Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Shqipëria

Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Më: 19 tetor 2026 Në ora: 12:34 Përditësuar në ora: 21:09 më 19.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Përplasje e ashpër mes policisë dhe protestuesve tek Parku Rinia

Një përplasje e ashpër është shënuar këtë të hënë tek zona e Parkut Rinia.

Policët dhe studentët po përballen me njëri-tjetrin tek Parku Rinia.

Gazetari Osman Stafa raporton se është e paprecedent, që një punonjës policie i drejtohet një protestueseje me fjalët “Shko në shtëpinë tënde”.

Studentët i thanë efektivëve se kanë të drejtë të protestojnë dhe se askush nuk ka të drejtë t’i prekë.

Salianji: Revolta e ka zhveshur Ramën nga legjitimiteti, do përfundojë në koshin e historisë

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, në një prononcim për News24 tha se kryeministri Edi Rama sot është i izoluar, pasi askush nuk bashkëpunon me të.

Salianji tha se kryeministri është në “Dimrin e Madh”. Sipas tij, revolta e ka zhveshur Ramën nga legjitimiteti. Salianji theksoi se kreu i qeverisë do të përfundojë në koshin e historisë.

“Qytetarët po bëjnë që Rama të jetë në Dimrin e Vetmisë së Madhe, të jetë i përçarë brenda babzisë dhe tanimë i përçmuar nga ndërkombëtarët. Revolta e ka zhvehur Ramën nga legjitimiteti. Populli nuk e duron më Ramën si kryeministër dhe bën të tilla veprime, që ndjek kalamajt nëpër rrugica. Do përfundojë në koshin e historisë, si njeri që po ia merr frymën shoqërisë. Policia vetëm ushtron dhunë, që është dhunë joproporcionale”, tha Salianji.

Për Salianjin, Rama dhe Berisha mbrojnë njëri-tjetrin, pasi bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve.

“Këtu kemi Sali Berishën dhe Edi Ramën që mbrojnë njëri-tjetrin. Edi Rama ikën vetëm me revoltë. Vetëm me revoltë dhe protesta ikën Rama. Vetëm me ndërgjegjësim shqiptarët hyjnë në Bashkimin Europian. Kemi dy autokratë, një në qeveri dhe një në opozitë”, u shpreh Salianji.

Në lidhje me shpërblimet ndaj policëve, Salianji deklaroi se kryeministri Rama i ka mbajtur efektivët në kushte mjerane dhe se vetëm sot që i nevojiten për karrigen e tij, vendos t’i shpërblejë.

“Edi Rama e ka trajtuar si mos më keq Policinë e Shtetit. Sot, që po i rrezikohet karrigia jep shpërblim. Jep shpërblime vetëm për interesa të vetat. Rama e ka marrë tatëpjetën dhe besoj se qytetarët do ia dalin që ta shporrin. Qytetarët kanë marrë sovranitetin në dorë dhe Rama nuk dihet se ku është”, nënvizoi Salianji.

Senatori amerikan Gary Peters reagim për situatën në Shqipëri

Përshkallëzimi i krizës politike dhe dhuna shtetërore ndaj protestuesve në Shqipëri kanë alarmuar zyrtarët më të lartë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Senatori Gary Peters ka reaguar publikisht duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë autoriteteve shqiptare të ndalin goditjen ndaj qytetarëve.

Në deklaratën e tij, senatori Peters theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar lidhjen e fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA me zhvillimet në atdhe.

Deklarata e Senatorit Gary Peters:

“Jam thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i situatës në Shqipëri. Autoritetet vendore duhet të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë, dhe gjithkush në terren duhet të punojë për të deeskaluar situatën dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

Miçigani është shtëpia e një komuniteti të fuqishëm dhe gjallërues shqiptaro-amerikan, dhe e di se këto zhvillime janë shumë personale për shumë banorë të Miçiganit. Populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat e tyre themelore dhe mbron sundimin e ligjit. Prandaj do të vazhdoj të avokoj për paqe dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët.”

Efektivët mësyjnë në qendër të Tiranës, makina të shumta policie në sheshin “Skënderbej”, shoqërohen disa protestues

Prani e shtuar e forcave të policisë është evidentuar në qendër të Tiranës.

Disa makina policie janë pozicionuar në sheshin “Skënderbej”.

Gjatë ndërhyrjes, disa protestues janë shoqëruar nga efektivët.

Lëvizjet e policisë vijnë në një kohë kur protesta në kryeqytet është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Tensionet në protestë, policia shoqëron disa të rinj pranë Kishës Ortodokse

Policia ka shoqëruar disa protestues pranë Kishës Ortodokse në kryeqytet, në vijim të zhvillimeve të tensionuara gjatë protestës.

Efektivët e policisë kanë ndërhyrë në zonë, ku disa prej protestuesve janë shoqëruar, ndërsa situata vijon të jetë dinamike pas lëvizjeve të turmës në rrugët e kryeqytetit.

Shoqërimet vijnë pas episodeve të tensionuara të regjistruara gjatë protestës, ku policia është përpjekur të kontrollojë situatën dhe të shpërndajë protestuesit.

Tirana në tension, sulmohet Ministria e Brendshme, protestuesit përdorin molotovë e gurë, policia përgjigjet me gaz, ujë e plumba gome, RENEA te Kryeministria

Mbahet sot protesta e shtatë në Tiranë, e cila nisi me revoltën e studentëve më 13 tetor dhe u përshkallëzua në tubim të dhunshëm, së cilës i janë bashkuar tashmë edhe qytetarë.

Dita e shtatë e protestës në Tiranë u përshkallëzua sot me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa kulmoi me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit. Të rinj të maskuar mësynë godinën, thyen dyer e xhama me sende të forta dhe një pjesë arriti të hynte në ambientet e brendshme, ku në atë moment ndodheshin edhe punonjës.

Pas sulmit, policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke i ndjekur në rrugët e kryeqytetit dhe duke nisur shoqërimet.

Protesta e shtatë nisi gjatë paradites, me masa të shtuara sigurie dhe kontrolle nga policia. Në sheshin “Skënderbej”, efektivët kontrolluan çantat e disa të rinjve, ndërsa më pas protestuesit u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit. Tubimi nisi me këngë e valle, njësoj si një ditë më parë, ndërsa pati edhe thirrje “Hiqni uniformat” drejtuar efektivëve.

Rreth orës 12:30 situata nisi të ndryshonte. Disa të rinj shkulën pllaka dhe gurë nga trotuari, ndërsa në të njëjtën kohë të tjerë u ofruan sanduiçë policëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet u përshkallëzuan rreth orës 13:00, kur drejt efektivëve u hodhën gurë dhe kapsolla. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për t’i larguar nga zona e Ministrisë së Arsimit.

Përplasjet u zhvendosën më pas në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e njohur si “Kafe Flora”. Përmes megafonit, policia u kërkoi qytetarëve të largoheshin nga rruga, ndërsa vijoi ndërhyrjen me ujë dhe gaz lotsjellës. Efektivët nuk lejuan rigrumbullimin e protestuesve, të cilët u zhvendosën më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Rreth orës 14:00 situata u përshkallëzua sërish. Një grup protestuesish të maskuar iu drejtua Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe sulmoi godinën. U thyen dyer dhe xhama, ndërsa disa prej tyre hynë brenda ambienteve të institucionit. Pamjet nga brenda gjykatës treguan dëmet e shkaktuara, ndërkohë që në godinë kishte ende punonjës.

Pas këtij momenti, policia nisi aksionin për shpërndarjen e grupeve të protestuesve dhe shoqërimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme. Sipas Policisë, për dëmtimin e dyerve dhe dritareve të Gjykatës së Apelit u identifikuan 20 persona, pesë prej tyre u arrestuan dhe 15 u shpallën në kërkim. U sekuestrua gjithashtu një sasi lëndësh piroteknike.

