Berisha paralajmëron Ramën: I fundit do të flasë sovrani, ky regjim i ka kohërat e shkurtra! Do ta marrësh përgjigjen

Shqipëria

Berisha paralajmëron Ramën: I fundit do të flasë sovrani, ky regjim i ka kohërat e shkurtra! Do ta marrësh përgjigjen

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 12:32
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një tjetër mesazh në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se fundin e qeverisjes së tij do ta vendosë sovrani. Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të vijojnë denoncimin e qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një narkoshtet.

Ai ngriti shqetësimin edhe për efektet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros dhe dollarit në ekonomi, ndërsa akuzoi qeverinë se po hesht për këtë problem. Berisha u ndal edhe te protestat dhe reagimi i policisë ndaj të rinjve, duke paralajmëruar Ramën se do të përballet me përgjigjen e qytetarëve.

“Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet të luftojmë, të luftojmë dhe vetëm të luftojmë. Duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar dhe të interesit tonë publik. Nuk duhet kurrë të hezitojmë dhe të heshtim.

Sot Shqipëria, sipas të gjitha të dhënave ndërkombëtare, është narkoshteti më i konsoliduar i planetit. Është më shumë narkoshtet, për sa i përket efektit të drogës në ekonomi, sesa Kolumbia, Brazili, Meksika dhe çdo shtet tjetër.

Por ky narkoshtet, që negocion për integrimin në BE dhe është anëtar i NATO-s, të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin. A mund të bëjmë edhe ne sikur nuk e shohim këtë? Historia do të na ndëshkonte. Do të ishte një tradhti e madhe ndaj interesit publik dhe interesit qytetar nëse ne do të heshtnim përballë narkoshtetit.

Sot leku, që vlen 50 për qind më pak se në vitin 2013 në raport me euron dhe dollarin, është monedha më e fortë e planetit, me distancë nga çdo monedhë tjetër. Kjo po e shkatërron në mënyrë progresive dhe të pandalshme ekonominë tonë.

A dëgjohet kund ndonjë fjalë për këtë, përveçse në audienca të kufizuara dhe nga gazetarët? Jo.

Atëherë, çfarë na mbetet ne? Na mbetet të ngremë edhe më shumë zërin. Na mbetet të mos rreshtim së denoncuari me të gjitha mundësitë tona, të bindur se këtij regjimi i kanë mbetur kohë të shkurtra.

Edhe njëherë i them Edi Ramës se i fundit do të flasë sovrani. Ndaj, thyej sa të duash kockat e të rinjve aty, por përgjigjen do ta marrësh ashtu siç e meriton”, tha Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat