja e gjithë këtyre viteve, e vërteta fshihet

Shqipëria

Petrit Vasili: Janë 6 mijë më shumë vdekje se sa mesatarja e gjithë këtyre viteve, e vërteta fshihet

Më: 22 janar 2021 Në ora: 15:01
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili akuzon Qeverinë për fshehje të numrit real të viktimave nga Covid-19 në Shqipëri dhe për këtë i referohet edhe shifrave që raportojnë vetë bashkitë e qyteteve të vendit.

Vasili i referohet tre qyteteve, Tiranës, Beratit e Shkodrës. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI thotë se qeveria “ka raportuar rreth 1200 vdekje në krahasim me 6 mijë vdekje që kanë ndodhur e që lidhen në mënyrë të padiskutueshme me pandeminë”.

“Është fare e qartë që këto diferenca janë vërejtur edhe më parë dhe vetë raportimet që bëjnë bashkitë janë të ndryshme nga ato të qeverisë. Pak javë më parë Bashkia e Tiranës raportonte 119 të vdekur më shumë nga shifrat që raportonte për Tiranën Ministria e Shëndetësisë.

Po e njëjtë gjë ndodhte me qytetin e Beratit, ku raportoheshin më shumë vdekje nga bashkia në raport me shifrat e qeverisë. Po e njëjta ndodhte edhe në Shkodër.

Pra, është shumë e qartë që qeveria ka zgjedhur të fshehë të vërtetën e të mos përballet me realitetin”, nënvizoi Vasili.

Sipas tij, shifrat e vdekjeve në Shqipëri në vitin 2020 janë rritur “me rreth 6 mijë vdekje më shumë nga mesatarja e disa viteve me radhë”.

“Kjo rritje sigurisht është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me pandeminë nga Covid-19, një fakt që është vërtetuar në mjaft vende evropiane të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, por problemi kritik qëndron se Shqipëria, nga pikëpamja zyrtare, qeveria e Shqipërisë, ka raportuar rreth 1200 vdekje në krahasim me 6 mijë vdekje që kanë ndodhur e që lidhen në mënyrë të padiskutueshme me pandeminë. Pra, kemi shumë të qartë një situatë ku shifrat e vdekjeve fshihen dhe e vërteta fshihet”, tha Vasili.

Kujt i intereson kjo fshehje e së vërtetës?

Sipas Vasilit, kjo i intereson “vetëm qeverisë së propagandës që ka zaptuar zyrat e shtetit shqiptar, sepse të mos raportosh shifra të tilla, do të thotë mijëra njerëz që vdesin, pa kujdesin shëndetësor të duhur, familjarët e tyre që nuk njohin shkakun që është Covid-i e që mund të infektohen dhe tua transmetojnë infeksionin të tjerëve, e për pasojë të ketë humbje vdekjesh të tjera”.

“Qeveria është e sinqertë e thotë shifra të vërteta vetëm kur raporton mbi 40 mijë gjoba, me të cilat masakrohen qytetarët edhe bizneset. Këtu po është e vërtetë, është e pamëshirshme, është e pandjeshme, ndërsa për të raportuar të vërtetën e vdekjeve, që e përsëris, janë 6 mijë më shumë se sa mesatarja e gjithë këtyre viteve, këtu qeveria hesht, bën propagandë, gënjen, shpall Shqipërinë si vendi me më pak vdekje nga të gjithë në Ballkan, duke u bazuar vetëm e vetëm mbi të pavërteta të mëdha dhe mbi gënjeshtra sistematike. Kjo kohë duhet të marrë fund. E këtë gjë mund ta zgjidhin vetëm e vetëm më 25 prill ku është mundësia e madhe për tu çliruar nga këto gënjeshtarë dhe njerëz dis-humanë”, përfundoi Vasil i deklaratën e tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat