Policia e Shtetit ka arrestuar sot dy persona si pjesë e operacionit policor Delivery, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitim, të emigrantëve nga vendet e treta.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi disa mujor ka prangosur dy shtetas të implikuar.
E.M. (42), banues në Vlorë dhe S.G. (43), banues në Gjirokastër, po kryenin transportin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, kundrejt 1000-2000 euro për person, nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë.
Me këtë rast u sekuestruan edhe dy automjete, dy telefona mobilë dhe një sasi parash, vlera e të cilave nuk është bërë e ditur, raporton KosovaPress.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.