Mbyllet protesta e 58 para Kryeministrisë: Nesër më shumë!

Shqipëria

Mbyllet protesta e 58 para Kryeministrisë: Nesër më shumë!

Më: 27 korrik 2026 Në ora: 08:16 Përditësuar në ora: 22:52 më 27.07.2026
Pamje nga protesta

Mbyllet protesta e 58 para Kryeministrisë: Nesër më shumë!

Është mbyllur mbrëmjen e sotme protesta e 58-të kundër kryeministrit Edi Rama, e cila u zhvillua në Tiranë me marshim dhe tubim përpara godinës së Kryeministrisë.

Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit kanë vijuar me thirrje kundër qeverisë, ndërsa një nga sloganet më të dëgjuara ishte: “Shqipëria kërkon revolucion!”.

PROTESTA
Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë. Gjatë tubimit u hodhën kritika edhe ndaj platformës “Besa”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, të cilën protestuesit e cilësuan si të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Marshimi u zhvillua pa incidente.

Organizatorët deklaruan se protesta tashmë ka një objektiv të vetëm, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa theksuan se mobilizimi do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e këtij qëllimi.

Marshimi ndalet para Kuvendit, protestuesit: Parlament i krimit!

Protestuesit vijuan edhe mbrëmjen e sotme marshimin në rrugët e Tiranës, duke ndaluar përpara godinës së Kuvendit, ku adresuan akuza dhe kritika ndaj deputetëve dhe mazhorancës.

Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si: “Parlament i krimit!” dhe “140 deputetë, që të gjithë analfabetë!”, ndërsa protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe klasës politike.

“Shqipëria nuk është në shitje”/ I riu me origjinë shqiptare: Protesta është në qendër të mediave ndërkombëtare për shkak të çështjes së Sazanit

Një shtetas grek me origjinë shqiptare në podiumin para Kryeministrisë deklaroi se Shqipëria është në vëmendjen e mediave ndërkombëtare për shkak të çështjes së ishullit të Sazanit. Ai po ashtu dënoi dhunën policore.

“Emri im është Valentin jam grek me origjinë shqiptare

Kam ndjekur me vëmendje atë që po ndodh në Shqipëri.

Shqipëria është më shumë se kurrë në qedër të vëmendjes ndërkombëtarr për shkak të çështjes së Sazanit. Shqiptarët meritojnë respekt. Dhuna e policisë është shkelje e ligjeve europiane.
Sjqipëria nuk është në shitje
”, tha ai.

“Sikur policia të vraponte pas Ballukut, ashtu si me protestuesit!”/ Arben Kola nga protesta: Policia futi individë të lidhur me bandat, të thernin Gent Prognin!

Aktivisti Arben Kola nga protesta ka akuzuar Policinë e Shtetit për mënyrën e menaxhimit të tubimeve dhe duke ngritur pretendime për presione ndaj protestuesve.

Në një deklaratë për mediat, Kola tha se forcat e policisë po tregojnë një angazhim të madh ndaj qytetarëve që protestojnë, ndërsa sipas tij nuk kanë të njëjtin reagim ndaj zyrtarëve të përfshirë në hetime, si me rastin e Ballukut.

Ai akuzoi gjithashtu se protestuesit po përballen me presion dhe tentativë intimidimi, ndërsa deklaroi se aktivisti Gent Progni është tentuar të goditet me thikë.

“Gent Progni është tentuar të theret. Policia e Shtetit ka tentuar sot, përmes disa individëve të lidhur me bandat, të therë Gent Prognin”, deklaroi Kola, pa paraqitur prova publike për këtë pretendim.

Aktivisti tha se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore dhe se qëllimi, sipas tij, nuk është përshkallëzimi i situatës.

“Vrapin që bënte policia ndaj protestuesve, sikur ta bënte ndaj Belinda Ballukut, do të ishte gjëja më e mirë për shqiptarët. Por këta horra, e kanë vënë policinë, vetëm pas protestuesve. Gent Progni është tentuar që të theret. Policia e Shtetit, ka tentuar sot përmes disa individëve të lidhur me bandat, të therë Gent Prognin. Kjo tregon se këta gjakprishurit, duan gjak serben. Por duam ta bëjmë këtë revolucion pa gjak. Nuk duam vetëvrasje si në 97-98-ën. Ndaj ata po tentojnë me shantazhe, përmes individëve të ndryshëm. Ju siguroj se nuk do ia dalin. Sikur disa prej figurave këtu, të rrëzohen, të vriten, ju duhet ta vazhdoni këtë punë. Shqipëria nuk shitet, nuk do i dorëzohet mafies.”, tha Kola.

“Rama, jepe dorëheqjen!”/ Sot dita e 58 e revoltës popullore, nis grumbullimi në sheshin Skënderbej

Mbahet sot protesta e 58-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ashtu si në mbrëmjet e kaluara, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin "Skënderbej", për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së qeverisjes, duke kërkuar ndryshim politik dhe përgjegjësi nga ekzekutivi.

Protesta është pjesë e një serie tubimesh të përnatshme që opozita dhe mbështetësit e saj kanë organizuar në kryeqytet, me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.

Shehaj rrëmbeu nga zyra e Kuvendit dokumentin e marrëveshjes me SHBA, PS kërkon 60 ditë përjashtim nga seanca dhe kallëzim në SPAK

Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur ditën e sotme, kur kreu i Partisë Mundësia rrëmbeu nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA.

Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.

Sipas shkresës, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë informuar se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.

PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.

Në kërkesë thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, e cila sipas dokumentit e ka ndjekur për ta rimarrë, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime.

“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar.

Përveç masës disiplinore, socialistët kërkojnë që rasti t’i referohet SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.

Tre grupet opozitare: Pro marrëveshjes 302 milionë dollarë me SHBA, jo procedurës së përshpejtuar

Tre grupet parlamentare të opozitës, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku thonë se janë pro marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh që Shqipëria pritet të marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.

Opozita shprehet se e mbështet në parim marrëveshjen me aleatin strategjik të Shqipërisë, por kundërshton mënyrën se si mazhoranca kërkon ta miratojë atë në Kuvend, duke e cilësuar procedurën e përshpejtuar brenda së njëjtës ditë si antikushtetuese.

“Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, thuhet në deklaratën e opozitës, e cila thekson se Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s.

Sipas opozitës, një marrëveshje e tillë strategjike kërkon transparencë, debat parlamentar dhe respektim të procedurave kushtetuese, ndërsa mënyra e ndjekur nga qeveria, sipas tyre, e kthen Kuvendin në një institucion që vetëm formalizon vendimet e mazhorancës.

“Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë. Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën”, deklaron opozita.

Në deklaratë, opozita pretendon se marrëveshja është miratuar në parim nga qeveria që prej datës 19 qershor 2026 dhe se ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u sjellë në Kuvend për shqyrtim sipas procedurave normale.

Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim thonë se nuk kundërshtojnë financimin për mbrojtjen, por kundërshtojnë mënyrën e trajtimit të kësaj marrëveshjeje.

“Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën. Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë”, thuhet në deklaratë.

Opozita bën me dije se ka propozuar që marrëveshja të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, por që deputetëve t’u jepet mundësia të njihen me dokumentin dhe votimi të zhvillohet në një seancë të posaçme plenare ditën e premte.

Sipas saj, ky propozim do të garantonte edhe praninë e grupeve opozitare dhe votën pro marrëveshjes, por pretendon se kjo zgjidhje është refuzuar nga kryeministri Edi Rama.

“Ne i qëndrojmë propozimit tonë konstruktiv që deputetëve t’u jepet mundësia të njihen me marrëveshjen dhe miratimi i saj të bëhet në një seancë plenare të posaçme ditën e premte të kësaj jave”, përfundon deklarata e tre grupeve parlamentare opozitare.

“U shoqërova për thirrjen ‘Edi Rama i pabesë’”- Lirohet Arben Kola, aktivisti: Policia shantazhon protestuesit

Është liruar nga Komisariati nr. 1 Arben Kola, një nga organizatorët e protestës së zhvilluar në Tiranë.

Pas daljes nga ambientet e policisë, Kola dha një prononcim për News24, ku tha se shoqërimi i tij erdhi ndërsa po bënte thirrjet e zakonshme të protestës.

“Thjesht po bëja thirrjet tona të zakonshme. Thirrjet ishin: ‘Ju me gaz, ne me vezë’, ‘Edi Rama i pabesë’. Si duket u bënë xhelozë”, u shpreh ai.

Sipas Kolës, efektivët nuk i dhanë një shpjegim konkret për shoqërimin.

“Nuk thanë asgjë. ‘Pse ke dalë, ligji ky e ligji ai’, siç janë akuzat që policia përdor për të shantazhuar protestuesit. Nuk u ushtrua presion”, deklaroi ai.

Kola përsëriti se shoqërimi ishte i motivuar nga mesazhet e protestës: “U bënë xhelozë nga fjalët që thashë”, përfundoi ai.

Me qeset plot vezë e domate, protesutesit marshojnë drejt komisariatit nr.1

Protestuesit janë nisur drejt Komisariatit nr.1 në Tiranë, ku ndodhen të shoqëruar organizatori i protestës Arben Kola dhe disa protestues të tjerë.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë vendosur të zhvendosen drejt komisariatit, duke kërkuar informacion për personat e ndaluar dhe lirimin e tyre.

Në duar, disa prej pjesëmarrësve mbajnë qese me vezë dhe domate, të cilat ishin përdorur edhe gjatë protestave të mëparshme para parlamentit, teksa edhe sot pati momente tensioni me forcat e policisë.

Protesta e sotme nisi para Kuvendit, ku disa qytetarë tentuan të afrohen drejt godinës së Parlamentit, por u ndaluan nga kordoni policor. Gjatë përplasjeve pati hedhje vezësh në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori në disa momente spraj me lëndë irrituese.

Deputetët largohen të pashqetësuar/ Protestuesit mblidhen në sheshin “Skënderbej”, debat mes tyre për vijimin e tubimit

Pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, protestuesit janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej, ku vijojnë grumbullimin dhe organizimin e tyre.

Pjesëmarrësit në protestë janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, ku po diskutojnë për vijimin e protestës, teksa nuk kanë munguar debatet. Një pjesë bëjnë thirrje të shkojnë në komisariatin numër 1, ku mbahen të shoqëruarit e sotëm, të tjerë thonë të kthehen në orën 19:00 për protestën si zakonisht.

Në fund një pjesë e protestuesve janë nisur drejt komisariatit numër 1 për të kërkuar lirimin e 5 të shoqëruarve.

Protesta e sotme nisi para godinës së Kuvendit, ku situata u tensionua mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa protestues tentuan të afrohen drejt Parlamentit, por u ndaluan nga kordoni policor i vendosur në zonë.

Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori në disa momente spraj me lëndë irrituese. Duhet thënë se deputetët sot hynë në dhe dolën të pashqetësuar nga Parlamenti.

Gjatë zhvillimeve të protestës u shoqërua edhe organizatori Arben Kola, së bashku me 4 protestues të tjerë. Ndërkohë, në Sheshin Skënderbej vijon grumbullimi i qytetarëve, ndërsa pritet të shihet nëse rikthimi i tyre pranë Parlamentit do të shoqërohet me përshkallëzim të situatës gjatë nisjes së seancës plenare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat