PD dorëzon në Kuvend raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit për lejimin e arrestimit të Ballukut

Shqipëria

PD dorëzon në Kuvend raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit për lejimin e arrestimit të Ballukut

Më: 2 mars 2026 Në ora: 14:48
Gazment Bardhi

Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend, Raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për lejimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.

“Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.

Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.

Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.

Kjo sjellje e Edi Ramës është antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë“- u shpreh kreu i grupit në deklaratë për shtyp.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat