Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe homologëve të tyre. Policia e Shtetit bën me dije se në Dubai është arrestuar B. S. alias B. X., 39 vjeç, i cili akuzohet si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, i cili synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Vijon operacioni i koduar ‘The Wanted’, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar”, njofton Policia e Shtetit, duke sqaruar se arrestimi është kryer me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
B.S., i njohur edhe me mbiemër tjetër, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendim të datës 23 maj 2023, i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, grupit të strukturuar kriminal, kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, si dhe për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari dyshohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal që në vitin 2020 ka kultivuar bimë narkotike në disa fshatra të njësisë administrative Cudhi, Krujë. Policia thekson se aktiviteti kriminal zhvillohej në mënyrë të organizuar dhe me ndarje rolesh, ndërsa lënda narkotike kishte si destinacion tregjet jashtë vendit.
Emri i B.S lidhet gjithashtu me hetime të SPAK, nën dyshimet për trafik droge drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ai rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në një operacion të mëparshëm policor në fshatin Nojë, ku autoritetet sekuestruan 145 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar hashash, si dhe municion luftarak. Në atë operacion, B.S. arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe u largua jashtë Shqipërisë, duke u fshehur për një kohë të gjatë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Policia e Shtetit sqaron se kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. “Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi i këtij shtetasi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi janë në bashkëpunim për përfundimin e procedurave ligjore, me qëllim ekstradimin e 39-vjeçarit në Shqipëri, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet shqiptare. Policia thekson se operacioni “The Wanted” do të vijojë edhe në ditët në vijim, si pjesë e angazhimit për goditjen e krimit të organizuar dhe kapjen e personave të shumëkërkuar, që fshihen jashtë vendit.