Protestuesit qëndruan përpara kryeministrisë për disa orë pa asnjë konfrontim me policinë. Por rreth orës 18:00 pasi filluan marshimin në bulevard, situata pranë Ministrisë së Brendshme është tensionuar përsëri. Protestuesit u ndanë në dy grupe dhe filluan të godisnin me mjete pirroteknike Ministrinë e Brendshme, ndërsa policia ka ndërhyrë me autobotë në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë u zhvendosën më pas në kryqëzimin mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Protestuesit hodhën fishekzjarre, mjete të tjera piroteknike dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Më pas, protestuesit vijuan marshimin drejt Rrugës së Dibrës. Për disa momente ata u gjendën të rrethuar nga forcat policore, të cilat ndërhynë për shpërndarjen e turmës.

Përpara nisjes së grumbullimit të sotëm reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri thirrje për dialog “pa kushte” dhe kërkoi distancim nga dhuna.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi mbështetjen e opozitës për protestën dhe përsëriti kërkesën për largimin e qeverisë.
Protesta nuk u kufizua vetëm në Tiranë. Tubime dhe marshime u zhvilluan edhe në qytete të tjera, ndërsa në Kurbin u raportuan përplasje dhe hedhje molotovësh drejt godinës së Bashkisë, ku u shkaktuan flakë në hyrje.

Policia ndjek protestuesit te Rruga e Dibrës, studentët iu vënë flakën kazanëve të mbeturinave

Skena të pazakonta si “lufte” po shihen në rrugët e Tiranës.

Policia ndjek nga pas protestuesit, teksa përpara kanë edhe një autobot me ujë.

Efektivët përdorin edhe gazin lotsjellës tejet masë, që të shpërndajë turmën.

Ndërsa po ndiqen, protestuesit iu kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave.

Përshkallëzohen tensionet në rrugët e Tiranës, policia nis të qëllojë me plumba gome drejt protestuesve

Teksa tensionet mes policisë dhe protestuesve janë shpërndarë në rrugët kryesore të Tiranës, efektivët kanë nisur ndërmarrjen e masave ekstreme.

Policia ka nisur sërish të gjuajë me plumba gome drejt protestuesve.

Sakaq, policia po vijon ndjekjen e tyre në rrugë edhe me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Vijon e tensionuar protesta në Tiranë, protestuesit hedhin breshëri fishekzjarrësh drejt policisë

Protesta në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, pas disa orësh heshtje.

Protestuesit kanë hedhur breshëri fishekzjarrësh, përfshirë molotovë në drejtim të policisë.

Forcat e rendit po i ndjekin nga pas, të mbështetura nga autoboti me ujë.

Gjatë incidenteve, u është vënë flaka edhe koshave të mbeturinave, duke shtuar tensionet në zonën ku po zhvillohet tubimi.

Ministria e Brendshme: Mosha e mitur nuk ju përjashton nga përgjegjësia penale, do jepni llogari për dhunën

Zëvendësministja e Brendshme Anisa Ruseti ka dalë me një deklaratë për shtyp duke falënderuar të gjithë prindërit që i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për të siguruar fëmijët nga marrja pjesë në tubim të dhunshëm dhe shoqërimin për në mësim.

Ndër të tjera, Ruseti thekson se mosha e mitur, nuk i përjashton të rinjtë e përfshirë në akte dhune në protestë nga përgjegjësia penale.

“Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duam t’i drejtohemi me një falënderim të veçantë të gjithë prindërve dhe kujdestarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme. Së bashku me mësuesit e tyre, ata bën të mundur që kjo të jetë një ditë normale për ta.

Dua të theksoj se, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.

Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë.

Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë. Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar.  Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme.

Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat