Helmimi masiv në Krujë/ Manastirliu: Dalin përgjigjet e analizave për 24-72 orë!

Shqipëria

Helmimi masiv në Krujë/ Manastirliu: Dalin përgjigjet e analizave për 24-72 orë!

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 12:32
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka udhëtuar në qytetin e Krujës për të vizituar pacientët që u shtruan në spital pasi kishin simptoma helmimi që dyshohet të jetë shkaktuar nga uji i pijshëm.

Nga dita e diel deri sot në spital kanë përfunduar mbi 300 persona. Duke marrë shkas nga kjo situatë e krijuar, Manastirliu ka shkuar në spitalin e Krujës duke thënë se është ndërprerë furnizimi me ujë ndërsa priten përgjigjet e analizave.

Manastirliu: Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Nga dita e diel dhe deri sot 370 qytetarë kanë marrë shërbim në spital. Vetëm sot janë paraqitur 60 qytetarë që pas shërbimit janë nisur në shtëpi. Tani janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, rreth 30 qytetarë, adoleshentë, fëmijë dhe të rritur. Sa i takon investigimit, të gjithë strukturat po hetojnë të gjitha pistat. ISHSH dhe  ISHP janë duke investiguar. Janë marrë monstrat e ujit, ushqimeve. Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjithë aspektet. Po pyeten çfarë kanë konsumuar. Do të kemi një rezultat pëërfundimtar kur të kemi analizat. Afati është 24-72 orë.

Spitali i Krujës me çfarë uji po furnizohet?

Manastirliu: Mesa di bashkia ka marrë masat për këtë gjë. Drejtoresha mund të përgjigjet nëse ka ujë në spital.

Drejtoresha: Po aktualisht spitali ka ujë të pijshëm.

Manastirliu: Të gjitha masat janë duke u marrë, çdo gjë do raportohet në kohën e duhur. E rëndësishme për ne është fakti që shërbimi shëndetësor nuk mungon.

Ndërsa, derisa të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm nga ujësjellësi, bashkia do të shpërndajë ujë për qytetarët me autobote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat