Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Shqipëria

Tirana në flakë tensionesh, Policia ‘përçan’ protestuesit, shoqërime masive

Më: 19 tetor 2026 Në ora: 12:34 Përditësuar në ora: 18:22 më 19.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

68 të arrestuar pas protestës së djeshme

Policia e Tiranës ka arrestuar 68 persona dhe ka proceduar penalisht 22 të tjerë pas tubimit të zhvilluar ditën e djeshme. Mes të arrestuarve janë edhe 7 të mitur, të moshës 15 deri në 17 vjeç.

Sipas policisë, personat e dyshuar kanë hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë dhe godinave të institucioneve publike e private.

Si pasojë, janë dëmtuar fizikisht punonjës policie, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në godina dhe në sinjalistikën rrugore.

Gjatë tubimit janë dëmtuar gjithsej 20 punonjës policie.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Plasin kapsollat e para në Bulevard, hidhet edhe molotov, protestuesit marshojnë drejt sheshit “Skënderbej”

Kapsollat e para janë hedhur në Bulevard, ndërsa protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Situata në zonë po shoqërohet me lëvizjen e protestuesve përgjatë bulevardit, në kuadër të tubimit të zhvilluar në kryeqytet.

Po ashtu në protestë është hedhur edhe një molotov, ndërsa marshimi vijon ende.

Protestuesit u vendosën në Parkun Rinia, policia i largon me ujë dhe gaz lotsjellës

Pas një shpërndarjeje pas sulmit në Gjykatën e Apelit, protestuesit u mblodhën për disa çaste në Parkun Rinia.

Pasi forcat e rendit i lanë të qetë për disa çaste, policia ka avancuar me autobotet e ujit për të shpërndarë protestuesit.

Më pas policia hodhi shumë gaz lotsjellës, duke i kapur në befasi protestuesit.

“Palët të ulin tensionet”, Ambasada e Zvicrës në Shqipëri: Të shqetësuar për shkatërrimin e pronës private dhe publike

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka reaguar për protesta që kanë përfshirë Shqipërinë prej shtatë ditësh, ndërsa ka shprehur shqetësimin e saj për dëmtimin e pronës publike dhe asaj private.

Ajo u ka kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.

Një thirrje direkte kishte edhe për forcat e sigurisë, të cilave u kërkoi të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Reagimi i plotë:

Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike.

U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Protestuesit sulmojnë dhunshëm Gjykatën e Apelit, kthejnë gjithçka përmbys

Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, protestuesit kanë sulmuar Gjykatën e Apelit me Jurdiksion të Përgjithshëm në Tiranë.

Çfarë po ndodh në Tiranë? Bie “qetësia”, policia nuk gjen dot grupimet e protestuesve

Çaste qetësie në këto momente në Tiranë (ora 14:59).

Ndërsa u shënuan disa përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë, në këto momente ka një situatë të qetë dhe njëkohësisht të çuditshme.

Pasi sulmuan Gjykatën e Apelit dhe policia nisi shoqërimet, protestuesit u shpërndanë me shpejtësi.

Duket se policia nuk po i lokalizon dot grupimet e protestuesve të dhunshëm, ose këta të fundit janë zhvendosur në zona “të mbrojtura”.

Ndërkohë, një grup i vogël protestuesish ndodhet aktualisht para Parkut Rinia.

Tensione në sheshin “Skënderbej”, policia bën disa shoqërime, i hedh një gruaje spraj

Disa prej protestuesve janë vendosur aktualisht në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku nuk kanë munguar përplasjet me policinë.

Teksa gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ndodhën edhe disa shoqërime të protestuesve nga ana e policisë.

Teksa një të ri po e fusnin në makinën e policisë, ai dëgjohet të thotë se ishte vetëm duke vrapuar.

Gazetarja Hoxha i pyeti të rinjtë se si quheshin, pasi u shpreh se kishin kërkuar ndihmë që të lajmëronin prindërit e tyre.

Në momentin që po bëheshin këto shoqërime, njerëzit aty pranë tentuan që t’i ndalonin, por policia i hodhi një gruaje spraj.

Ndërkohë e pyetur nga Sidorela Gjoni për moshën e tyre, Hoxha u përgjigj duke thënë ‘jo më shumë se 25 vjeç’.

Nisin arrestimet e para pas mësymjes së protestuesve në Gjykatën e Apelit

Kanë nisur arrestimet e para gjatë protestës në Tiranë, ku protestuesit kanë sulmuar Gjykatën e Apelit, duke thyer xhamat dhe dyert e godinës.

Sipas pamjeve, gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit kanë ndaluar te Gjykata e Apelit, ku disa prej tyre kanë thyer xhamat e godinës dhe u kanë vënë flakën njoftimeve që ndodheshin jashtë institucionit.

Disa minuta më vonë, pas kësaj situate, ka ndërhyrë policia, e cila ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka kryer disa shoqërime.

Nuk pyesin për barrierat metalike, protestuesit thyejnë derën e Gjykatës së Apelit dhe i vënë flakën

Pasi policia i largoi nga Ministria e Arsimit, protestuesit kanë mardhuar drejt rrugës së Elbasanit, ku janë ndalur te Gjykata e Apelit.

Fillimisht kanë gjuajtur me gurë drejt fasadës së institucionit dhe më pas kanë mësyrë drejt hyrjes.

Me forca të shumta kanë arritur të shkatërrojnë derën e hekurt të Gjykatës dhe kanë hyrë brenda.

Nisin përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë

Kanë nisur tensione në ditën e shtatë të protestës në Tiranë mes protestuesve që po hedhin gurë në njërën anë dhe policisë, e cila po kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës.

Protestuesit janë vendosur aktualisht te Ministria e Arsimit, ku ata kanë shkulur pllakat e trotuarit në rrugën e Durrësit për t’u përgatitur për ‘betejën’ me policët.

Pak më parë kanë hedhur gurë ndaj policëve dhe efektivët iu kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës.

Sot shënohet dhe dita e shtatë e kësaj proteste të dhunshme, ku që nga dita e parë e deri më tani, ka pasur përplasje të forta mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat